Më 3-5 qershor 2022, në Beograd u mbajt Kampionati Ballkanik i Karatesë për Fëmijë, Seniorë dhe Veteranë. Për Përfaqësuesen e Malit të Zi nga Klubi i Karatesë “Ulqini” morën pjesë nëntë garues: Emira Gjoni, Agnesa Kollari, Katarina Jankoviq, Tarik Nikeziq, Lluka Konatar, Aleks Simonoviq, Amar Çobi dhe Marko Konatar.
E pandalshmja Emira Gjoni u shpall kampione ballkanike në luftëra individuale, mosha 11- vjeçare, kategoria -44 kg. Ajo luftën e parë e fitoi ndaj garueses kampione të Bosnjës dhe nënkampione të Ballkanit të vitit të kaluar me rezultatin 4:2, luftën e dytë ndaj garueses kampione të Serbisë me rezultatin 3:0, luftën e tretë ndaj garueses kampione nga Kroacia me rezultatin 8:0, kurse në luftën finale triumfoi ndaj garueses nga Bosnja e Hercegovina, e cila ka qenë kampione ballkanike vitin e kaluar, me rezultatin 4:0.
Vlen të ceket se karateistja e re Emira Gjoni nuk njeh kundërshtarë: ajo mban tash dy vite me radhë titullin kampione e Malit të Zi, si dhe është bartëse e shumë medaljeve të arta në arenat vendore, kombëtare e ndërkombëtare.
Në deklaratën për shtyp të KK “Ulqini” thuhet se edhe garuesit e tjerë të këtij klubi ishin në një nivel shumë të lartë dhe të gjithë treguan përgatitje të mirë duke u përballur fuqishëm me kundërshtarët e tyre.
Agnesa Kollari u rendit e pesta në Ballkan, pas dy fitoreve dhe një humbjeje. Ajo për fat të keq nuk mundi të kualifikohet në finale, pasi që në gjysmëfinale humbi nga garuesja e Serbisë me rezultat 1:1, sepse sipas rregullave përparësia iu dha kundërshtares pasi që ajo e kishte marrë pikën e para. Agnesa Kollari mban titullin kampione e Malit të Zi.
Katarina Jankoviq, Tarik Nikeziq, Lluka Konatar, Aleks Simonoviq, Amar Çobi dhe Marko Konatar kishin një paraqitje shumë të mirë, por fati kësaj here nuk ishte në favor të tyre për t’u kurorëzuar me ndonjë medalje, edhe pse të gjithë ishin shumë afër.
Udhëheqësit dhe trajnerët e KK “Ulqini” janë shumë të kënaqur me rezultatet e arritura në Kampionatin Ballkanik, pasi që sukseset janë të vazhdueshme dhe nuk mungojnë, por përkundrazi dita-ditës janë edhe më të mëdha.
(Kohapress)