Vendlindja të pret dhe të thërret që t’i kthehesh

Udhëtimi për në Triesh më ka nxitur prej kohësh dëshirën për të vizituar këtë vend, për mua më të dashurin dhe më të bukurin në botë, me trashëgiminë, historinë, luftërat e përgjakshme, heroizmin, njerëzit e mirë dhe krenarinë kombëtare, dhe për të shijuar ajrin e pastër dhe mikpritjen e përzemërt të atyre pak banorëve të Trieshit, që i kanë qëndruar besnikë vendlindjes së vet ku, ndryshe nga e kaluara, ka kushte shumë më të mira infrastrukturore, por jo aq sa për të ringjallur jetën siç ishte dikur me më shumë banorë sesa sot

Gjekë Gjonaj

Kur një person arrin moshën e caktuar, shpesh i mungon gjithçka që ka kaluar, dhe madje e pushton nostalgjia për vitet e para të jetës, fëmijërinë apo edhe rininë. Atë e merr malli për vendin ku ka lindur, për shtëpinë ku është rritur, për gurët dhe drunjtë, për kodrat dhe malet, për çdo gjë me të cilën e kanë lidhur vitet e moshës së hershme.
Këtë përjetim e ndau me ne edhe bashkëvendësi dhe shoku im, Gjelosh Rroku Gjokaj, profesor i fizikës tashmë në pension, familja e të cilit u zhvendos nga fshati Muzheçk i Trieshit në Tuz, disa dekada më parë. Në një takim të rastësishëm në Tuz, ai na sugjeroi të udhëtonim drejt vendlindjes sonë të përbashkët dhe të shijonim bukuritë e saj natyrore kodrinore dhe malore, ku kaluam një pjesë të jetës sonë, e cila, sado e vështirë ka qenë, do të mbetet përgjithmonë e pashlyeshme në kujtimet tona.
Udhëtimi për në Triesh më ka nxitur prej kohësh dëshirën për të vizituar këtë vend, për mua më të dashurin dhe më të bukurin në botë, me trashëgiminë, historinë, luftërat e përgjakshme, heroizmin, njerëzit e mirë dhe krenarinë kombëtare, dhe për të shijuar ajrin e pastër dhe mikpritjen e përzemërt të atyre pak banorëve të Trieshit, që i kanë qëndruar besnikë vendlindjes së vet ku, ndryshe nga e kaluara, ka kushte shumë më të mira infrastrukturore, por jo aq sa për të ringjallur jetën siç ishte dikur me më shumë banorë sesa sot.
Në këtë udhëtim na shoqëroi edhe babai i bashkëshortes së Gjelosh Gjokajt, por edhe miku im Pjetër Kolë Dedvukaj, nga mali i Hotit, tashmë i ndjerë. Mëngjesi i nisjes në atë ditë shtatori me diellin e ndritshëm të verës na bashkoi në Podgoricë. Unë erdha nga Ulqini, kurse ata nga Tuzi. Sapo u larguam nga Podgorica, në kilometrin e shtatë të rrugës që të çon në Kuç, u kthyem djathtas drejt Trieshit. Ne vazhduam rrugës përpjetë, të gjerë dhe të shtruar me asfalt të ri, kryesisht falë kontributeve të mëdha financiare të mërgimtarëve trieshianë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo rrugë dredha-dredha (me shumë kthesa), mes gjelbërimit të pafund dhe ajrit të pastër, na çoi në Qafën e Rozdecit. Atje ndaluam për të parë panoramën piktoreske të Trieshit, malit të Sukës së Grudës, ku ndodhet varri i Vuksan Gelës (shekulli XVI), i njohur si një luftëtar i shquar i Malësisë së Madhe, por edhe për amanetin e tij: “Më varrosni aty ku thundrat e kalit të turkut nuk do të më shkelin”, një pjesë e Bjeshkëve të Namuna (Alpeve Shqiptare) dhe male të tjera magjepsëse përreth. Pastaj vazhdojmë udhëtimin tonë nëpër fshatin Rudinë, Nikmarash, Stjepoh dhe Delaj, i cili ishte destinacioni ynë i fundit për atë ditë. Shijuam bukurinë përrallore të këtij fshati, pamjet magjepsëse të kanionit të lumit Cem, riparimet dhe ndërtimin e shtëpive të reja me paratë e fshatarëve mërgimtarë, të cilat ia shtojnë hijeshinë këtij lokaliteti, i cili me të drejtë quhet vendi më tërheqës turistik në Triesh. Nuk ka vizitor, vendas apo i huaj, apo kalimtar i rastësishëm, që e viziton Trieshin, pa u ndalur pikërisht këtu, ku ka çfarë të shohë syri dhe të kënaqet shpirti.
Fshati Delaj, ashtu si e gjithë kjo krahinë shqiptare që kufizohet me shtetin amë (tokën mëmë), identifikohet me gurin nga i cili janë ndërtuar shtëpi, saranxha, kroje, ledhe të ngritura në buzë të arave dhe rrugës. Si rezultat i kësaj, Delajt lindën mjeshtra të gdhendjes (skalitjes) së gurëve, të cilët u dalluan si gurgdhendësit më të njohur jo vetëm në këtë rajon, por edhe më gjerë.
Askund në botë nuk është gjithçka perfekte dhe pa të meta. E njëjta gjë ndodh edhe me Trieshin. Kur hymë në Triesh, gjëja e parë që vumë re ishte heshtja. Nuk kishte fëmijë që luanin dhe bërtisnin me zë të lartë, nuk kishte të rritur që flisnin, qeshnin, punonin në fusha, as nuk kishte zhurma që dëgjonim shumë vite më parë. Prandaj, plaga më e rëndë e Trieshit është migrimi dhe emigrimi i bijve dhe bijave të tij, të cilët në fillim të viteve 1970, për shkak të rrethanave të kohës, migruan dhe emigruan në qytete dhe vende të ndryshme të botës.
Kjo boshatisje e madhe e fshatrave, e cila ka mbyllur shumë shtëpi të këtushme, një pjesë e të cilave janë rrënoja, ishte shqetësimi ynë më i madh. Nuk mund të mos ndihesh keq për këtë heshtje që e ka mbuluar dhe mbytur Trieshin për kaq shumë vite.
Të shqetësuar për këtë heshtje, vendosëm të kthehemi. Gjatë rrugës së kthimit, kaluam pranë Kishës “Zoja Rruzare”, Qendrës së Kulturës “Besa”, shkollës fillore “Gjergj Kastrioti –Skënderbeu” dhe Kishës së Shën Nikollës në fshatin Rudinë, në dalje të Trieshit. Ndaluam për drekë në një restorant të vogël, por shumë të veçantë, “Këngë e vjetër”. Pronari i restorantit, Martin Cacaj, i gëzuar na mirëpriti me ngrohtësi. Na ofroi menynë (listën e ushqimeve). Ne u përcaktuam për ushqimet dhe pijet tradicionale nga Trieshi, të cilat janë tepër të shijshme, të freskëta dhe organike.
Ne donim të qëndronim më gjatë në Triesh, por u kthyem pasdite, duke dashur ta vizitojmë përsëri. Sepse vendlindja të thërret dhe të pret të kthehesh tek ajo si dallëndyshet në foletë e tyre.

Të fundit

më të lexuarat