“Besa” drejt një fillimi të ri nëpedalet e çiklizmit

“Me aktivitetin në çikleta do të parandalojmë përdorimin e tepërt të telefonit. Fëmijët do të jenë jashtë dhomave dhe pasivizimit të teknologjisë. Ata do të mësojnë më mirë gjeografinë e vendit tonë duke frekuentuar fushën, malet, brigjet e kanionit Cem dhe bregun e liqenit të Shkodrës”, shprehet Nikollë Gegaj, drejtor sportiv i KÇ “Besa”

Klubi i Çiklizmit “Besa”, i themeluar para nëntëmbëdhjetë vitesh, pas një periudhe aktiviteti të suksesshëm, u pasivizua në vitin 2014 për shkak të mungesës së mbështetjes financiare.
Sot, pas 11 vjetësh mungese aktiviteti, ai po synon të riaktivizohet me një frymë të re dhe me vizion të qartë për të ardhmen.
Nikollë Gegaj, drejtor sportiv i këtij klubi, njëherësh edhe drejtues dhe trajner i Klubit të Taekwondosë “Besa”, për gazetën “Koha javore” tregon se klubi kishte filluar veprimtarinë më herët dhe u regjistrua zyrtarisht në vitin 2006, pranë Shoqatës Sportive “Besa”, ndërsa pas ndryshimit të Ligjit të ri për sportin u regjistruan si klub.
Ai tregon se në atë periudhë zhvilluan disa aktivitete të suksesshme, si: “Gjiro – ‘Malësia e Madhe’”, “Të gjithë në çikleta”, Kupa e Malit të Zi në Koritë (mountain bike) si dhe marshimi nga Bratila në Vlorë për 100-vjetorin e Pavarësisë.
“Kryetar i klubit atëkohë ishte Nrek Lulgjuraj, ndërsa trajner ishte Driton Gjonaj dhe unë drejtor sportiv, dhe numëronim afro 20 sportistë”, shprehet Gegaj.
Sipas tij, dhjetë prej tyre ishin të licencuar nga Federata Ndërkombëtare e Çiklizmit (UCI).
I pyetur për vizionin që kanë në këtë rikthim, Gegaj thotë se bashkë me Lulgjurajn dhe Gjonajn, vitin e kaluar nisën bisedimet për riaktivizimin e çiklizmit në Malësi, me qëllim promovimin e bukurive natyrore të trevës dhe përfshirjen në aktivitetet e Organizatës Turistike lokale.
“Qëllimi është sidomos përfshirja e fëmijëve dhe të rinjve, sepse shikojmë mungesë të madhe të sporteve të tjera. Në Malësi favorizohet vetëm futbolli, basketi dhe taekwondoja, pak xhudoja por s’është e dukshme, dhe vallëzimi. Mirëpo në Malësi ka hapësirë për të paktën edhe dhjetë sporte të tjera, si për: çiklizëm, atletikë, peshëngritje, volejboll, hendboll, not, peshkim sportiv etj. Për çiklizëm kemi personat që ishin aktivë edhe me përvojë dhe shumë shpejt mund të bëjmë gjëra pozitive në këtë sport”, thekson Gegaj.
Sa i përket aktiviteteve të para që parashikohen, drejtori sportiv tregon se pas pushimeve verore do të shpalosin një agjendë dhe se synimi është që deri në fund të këtij viti të organizohen së paku dy aktivitete. Paralelisht, thotë ai, do të përgatitet edhe kalendari për vitin 2026 me plane dhe programe serioze.
Në ringritjen e klubit janë angazhuar tri figurat kyçe të dikurshme: drejtori aktual Nikollë Gegaj, ish-kryetari Nrek Lulgjuraj dhe trajneri Driton Gjonaj, ndërsa interesimi është në rritje, veçanërisht pas disa aktiviteteve të fundit promovuese.
“Unë si çiklist me përvojë të mëparshme dhe si trajner, aq sa të më lejojë koha, do të punoj në atë drejtim, ndërsa Nikolla (Nishi) do të punojë në përgatitje bazike, kondicion dhe zgjatje me sportistë”, shprehet sportisti me përvojë në këtë klub, Driton Gjonaj.
Ai shton se gjatë një aktiviteti për promovimin e lumit Cem, ka vërejtur interesim real nga të rinjtë dhe komuniteti, mirëpo sipas tij, “mungojnë pajisjet dhe çikletat e duhura për sportistë”.
Drejtori Gegaj kujton se pengesat më të mëdha që sollën pasivizimin e klubit në vitin 2014 ishin të natyrës financiare.
“Nuk kishim mundësi të përballojmë kostot e mirëmbajtjes dhe funksionimit të klubit, edhe pse i dorëzonim projektet me plane dhe programe vjetore. Mirëpo, organet komunale nuk na përkrahnin, duke u arsyetuar se s’ka buxhet për sport”, shprehet ai.
Roli i tij si drejtor sportiv do të jetë i njëjti, pasi siç u shpreh ai, në riaktivizim është kryesorja që të sigurojnë mjetet për financim.
“Pasi tani komuna ka një buxhet të lakmueshëm, mbi 9 milionë euro, presim mbështetje së pari nga ata, pastaj nga afaristët dhe diaspora jonë që na përkrah në shumë projekte zhvillimore”, thekson Gegaj.
I pyetur për ndikimin e këtij sporti në jetën sociale dhe fizike të komunitetit, Gegaj thotë se çiklizmi është një themel i shëndetshëm për gjendjen fizike dhe mendore të çdo njeriu, nga mosha 5 deri në 85 vjeç.
“Me aktivitetin në çikleta do të parandalojmë përdorimin e tepërt të telefonit. Fëmijët do të jenë jashtë dhomave dhe pasivizimit të teknologjisë. Ata do të mësojnë më mirë gjeografinë e vendit tonë duke frekuentuar fushën, malet, brigjet e kanionit Cem dhe bregun e liqenit të Shkodrës”, shprehet Gegaj.
Ai gjithashtu beson se interesimi për këtë lloj sporti do të jetë gjithnjë në rritje.
“Shoh një pozitivitet të madh tek prindërit që me lakmi përshëndesin gjirot në biçikleta nëpër tërë Malësi. Unë çikletën e kam në zemër dhe e adhuroj që nga fëmijëria, para se të filloja të merrem me artet marciale”, përfundon drejtori i klubit Nikollë Gegaj.
Klubet e tilla që kanë si synim të ofrojnë apo nxisin stile të shëndetshme të jetës në komunitet është më se e domosdoshme që të mbështeten pa rezerva dhe jo të lejohet shuarja e tyre për shkak të mungesës së mjeteve financiare.
Çdo vend që synon të mbështesë fëmijët dhe të rinjtë në zhvillimin e tyre fizik, mendor dhe shoqëror, duhet të investojë në sport, në hapësira të sigurta dhe në përpjekje që i bëjnë të ndihen pjesë aktive e jetës në komunitet.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat