Ta njohim më mirë – për ta dashur më shumë Malësinë

Javën që shkoi IP Shkolla Fillore ”Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” në Triesh, kremtoi Ditën e shkollës dhe njëherë shënoi dhe një përvjetor të suksesshëm të punës dhe veprimtarisë së saj duke organizuar piknik – shëtitje jashtë ambientit të përditshëm shkollor me moton “Ta njohim më mirë – për ta dashur më shumë Malësinë”, me qëllim që nxënësit t’i zgjerojnë dituritë e panoramës së saj duke filluar nga zona më e lartë, vendndodhja Trieshi, ku ata çdo ditë falë stafit të zellshëm e entuziastë drejtues e pedagogjik pajisen me bazat e edukimit dhe të arsimimit. Tempull ky i diturisë që në vazhdimësi vepron dhe mbijeton mbi një shekull – 135 vjet.
Në vazhdën e këtij aktiviteti ata shënuan dhe 1 Qershorin – Ditën botërore të fëmijëve.
Në kuadër të programit për vizitat e nxënësve jashtë shkollës, ata fillimisht i bënë vizitë Qendrës Kulturore-Informative në Tuz, ku drejtori i saj tejet mikpritës, Vasel Berishaj me shumë dashamirësi i mirëpriti dhe i njoftoi nxënësit dhe kolektivin e shkollës me veprimtarinë e larmishme të kësaj qendre kulturore e cila, pos tjerave, ka në fokus zhvillimin, organizimin, promovimin dhe kultivimin e dashurisë dhe krijimin e shprehive ndaj vlerave të trashëgimisë kulturore të arteve të bukura e në veçanti të artit skenik dhe teatral.
Më pas pasoi vizita e skenës verore në Vitojë e njohur për mbajtjen e festivaleve mbarëkombëtar folklorike, kurse nxënësit u njohën me të dhëna mbi Liqenin e Shkodrës, karakteristikat e përgjithshme, në veçanti mbi florën, faunën, ekosistemet e zonës dhe mbi aktivitetet ujore sportive.
Vizita e radhës ishte në Selisht të Grudës, vendvrojtim i mrekullueshëm, nga ku vërehet panorama e Malësisë ku nxënësit shfaqën edhe programin festiv dedikuar Ditës së shkollës dhe 1 Qershorit.
Duke iu drejtuar nxënësve, mësimdhënësve dhe të gjithë të pranishmëve, drejtori Leon Gjuravçaj theksoi se ndihet i lumtur, sepse në atmosferë më se të hareshme e të gëzueshme shënojmë edhe një përvjetor të suksesshëm të shkollës. Ne si institucion – tha ai, vazhdojmë t’u njohim me bukuritë e shumta natyrore, historinë e bujshme të Malësisë, pra me monumentet historike, figurat më madhështore të saj ashtu siç edhe na detyrojnë plan-programet mësimore, pastaj me institucionet kulturore e arsimore të Komunës së Tuzit.
Ky piknik, po ashtu, mbi të gjitha ka karakter argëtues, pra dëfryes ku të gjithë nxënësit e shkollës amë shoqërohen me nxënësit e paraleleve Rudinë e Cem i Trieshit. Gjuravçaj, më tej theksoi se çdo institucion shkollor ka motiv parësor: më shumë punë, më shumë angazhim, më shume rezultate. Gjatë këtij viti shkollor kemi realizuar me sukses procesin mësimor, janë zhvilluar shumë aktivitete shkollore e jashtëshkollore, si dhe janë realizuar një sërë takimesh me institucione relevante që kanë të bëjnë në rritjen e cilësisë së procesit mësimor dhe të veprimtarisë shkollore. Në të ardhmen e afërt presim të realizojmë edhe projekte të tjera.
Dëshiroj – tha Gjuravçaj, që këtë ditë nga Selishti legjendar (nga krahu i Sukës së Grudës), pikërisht nga ky park i bukur, funksional e ambient kaq madhështor ku sot gjendemi, që bashkëvendasve të vetë dhe mbarë Malësisë ia ka dhuruar humanisti i mirënjohur këtu dhe në diasporë zotëri Mark Nikollë Pjetrushi Lulgjuraj me banim në SHBA, i cili njëherazi është edhe sponsor i kësaj pritjeje solemne të sotme në vendlindjen e tij me dëshirë që këtë takim e shoqërim ta kalojmë sa më bukur, me sofër bujare, të begatë e në atmosferë të këndshme, për çka përzemërsisht e falënderoj në emër të nxënësve, kolektivit të shkollës ”Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, si dhe në emrin tim personal, duke i dëshiruar gjithë të mirat dhe suksese në misionin humanitar.
Drejtori Gjuravçaj falënderoi Kolën Lulgjuraj, veprimtarin e njohur dhe ish-nxënësin e shkollës së Trieshit, i cili ishte në rolin e nikoqirit për mikpritje e shoqërim të ngrohtë, ku përmes tij përshëndeti të gjithë selishjanët në vendlindje dhe në diasporë, sepse veprat e tyre nëpër etapa të ndryshme historike e kohore na nderojnë, obligojnë dhe na mësojnë për të çmuar besën e burrërinë: vlerat, cilësitë, virtytet morale, njerëzore e shoqërore.
Faleminderit të dashur nxënës për angazhim në procesin mësimor, aktivitete shkollore, mirësjellje e disiplinë korrekte. Faleminderit kolektiv punues, kolege e kolegë për mësimdhënie cilësore, për raport kolegial dhe bashkëpunim korrekt, tha në fund drejtori i shkollës Gjuravçaj.
Në atmosferë tejet të hareshme dhe me tingujt e muzikës argëtuese dhe tradicionale u mbyll ky piknik njëditor i mirëorganizuar.

Donika Lulgjuraj

Të fundit

më të lexuarat