Klubet e futbollit “Deçiq” dhe “Otrant-Olympic” kanë objektiva të ndryshme në Ligën e Parë Futbollistike të Malit të Zi. Derisa “Deçiqi” si kampion në fuqi synon të sigurojë një vend që do ta kualifikonte për kupat evropiane, “Otrant-Olympic”, i cili këtë vit ka debutuar në Ligën e Parë synon ta ruajë statusin dhe të qëndrojë në këtë ligë.
Në ndeshjen e javës së 23-të, që është luajtur të shtunën (8 mars 2025), këto dy ekipe janë përballur me njëri-tjetrin, ku ka triumfuar “Otrant-Olympic” me rezultatin 2:0, falë dy golave të shënuara në pjesën e dytë nga Petar Vukçeviqi. Kështu, pas 23 javëve (dje janë luajtur ndeshjet e javës së 24-t), “Deçiqi” i cili ka një ndeshje më pak, gjendet në vendin e katërt në renditjen në tabelë, me 31 pikë të grumbulluara, kurse “Otrant-Olympic”, i cili ka grumbulluar vetëm 20 pikë, ndodhet në vendin e parafundit në tabelë.
Ecuria e deritashme e të dy klubeve gjatë këtij sezoni nuk ka qenë e mirë.
Kryetari i KF “Deçiq, Pal Dreshaj thotë se nuk është e lehtë të qëndrosh në majë, mirëpo këtë sezon do të përpiqen të kapin Evropën dhe se janë në rrugë të mbarë për arritjen e këtij qëllimi.
“Synimet tona këtë vit janë që të mbetemi në kreun e tabelës së Ligës së Parë të Malit të Zi dhe të luftojmë përsëri për dalje në Evropë”, shprehet ai.
Pavarësisht faktit se shpresat për të dalë edhe këtë vit kampion janë pothuajse minimale për shkak se “Buduqnosti” udhëheq bindshëm në Ligën e Parë të Malit të Zi, “Deçiqi” ka gjasa reale për fitimin e Kupës së Malit të Zi, një trofe tjetër i rëndësishëm që i mungon këtij klubi me traditë. Madje duket sikur energjitë në këtë stinor janë orientuar pikërisht drejt arritjes së këtij qëllimi.
“Pavarësisht se kemi pasur rënie dhe ngritje gjatë këtij sezoni, ne jemi në rrugë të mirë, sepse jemi në gjysmëfinale të Kupës së Malit të Zi dhe luftojmë për një trofe, që klubi ynë akoma nuk e ka fituar. Pra, shpresojmë që sivjet do ta fitojmë”, thotë Dreshaj.
Në anën tjetër, kualifikimi në Ligën e Parë Futbollistike të Malit të Zi, pas entuziazmit fillestar, duket se i ka gjetur të papërgatitur drejtuesit e KF “Otrant-Olympic”.
Kryetari i këtij klubi, Skender Rexha, thekson se çdo gjë ka ndodhur shpejt për ta dhe se Liga e Parë kërkon më shumë kushte dhe profesionalizëm më të madh.
“Otrant-Olympic” ka qenë i handikapuar për arsye se nuk ka mundur t’i zhvillojë ndeshjet në fushën e vet për shkak se stadiumi ekzistues nuk i plotëson kushtet e parashikuara për Ligën e Parë nga Federata e Futbollit e Malit të Zi. Megjithatë, punët për adaptimin e stadiumit janë duke vijuar sipas ritmeve të planifikuara.
“Besoj se në muajin prill do të luajmë në Ulqin dhe publiku ulqinak për të parën herë do të shikojë ekipin e Ulqinit në Ligën e Parë”, është optimist Rexha.
Mbetet të shihet nëse kjo do të jetësohet në kohën e parashikuar dhe nëse do të ketë ndikim në rezultatet e “Otrant-Olympic”-ut në vazhdim të këtij stinori.
Objektivi i këtij klubi është qëndrimi në Ligën e Parë, një synim aspak i lehtë po të merret parasysh pozita e tanishme në tabelë. Rexha është i vetëdijshëm për këtë, megjithatë është shpresëtar.
“Mendoj që objektivin të cilin e kemi vendosur si klub që të mbesim në Ligën e Parë do ta arrijmë, edhe pse e kemi shumë zor duke e ditur se kemi qenë të detyruar që ndeshjet t’i luajmë jashtë Ulqinit”, thotë kryetari i KF “Otrant-Olympic”.
Deri në fund të kampionatit në Meridianbet Ligën e Parë Futbollistike të Malit të Zi kanë mbetur edhe 12 javë.
i. k.