Të njohimvetën dhe të tjerët përmesudhëtimeve

Pse duhet të udhëtoj? Një pyetje që shumë herë përpara se të filloja udhëtimet ia kam bërë vetes. Të them të drejtën, shumica e përgjigjeve që i kam dhënë vetes lidhur me këtë pyetje në fillim nuk kanë qënë në favor që të filloja udhëtimet. Tash që i kujtoj disa prej tyre më vjen të qesh: pritesa, të hollat, organizimi, frika nga e panjohura (vend i ri, njerëzit, kulturat tjera) e shumë arsye të tjera. Besoj që natyra e njeriut është të zbulojë shtigje të panjohura, si brenda tij ashtu edhe përreth. Unë mund të qëndroj në cepin tim të vogël, ose mund të përjetoj miliona mënyra të tjera për të jetuar jetën time. Përvojat vërtetë autentike të udhëtimit hapin mendjen ndaj mundësive të pafundme të jetës. Udhëtimi më lejon të heq dorë nga injoranca dhe paragjykimet dhe të gjej gjuhën e përbashkët me njerëz që mund të duken se janë shumë të ndryshëm nga unë. Kur eksploroj vende të tjera, filloj të kuptoj pse njerëzit atje bëjnë gjëra të caktuara ose veprojnë në mënyra të caktuara.
Çdo udhëtim që mora përsipër deri tani më mësoi diçka më shumë për veten. Aftësitë organizative u vendosën në sprovë ndërsa përpiqesha të gjeja mënyrën se si të shfrytëzoj sa më shumë kohën në një vend të ri. E di, sfida paraqesin edhe pyetjet të llojit: ku do të flija ose si do të përdor transportin në qytete të reja? Por më besoni, nuk ka ndjesi që mund të krahasohet me atë kur t’i dëshmoni vetes se mund të përballoni gjithçka. Kam lexuar libra, shikuar filma. Edhe ato në një mënyrë të hapin horizontin dhe imagjinatën, por në qoftë se e le botën vetëm me kaq, me përshkrime dhe pamje nga të tjerët, i mohoj vetes ta shof botën përmes syve të mi. Udhëtimi të lejon të jetosh momentin tani. Gjersa udhëton nuk ke kohë të mendosh për të kaluarën apo të ardhmën, jeton momentin, shijon ushqimin, kohën me një mik të ri, mëson një informacion të ri, gjuhë, kulturë. Në njërën anë, udhëtimi më lejon të jem përgjëgjese kryesore për vendimet që marr: dua të provoj parashutin, të rri gjithë natën zgjuar dhe të shikoj yjet, të kënaqëm në momentin. Në fund të fundit, kush më ndal?!
Jeta është e shkurtër, dilni nga ajo kornizë e ngrirë, nga zona e komfortit tuaj, sepse në fund mund të pendohemi për gjërat që si kemi parë përtej asaj kornize. Dua ta mbyll këtë shkrim me një thenie: Udhëto se paratë kthehen, koha jo!

Donika Lulgjuraj

Të fundit

më të lexuarat