Klubi i Taekwondosë “Ulqini” e ka pasuruar vitrinën e vet të trofeve me dy medalje evropiane të fituara së fundmi në Kampionatin Evropian për fëmijë, që është mbajtur në Bukuresht të Rumanisë. Garuesit e këtij klubi, Eren Karamaninxhoja dhe Adna Sulejmanoviq, kanë fituar medalje të argjendta duke u shpallur nënkampionë të Evropës. Karaminxhoja ka fituar dy ndeshjet e para, ndërsa në finale ka humbur nga garuesi i Irlandës. Edhe Sulejmanoviq pas fitimit të dy ndeshjeve të para, ka humbur në ndeshjen finale nga garuesja e Kroacisë. Dy garuesit tjerë të KT “Ulqini”, Nermin Sulejmanoviq dhe Hakush Fici, që po ashtu ishin pjesë e Përfaqësueses së Malit të Zi, janë ndaluar që në ndeshjet e para nga garuesi rumun, respektivisht ai moldav.
Në Kampionatin Evropian në Taekwondo për fëmijë kanë marrë pjesë rreth 200 garues nga 27 vende të Evropës.
Kryetrajneri i KT “Ulqini”, Fikret Dushku, ka treguar për udhëtimin e mundimshëm dhe jo të lehtë, për shkak të gjatësisë dhe vështirësive, por që sipas tij, ia ka vlejtur sepse Ulqinit i kanë sjellë dy nënkampionë të Evropës.
Ai ka falënderuar prindërit e sportistëve të vegjël për angazhimin e tyre maksimal si dhe sponsorët që i përkrahën për të marrë pjesë në këtë aktivitet të rëndësishëm sportiv.
Në një deklaratë për shtyp të KT “Ulqini” thuhet se garuesit e këtij klubi janë duke u përgatitur për Kampionatin Evropian për Kadetë, i cili do të mbahet në Maltë, ku do të marrin pjesë garuesit Arta Ismailaga, Enes Dushku dhe Sara Kraja, si dhe për Kampionatin Ballkanik.
(Kohapress)