Një vend mahnitës me bukuri të rralla natyrore

Largohemi nga kjo bjeshkë e bukur e cila në çdo moment të lë mbresa të këndshme dhe me shpresën që edhe Korita që sot është një vend jashtëzakonisht i bukur dhe tërheqës turistik, të zhvillohet më shumë përmes investimeve përkatëse, me synim që kjo bjeshkë e cila disponon një potencial të jashtëzakonshëm natyror, të bëhet një vend i vërtetë turistik që do të mund të ishte e frekuentuar si gjatë stinës së verës, ashtu edhe përgjatë sezonit dimëror, për t’u bërë një vend në të cilin do të mund të zhvillohej turizmi i mirëfilltë

Bjeshka e Koritës e pozicionuar afro dyzet kilometra nga kryeqendra e Malësisë- Tuzi, është një vend jashtëzakonisht i bukur dhe tërheqës për të gjithë ata të cilët kanë pasur rastin që ta vizitojnë, qoftë edhe një herë të vetme.
Kjo bjeshkë për vendësit por edhe për vizitorët e rastit konsiderohet si një perlë natyrore, me peizazhe tërheqëse, ajër të pastër dhe të freskët, natyrë përrallore e cila rrethohet nga pyje të dendur që sjellin freski dhe rehati si rrallë ndonjë vend bjeshkor.
Korita nga viti në vit bëhet gjithnjë e më tërheqëse si për vizitorët e shumtë të cilët pothuajse në çdo fundjavë i kalojnë disa orë në këtë bjeshkë të bukur, por edhe për shumë të tjerë të cilët ndërtojnë shtëpi në këtë bjeshkë, vit pas viti.
Korita preferohet shumë më tepër gjatë stinës së verës, për vetë faktin se nga viti në vit, aty shtohet numri i shtëpive dhe staneve të reja dhe sot pothuajse kjo bjeshkë ngjason në një qytet të vogël të urbanizuar me dhjetëra shtëpi të përmasave dhe modeleve të ndryshme që e bëjnë këtë vend akoma edhe më të admiruar.
Këtë e dëshmon edhe numri i banorëve të cilët në një masë mjaftë të madhe i hasëm një javë më parë nëpër rrugë, nëpër oborret e tyre duke punuar e shijuar këtë bjeshkë unike në mënyra nga më të ndryshmet. Dikush teksa bënte skarë në oborr, disa të tjerë ngisnin biçikletat dhe vraponin, e shumë të tjerë duke punuar nëpër pronat e tyre.
Korita, përveçse e admirueshme tejmase për vizitorët e përkohshëm, ajo ofron një pasuri tjetër natyrore që është natyra unike që posedon, të cilën shumë familje e shfrytëzojnë për kullosa të bagëtive gjatë gjithë sezonit veror, përkatësisht nga fillimi i muajit qershor e deri në fund të gushtit apo fillim të shtatorit.
Ajri i pastër, freskia dhe natyra përrallore, janë vetëm disa nga arsyet të cilat bëjnë që ta vizitosh këtë vend i cili bën që të ndihesh shpirtërisht mirë, i çliruar nga stresi i përditshmërisë që ka secili nga ne, dhe duket sikur je në një “planet” tjetër, larg rutinës së përditshme dhe zhurmave të qytetit.
Nëse edhe ju dëshironi që të kaloni një ditë ose më shumë ditë pushimi me familje, shoqëri ose kolegë, nuk do të pendoheni, pasi këtu vërtetë do ta kaloni një pjesë të kohës që nuk e hasni çdo ditë, një natyrë të virgjër e peizazhe mahnitëse të cilat ta kënaqin syrin.
Kujtojmë se në këtë bjeshkë, thuajse çdo vit është organizuar dhe vazhdon që të organizohet manifestimi kulturor dhe tradicional “Mis Bjeshka” të cilin e ka iniciuar dhe organizuar SHKA “Besa” nga Trieshi, aktivitet kulturor i cili ka tërhequr një numër relativisht të madh të publikut si vendas ashtu edhe të bashkatdhetarëve të cilët jetojnë nëpër vise të ndryshme të botës. Ky manifestim, ashtu siç kanë paralajmëruar organizatorët, pritet të vazhdojë edhe këtë vit, më datë 3 gusht 2024.
Largohemi nga kjo bjeshkë e bukur e cila në çdo moment të lë mbresa të këndshme dhe me shpresën që edhe Korita e cila është një vend jashtëzakonisht i bukur dhe tërheqës turistik, të zhvillohet më shumë përmes investimeve përkatëse, me synim që kjo bjeshkë e cila disponon me një potencial të jashtëzakonshëm natyror, të bëhet një vend i vërtetë turistik që do të mund të ishte i frekuentuar si gjatë stinës së verës, ashtu edhe përgjatë sezonit dimëror, për t’u bërë një vend në të cilin do të mund të zhvillohej turizmi i mirëfilltë malor.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat