Festë sportive

Në turne morën pjesë 510 sportistë të 45 ekipeve nga pesë vende të rajonit: Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Bosnja e Hercegovina dhe Kroacia. Ata kanë zhvilluar gara në të dy disiplinat – forma dhe ndeshje. Në renditjen e përgjithshme për ndeshje dhe forma, KT “Ulqini” zuri vendin e tretë, ndërsa vendin e parë në kategorinë e formave. Ai po ashtu fitoi kupën për vendin e dytë në kategorinë e kadetëve

Ulqin – Klubi i Taekwondosë “Ulqini” ka organizuar të shtunën, në sallën e Shkollës Fillore “Marshall Tito”, edicionin e dytë të Turneut Ndërkombëtar në sportin olimpik të taekwondosë “Trofeu i Ulqinit”.
Në turne morën pjesë 510 sportistë të 45 ekipeve nga pesë vende të rajonit: Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Bosnja e Hercegovina dhe Kroacia, duke e kthyer këtë aktivitet në një festë të vërtetë sportive. Ata kanë zhvilluar gara në të dy disiplinat – forma dhe ndeshje.
Klubi i Taekwondosë “Ulqini” ka marrë pjesë me 51 sportistë.
Në disiplinën e ndeshjeve, në klasën A, garuesit e “Ulqini”-t kanë fituar dy medalje të arta, pesë medalje të argjendta dhe dy medalje të bronzta, kurse në klasën B shtatë medalje të arta, pesë medalje të argjendta dhe katër medalje të bronzta.
Ndërsa në disiplinën e formave, në klasën A, ata kanë fituar gjashtë medalje të arta, pesë medalje të argjendta dhe dy medalje të bronzta, kurse në klasën B gjashtë medalje të arta, pesë medalje të argjendta dhe gjashtë medalje të bronzta.
Në renditjen e përgjithshme për ndeshje dhe forma, KT “Ulqini” zuri vendin e tretë, ndërsa vendin e parë në kategorinë e formave. Ai po ashtu fitoi kupën për vendin e dytë në kategorinë e kadetëve.
KT “Ulqini” ka falënderuar të gjitha ekipet pjesëmarrëse në turne, sportistët, trajnerët, gjyqtarët, personelin organizues për punën e bërë duke dhënë maksimumin që turneu të kalojë sa më mirë.
“Falënderoj të gjithë sponsorët që na përkrahën me mjete financiare si dhe shoqërinë nga Nju Jorku. Falënderojmë mediat që pëcollën këtë aktivitet, TV ‘Teuta’ dhe MNE Sport. Falënderoj të gjithë ata që kontribuan në çfarëdolloj mënyre që ky aktivitet të përfundojë me sukses. Sportistëve ju uroj suksese në garat tjera”, është shprehur në një deklaratë për shtyp kryetrajneri i KT “Ulqini”, Fikret Dushku.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat