Ulqin – Për të dytin vit me radhë, ekipi “Ana e Malit” zuri vendin e parë në turneun në futboll të vogël “Ulqini 2017”, duke mbrojtur kështu titullin e fituar vitin e kaluar.
Pas një loje më të mirë, “Ana e Malit” fitoi në finale të dielën mbrëma ndaj ekipit “Cilling” me rezultatin 7-3. Vendin e tretë e fitoi ekipi “Kastel” nga Nikshiqi, i cili në ndeshjen për vendin e tretë fitoi Krajën me rezultatin 6-2.
Emocione të posaçme kanë dhuruar sidomos ndeshjet gjysmëfinale, ku edhe rivaliteti ka qenë më i madh. Të dy ndeshjet e zhvilluara të shtunën mbrëma janë ndarë në barazim dhe fituesi është përcaktuar vetëm pas gjuajtjes së penalltive.
Në ndeshjen e parë gjysmëfinale, “Cilling” dhe “Kastel” janë ndarë barazim me rezultatin 2-2. Me penallti, “Cilling” ka fituar me rezultatin e përgjithshëm 4-2. Edhe gjysmëfinalja e dytë “Ana e Malit” – “Kraja” është ndarë me barazim 3-3. Është dashur të gjuhen nga katër penallti për të përcaktuar fituesin, ku “Ana e Malit” ka fituar me rezultatin e përgjithshëm 7-6.
Lojtari më i mirë i turneut u shpall Igor Qetkoviq nga ekipi “Ana e Malit”, portieri më i mirë Arben Meqikukiq, po nga “Ana e Malit”, golshënuesi më i mirë Fatmir Mollabeqiri nga “Ana e Malit”, ekipi fair play “Kastel” nga Nikshiqi dhe lojtari fair play Mirko Damjanoviq nga ekipi “Kastel”.
Në turne kanë marrë pjesë 12 ekipe. Përpos turneut për kategorinë e të rriturve, u zhvillua turneu edhe për grupmoshat më të reja. (Kohapress)