11 medalje për sportistët e KT “Ulqini”

Nga data 16 deri më 19 tetor 2025, në Bullgari u zhvillua Kampionati dhe Kupa Ballkanike në Taekwondo, një ngjarje e rëndësishme sportive që mblodhi mbi 1250 sportistë nga 13 shtete të Ballkanit.
Në dy ditët e para të aktivitetit, më 16 dhe 17 tetor 2025, u mbajt Kampionati Ballkanik, ku morën pjesë më shumë se 800 garues. Pjesë e Kombëtares së Malit të Zi ishin edhe 16 sportistë nga Klubi i Taekwondosë “Ulqini”, të cilët shkëlqyen në tapet duke fituar gjithsej 11 medalje ballkanike dhe duke e përmbyllur me sukses këtë edicion të rëndësishëm ndërkombëtar.
Medalje të arta fituan Arta Ismailaga, e cila pas katër fitoreve ndaj kundërshtareve nga Maqedonia, Bullgaria, Rumania dhe në finale sërish ndaj Bullgarisë, u shpall kampione e Ballkanit. Po ashtu Nejra Dervishi, e cila fitoi tri ndeshje me radhë ndaj përfaqësueseve të Greqisë, Bullgarisë dhe Bosnjës, duke siguruar gjithashtu medaljen e artë. Xhihan Maniq triumfoi ndaj përfaqësuesve të Maqedonisë dhe Bullgarisë, duke sjellë të tretën medalje të artë.
Medalje të argjendtë fitoi Sara Kraja, e cila pas fitoreve ndaj Maqedonisë, Bosnjës dhe Bullgarisë, arriti në finale, ku humbi nga përfaqësuesja bullgare. Ajan Brashnjani, Gani Resulbegoviq, Xhenan Tivari dhe Rea Nelaj gjithashtu u kurorëzuan me medalje të argjendta, duke treguar nivel të lartë përgatitjeje dhe përkushtimi.
Ndërkaq medalje të bronzta fituan Rijad Dervishi, Leandra Bogdanoviq dhe Rajana Bogdanoviq.
Në deklaratën për shtyp të KT “Ulqini”-t thuhet se në renditjen e përgjithshme të ekipeve, ai zuri vendin e tretë në kategorinë “Children” dhe vendin e katërt në kategorinë “Junior” – një arritje e madhe për sportistët dhe për këtë klub.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat