Klubi i Taekwondosë “Ulqini” ka marrë pjesë kohës së fundit në dy aktivitete shumë të rëndësishme të nivelit evropian – Grand Prix Evropian dhe Kampionatin Evropian për klube.
Grand Prix Evropian në taekwondo, që është mbajtur në Talin, kryeqytetin e Estonisë, më 7-10 prill 2025, një nga ngjarjet më prestigjoze të këtij sporti, ka grumbulluar mbi 800 sportistë elitarë nga e gjithë Evropa. Në Serinë 1 kanë marrë pjesë 32 sportistët më të mirë të renditur në ranglistën evropiane për secilën kategori.
Në këtë garë KT “Ulqini”-n e kanë përfaqësuar dy prej sportistëve të tij më të talentuar: Sara Kraja dhe Enes Dushku.
Enes Dushku tregoi një paraqitje të shkëlqyer, duke fituar dy ndeshjet e para, por humbi në çerekfinale nga përfaqësuesi polak. Falë kësaj paraqitjeje, ai e mbylli garën në vendin e pestë në Grand Prix Evropian dhe fitoi pikë të vlefshme për ranglistën evropiane, duke u renditur aktualisht në vendin e dytë në Evropë.
Sara Kraja gjithashtu pati një paraqitje të mirë, megjithëse u ndalua në raundin e tretë nga përfaqësuesja e Spanjës. Ajo vazhdon të mbajë një pozicion të lartë në ranglistën evropiane, duke u renditur aktualisht në vendin e gjashtë.
Nga ky klub bëjnë të ditur se në këtë garë ishte e kualifikuar edhe Arta Ismailaga, mirëpo për shkaqe shëndetësore ajo nuk mori pjesë.
Ndërkaq garuesi i KT “Ulqini”, Denis Çoba, ka sjellë një tjetër medalje për këtë klub nga Kampionati Evropian për Klube, i mbajtur po në Talin të Estonisë, më 11-14 prill 2025.
Ai ka arritur sukses të jashtëzakonshëm duke fituar medalje të bronztë në një konkurrencë shumë të fortë.
Çoba ka bërë një paraqitje të shkëlqyer duke fituar dy ndeshje kundër garuesve nga Estonia dhe Letonia. Në gjysmëfinale, ai ka humbur nga përfaqësuesi i Italisë, i cili në fund ka fituar medaljen e artë.
“Kjo është edhe një medalje evropiane në vargun e sukseseve për garuesit e Klubit të Taekwondosë ‘Ulqini‘, të cilët prej vitesh përfaqësojnë me sukses qytetin dhe shtetin e tyre në skenën ndërkombëtare. Medalja e Denisit është një dëshmi e punës cilësore dhe përkushtimit në klub, si dhe një tregues se Ulqini ka të ardhme në këtë sport olimpik“, thuhet në deklaratën për shtyp të KT “Ulqini“.
Garueset tjera të këtij klubi – Nejra Dervishi fitoi ndeshjen e parë kundër sportistes nga Malta, por u ndalua në ndeshjen e dytë nga përfaqësuesja e Estonisë, kurse Asija Kollari humbi që në ndeshjen e parë nga garuesja e Kroacisë.
Kampionati Evropian për Klube, një aktivitet i rëndësishëm në sportin e taekwondosë, ka mbledhur mbi 1600 sportistë nga 48 vende të ndryshme të Evropës.
Drejtuesit e KT “Ulqini“ falënderojnë prindërit dhe sponsorët për mbështetjen financiare dhe kanë paralajmëruar se në vazhdim garuesit e tyre i presin dy sfida evropiane: Kupa e Evropës dhe Liga Evropiane në Zvicër.
(Kohapress)