Anëtari i Klubit të Taekwondosë “Ulqini” dhe përfaqësuesi i Malit të Zi, Enes Dushku, ka fituar medaljen e bronztë në Ligën Botërore prestigjioze të nivelit G-2, e cila u mbajt këtë fundjavë në Eindhoven të Holandës. Ky aktivitet ka tubuar 1800 garues nga 67 vende të pesë kontinenteve, ndërsa Dushku tregoi edhe edhe një herë cilësitë dhe karakterin e tij sportiv.
Në rrugën drejt medaljes, ai ka arritur të mposhtë në ndeshjen e parë përfaqësuesin e Francës, ndërsa në ndeshjen e dytë triumfoi ndaj garuesit nga Britania e Madhe. Në gjysmëfinale, ai u ndalua nga përfaqësuesi i Danimarkës, por pavarësisht kësaj, medalja e bronztë dhe grumbullimi i 7.2 pikëve olimpike në ranglistën botërore është një tjetër rezultat i shkëlqyer në karrierën e tij.
Kjo është medalja e katërt për të gjatë këtij viti në ligat botërore dhe evropiane të nivelit G/E, duke konfirmuar formën e tij të qëndrueshme dhe sukseset në skenën ndërkombëtare. Rezultati i tij është një tjetër dëshmi e cilësisë së taekwondosë së Malit të Zi dhe një motivim për të gjithë sportistët e rinj.
Paraqitje të mirë pati edhe Arta Ismailaga, e cila fitoi ndeshjen e parë, ndërsa humbi të dytën. Me këtë fitore, ajo arriti të grumbullojë 2.12 pikë olimpike për ranglistën botërore.
Dy sportistet e tjera të KT “Ulqini” që përfaqësojnë Malin e Zi, Sara Kraja dhe Amella Nuti, humbën që në ndeshjet e para.
(Kohapress)