
Në Lund mbërrita në një mëngjes të qetë nordik, kur ajri mbante ende freskinë e natës dhe biçikletat kalonin shpejt nëpër rrugicat me kalldrëm. Qyteti më priti pa zhurmë, por me një qetësi të ngrohtë, që të mbush me siguri se je në një vend ku koha ec pa ritëm. Nuk kishte trafik të zhurmshëm, as ritëm të çmendur metropolitan. Lund-i dukej sikur thoshte: “Ngadalëso, shijo, merr frymë”.
Hapi i parë më çoi drejt katedrales romane të shekullit XII, që qëndron madhështore në zemër të qytetit. Lunds Domkyrka është më shumë se një ndërtesë – është monumenti që i ka dhënë identitet qytetit për shekuj. Ndërtuar me gur gri e të ftohtë, katedralja të imponon respekt qysh nga larg. Brenda saj, ndër dritaret gotike dhe kolonat e skalitura, ndalova para orës astronomike të shekullit XV, një kryevepër e mekanikës mesjetare. Kur kukullat lëvizën dhe tingujt mesjetarë mbushën hapësirën, gjithë salla heshti. Për një çast, ndjeva sikur u ktheva pesëqind vjet pas. Në kriptën e saj të errët, mes kolonave të trasha, më pushtoi ndjesia e një solemniteti të thellë – sikur koha këtu nuk ecën, por vetëm rri dhe të vështron.
Duke dalë nga katedralja, u nisa drejt Kulturen, një muze i hapur që ngjan si një fshat i vjetër brenda qytetit. Rrugicat e ngushta të muzeut të çojnë drejt shtëpive prej druri, mullinjve të erës dhe punishteve të dikurshme. Era e drurit të vjetër dhe tingujt e veglave të ekspozuara të bëjnë të imagjinosh jetën e thjeshtë të suedezëve shekuj më parë. Në një tjetër kënd, Muzeu Historik ekspozon zbukurime vikinge, armë të shekujve mesjetarë dhe mbetje arkeologjike që tregojnë sa e thellë është rrënja e këtij qyteti. Çdo objekt aty flet, çdo vitrinë është një kapitull i historisë nordike.
Por Lundi nuk është vetëm e shkuara. Është edhe një qytet që frymon me rini. Në Universitetin e Lundit, një nga më prestigjiozët në Evropë, ndjeva energjinë e një qyteti që nuk rri kurrë i heshtur. Kampusi i gjelbër, auditorët historikë dhe biblioteka e mbuluar me hardhi janë skena ku dijet dhe idetë e reja rriten çdo ditë. Studentët, të ardhur nga e gjithë bota, e kthejnë qytetin në një mozaik kulturash dhe gjuhësh. Në kafene të vogla, dëgjon anglisht, frëngjisht, spanjisht, por edhe gjuhë të panjohura që e bëjnë Lundin një botë të vogël më vete.
Pasdite, Lund-i merr një tjetër ritëm. Në sheshin qendror, tregtarët shesin fruta dhe produkte vendi. Banorët ecin qetë me qeset e tyre, ndërsa fëmijët luajnë nëpër rrugicat pa makina. Çdo kënd të fton të ndalesh: një kafene me aromë kafeje të freskët, një dyqan librash të përdorur, një rrugicë që të çon drejt një oborri të fshehur me lule.
Vizita ime më çoj edhe në Kopshtin Botanik (Botaniska Trädgården), një oaz i gjelbër me mbi 7000 lloje bimësh nga e gjithë bota. Ishte një përvojë e qetë, ku njerëzit lexonin libra mbi barin e gjelbër ose fotografonin petalet e rralla. Lundi, edhe këtu, më mësoi të shihja natyrën me sy më të ngadalshëm.
Kur dielli perëndon, Lundi ndizet ngadalë. Dritaret e shtëpive ndriçohen me qirinj e llamba të ngrohta, duke krijuar atmosferën intime tipike skandinave. Nëpër rrugica, zërat e studentëve dëgjohen mes të qeshurave, ndërsa kambanat e katedrales bien dhe rikujtojnë se historia është ende aty, vigjilente.
Në Lund, ndihesh njëkohësisht i vogël përballë shekujve të historisë, por edhe pjesë e një të tashmeje të gjallë e rinore. Është një qytet që nuk të mbingarkon me madhështi, por të fton të ecësh ngadalë, të ulesh, të sodisësh, të bisedosh. Një qytet ku mund të shohësh një orë të lashtë që ende punon dhe të kuptosh se koha, në fakt, këtu matet me zemër.
