Dushku, Fici dhe Mavriqi kampionë të Ballkanit

Garuesit e KT “Ulqini” që ishin pjesë e Përfaqësueses së Malit të Zi bënë edhe në këtë garë një paraqitje të mirë, duke fituar gjithsej 11 medalje, prej të cilave tri medalje të arta, tri medalje të argjendta dhe pesë medalje të bronzta

Për dy ditë me radhë gjatë fundjavës (3-4 dhjetor 2022) në qytetin e Durrësit është mbajtur Kampionati Ballkanik në Taekwondo për pionierë, kadetë, juniorë dhe seniorë. Në këtë kampionat kanë marrë pjesë rreth 550 sportistë nga njëmbëdhjetë vende të Ballkanit. Pjesë e Përfaqësueses së Malit të Zi kanë qenë edhe 12 sportistë nga Klubi i Taekwondosë “Ulqini”.
Të shtunën janë zhvilluar garat për pionierë dhe kadetë, kurse të dielën për juniorë dhe seniorë.
Garuesit e KT “Ulqini” bënë edhe në këtë garë një paraqitje të mirë, duke fituar gjithsej 11 medalje, prej të cilave tri medalje të arta, tri medalje të argjendta dhe pesë medalje të bronzta.
Kampionë të Ballkanit u shpallën Enes Dushku, Hakush Fici dhe Noar Mavriqi. Për të fituar medaljen e artë Dushkut iu desh të fitonte katër ndeshje, Fici fitoi tri ndeshje, kurse Mavriqi dy ndeshje.
Nënkampionë të Ballkanit për vitin 2022 u shpallën Arta Ismailaga, Denis Çoboviq dhe Ajan Brashnjani, kurse medalje të bronzta fituan sportistët Adna Sulejmanoviq, Nermin Sulejmanoviq, Eren Karaminxhoja, Rijad Dervishi dhe Hava Malokraja.
Sipas kryetrajnerit të KT “Ulqini”, Fikret Dushku, ky përbën një tjetër sukses për këtë klub.
“Sportistët dhanë maksimumin e tyre. Në një konkurrencë të fortë dhe cilësore arritëm të sjellim edhe 11 medalje shumë të rëndësishme për sportin tonë. Falënderojmë të gjithë ata që kontribuan në sukseset tona. Sportistëve u urojmë suksese”, shprehet ai.
Kjo është hera e parë që Kampionati Ballkanik i Taekwondo-së është mbajtur në Shqipëri.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat