Në një mëngjes të kthjellët maji, në një livadh të gjerë në fshatin Dushiq të Malësisë, takova Pretash Sinishtajn – një ndër blegtorët më të mëdhenj në këtë trevë. I rrethuar nga tufa e tij e madhe e deleve, ai më priti me qetësinë e njeriut që e njeh mirë ritmin e natyrës. Fillon të rrëfejë për jetën e tij të përditshme, përkatësisht për një jetë të tërë me bagëtinë.
Ky blegtor nga një zonë malore e Tuzit, e nisi këtë rrugë që pas kthimit nga ushtria. I shtyrë nga vështirësitë ekonomike të kohës, ai zgjodhi blegtorinë jo vetëm si mënyrë jetese, por si trashëgimi familjare.
“Kështu kemi jetuar brez pas brezi”, thotë ai. “Në këtë shtëpi gjithmonë është kujdesur dikush për gjënë e gjallë.”
Sot, pas më shumë se 50 vitesh, puna e tij nuk ka pushuar. Me mbi 400 dele e qengja, 360 dhi e kecër dhe një numër të konsiderueshëm lopësh, Sinishtaj është ndër blegtorët më të mëdhenj në Malësi. Stalla e tij ndodhet jo larg shtëpisë dhe çdo mëngjes e nis herët, në natyrë, duke u përkujdesur për tufat.
Ai rrëfen mbi pasionin dhe sfidat duke thënë se ai nuk ndien lodhje, sepse këtë punë e ka bërë gjithmonë me dëshirë.
I gjithë angazhimi i tij është familjar – të gjithë janë përfshirë në këtë zanat. Por ai nuk e fsheh se koha ka ndryshuar. Blegtoria, sipas tij, nuk i tërheqë më të rinjtë.
“Është për të ardhur keq, sepse pa ushqim s’ka jetë. Sidomos pa ushqim të pastër, bio.”
Ai shpreh shqetësim për mungesën e mbështetjes institucionale, sidomos për të rinjtë që mund të ishin motivuar me subvencione të qëndrueshme.
Ndihmat e deritanishme nga Ministria e Bujqësisë dhe Komuna e Tuzit kanë qenë të mirëpritura, por, siç thotë, duket se po ndërpriten. Dhe kjo për të është alarm për të ardhmen e Malësisë.
Përveç vështirësive ekonomike, blegtoria ka sfida natyrore: grabitqarët si ujku, që herë pas here sjellin dëme. Megjithatë, ai arrin t’i përballojë falë një tregu të krijuar ndër vite – ku produktet e tij, si qumështi apo mishi, janë të kërkuara dhe të garantuara për shitje.
Në fund të bisedës, ai bën thirrje të drejtpërdrejtë: “Të rinjtë duhet të mbështeten, që të mos ikin. Duhet t’u jepet shtysë që të jetojnë në vendin e vet.”
Ai beson se Malësia ka potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim të qëndrueshëm, si në bujqësi ashtu edhe në blegtori – mjafton që institucionet mos t’i harrojnë njerëzit e punës.
“Ne kemi tokën, klimën, traditën. Na duhet vetëm pak vëmendje.”
Përmes zërit të Pretash Sinishtajt nuk flet vetëm një blegtor me përvojë, por një brez i tërë që ka jetuar në harmoni me natyrën, me tokën dhe me bagëtinë. Ky është një zë që vjen nga rrënjët e Malësisë – nga një mënyrë jetese që nuk është vetëm nostalgji, por mundësi reale për zhvillim të qëndrueshëm. Nëse institucionet, shoqëria dhe brezat e rinj arrijnë ta dëgjojnë me vëmendje këtë zë, atëherë mund të ndërtohet një e ardhme ku tradita dhe përparimi ecin bashkë, dhe ku toka nuk mbetet e zbrazët, por e gjallëruar nga duart e njerëzve që e duan dhe e punojnë atë.
t. u.