Argjentinasi Alejo Lingua, fitues i turneut të tretë

Tenisti argjentinas Alejo Lingua është shpallur fitues i turneut të tretë profesionist në tenis, organizuar nga Federata e Tenisit të Malit të Zi, dhe Klubit të Tenisit “ Bellevye” i cili është zhvilluar në Plazhin e Madh në Ulqin dhe sponsoruar nga Karisma Adriatic Montenegro , Azull Beach Resort dhe Kompania “ Cungu”. Lingua mposhti në finale britanikun Felix Gill me rezultat të bindshëm në dy sete 6:3, 6:2. Po ky tenist nga Argjentina triumfoi në kategorinë dyshe në turneun e dytë të tenisit në Ulqin, i cili me Marino Navone, kanë qenë më të mirë se çifti rus Ibragimnov/Agafonov, 6:3, 6:2. Pra, fjala është për një tenist të ri i cili po tregon lojë të shkëlqyer në Ulqin.
Krahas ndeshjeve në singl janë zhvilluar edhe ato në çifte. Në këtë kategori triumfuan tenisti ukrainas Marat Deviatiarov dhe holandezi Max Houkes të cilët fituan italianët Andreo Basso dhe Gianmarco ferrari, 7:5, 61.
Tenisti më i mirë në Mal të Zi, Rrezart Cungu as në këtë turne nuk arriti më larg se në çerekfinale, ku u ndal nga finalisti i javës së kaluar argjentinasi Mariano Navone me rezultat shumë të ngushtë 7:6 7:6. Cungu tregoi lojë cilësore ndaj kundërshtarit shumë të fortë. Ndeshja ngjalli emocione të shumta tek tifozët, sepse nuk dihej deri në momentin e fundit se si do të përfundojë ajo. Megjithatë, Navone në momentet vendimtare u tregua pak më i qetë dhe më i koncentruar se Cungu dhe arriti ta mbyllë ndeshjen në favor të tij, edhe pse me pak më shumë fat e vetëbesim ndeshja mund të shkonte edhe në setin e tretë.
Duke komentuar këtë ndeshje Cungu deklaroi: “ Ndeshja ishte mjaft e mirë. Të dy treguam një lojë cilësore deri në fund të garës. Edhe unë i kisha shanset e mia, por nuk arrita ta kthejë lojën në favorin tim. Më mungoi shumë pak që ndeshjen ta çojë në setin e tretë. Por gjithsesi mbeti një mundësi në tentativë”.
Cungu shpreson se në turneun e fundit, i cili mbahet nga data 21-26 shtator, do të luajë më mirë se rivalët e tjerë dhe do të provojë të dalë fitues , pasi ndjehet shumë i motivuar.
Mbyllja e këtij turneu me fitoren e Rrezart Cungut do të ishte një sukses jo vetëm i tij personal, por edhe një arritje e dëshirueshme për shqiptarët dhe Federatën e Tenisit të Malit të Zi, të cilën ai e përfaqëson denjësisht.

Gj.Gjonaj

Të fundit

më të lexuarat