Tuz – Mbrëmjen e së mërkurës, më 10 korrik 2025, në stadiumin e qytetit “Besa” në Tuz u zhvillua ndeshja e parë ndërkombëtare, ku skuadra vendase “Deçiq” u përball me ekipin Sileks nga Maqedonia e Veriut.
Me përkrahjen e qindra tifozëve në tribunë, “Deçiq”-i arriti fitore me rezultatin 2:0, në kuadër të ndeshjes së parë të raundit të parë kualifikues për Ligën e Konferencës së UEFA-s.
Golat për Deçiqin u shënuan nga Andrej Bojoviq dhe futbollisti senegalez, Ibrahim Ndiaye. Bojoviq kaloi skuadrën në epërsi pas 30 minutash lojë, ndërsa Ndiaye shënoi golin e dytë me kokë, menjëherë pas hyrjes në fushë.
Ndeshja e kthimit do të luhet sot, më 17 korrik 2025, ku “Deçiq”-i do të përballet në Shkup me klubin Sileks.
Kjo fitore, njëherësh edhe ndeshja e parë zyrtare ndërkombëtare që zhvillohet në stadiumin “Besa”, është cilësuar historike për klubin e “Deçiqi”-it dhe për Tuzin, duke u përshëndetur edhe nga përfaqësuesit politikë shqiptarë nga pushteti vendor dhe qendror.
Për herë të parë, ky stadium bëhet pjesë e një gare evropiane, duke shënuar një hap domethënës për sportin në komunën e Tuzit.
t. u.
