Andrea Berishaj, sportistja më e mirë e Malit të Zi përvitin 2025

Taekwondistja e re nga Malësia, Andrea Berishaj (18), anëtare e Klubit S3 nga Podgorica, është shpallur sportistja më e mirë e Malit të Zi për vitin 2025, në përzgjedhjen tradicionale të Komitetit Olimpik të Malit të Zi, në mesin e 15 kandidatëve.
Asaj i ka takuar ky çmim për sukseset e mëdha të arritura gjatë këtij viti në arenat ndërkombëtare, ku veçohen fitimi i medaljes së bronztë në Kampionatin Evropian për seniorë në Aigle të Zvicrës, si dhe medaljet e bronzta në Kampionatin Botëror në Najrobi të Kenisë dhe Kampionatin Evropian në Prishtinë, për seniorët e rinj deri 21 vjeç, në kategorinë deri 67 kilogramë.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve është zhvilluar të martën (23 dhjetor 2025), ku të pranishëm ishin edhe kryetari i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ministri i Sportit dhe të Rinjve, Dragosllav Shqekiq, kryetari i Komitetit Olimpik të Malit të Zi, Dushan Simonoviq, si dhe shumë personalitete sportive.
Në shenjë mirënjohjeje dhe përkrahjeje për sukseset e saj, ditë më parë kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj i dhuroi Berishajt një vauçer në vlerë prej 5,000 euro.
Andrea Berishaj rrjedh nga një familje sportistësh, pasi që edhe motra e saj më e madhe, Anxhela Berishaj, është një sportiste e dalluar, e cila para tre vitesh është shpallur sportistja më e mirë e re e Malit të Zi. Andrea e ka filluar karrierën në KT “Besa” nga Tuzi, për të vazhduar në KT “S3” nga Podgorica, për të cilin garon aktualisht.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat