Me të filluar stina e verës u ngritën dukshëm edhe temperaturat të cilat ditëve të fundit janë tropike, jo vetëm tek ne por në pjesën më të madhe të kontinentit evropian e që për fat të keq në disa shtete po sjellin edhe pasoja fatale, zjarre dhe viktima.
Në këto ditë vape ekstreme secili nga ne, në kohë të lirë, apo gjatë pushimit vjetor, zgjedh se si të kalojë më së miri atë hapësirë kohore larg obligimeve rutinë të punës profesionale. Dikush zgjedh që ditët që ka në dispozicion për pushim t’i kalojë diku pranë brigjeve të Detit Adriatik, apo edhe Lumit Cem, kurse ka nga ata që preferojnë t’ia mësyjnë bjeshkëve.
Po të zgjedhësh këtë të fundit për të kaluar një fundjavë, apo qoftë edhe për një ditë të vetme, një alternativë e mirë mund të ishte edhe bjeshka e Koritës, një vend malor jashtëzakonisht i bukur, me një natyrë magjepsëse, ajër të pastër e freski që pak ndonjë vend rural të ofron.
E pozicionuar afro dyzetë kilometra nga kryeqyteti Podgorica. Korita (territor i Komunës së Tuzit) ndër vite është bërë vend gjithnjë e me tërheqës dhe më i frekuentuar, si për vizitorët (turistët) vendas dhe të huaj, ashtu edhe për ata të cilët verojnë atje gjatë gjithë stinës së verës, që kanë pronat dhe stanet e tyre.
Korita, përveçëse e admirueshme tejmase për vizitorë të përkohshëm, ajo ofron një pasuri tjetër natyrore që është natyra unike që posedon, të cilën shumë familje e shfrytëzojnë për kullosa të bagëtive.
Korita, viteve të fundit, përkatësisht gjatë pesë viteve të fundit ose më pak, është bëre një vend atraktiv, i shndërruar nga një vend që dikur kishte vetëm pak shtëpiza (stane), në një vend thuajse të urbanizuar, me dhjetëra dhe qindra shtëpiza (stane) të konstruksioneve dhe madhësive nga më të ndryshmet të cilat i japin këtij vendi malor një hijeshi, një peizazh gjithnjë e më të bukur e më tërheqës.
Po ta vizitosh një ditë Koritën, të lë mbresa të pashlyeshme përgjatë gjithë javës. Pse? Sepse vetë pozita gjeografike ku Korita ndodhet, ajri i pastër, freskia dhe natyra, bëjnë që të ndihesh shpirtërisht mirë, i çliruar nga stresi i përditshmërisë që ka secili nga ne dhe duket sikur je në një “planet” tjetër, ku nuk të trazon askush dhe asgjë tjetër, përveç ziles së deleve apo lopëve, fyellit të barinjve dhe cicërimës së zogjve.
Kjo bjeshkë gjithnjë e më e populluar e si e tillë edhe e popullarizuar, po zgjon nga dita në ditë interesim të madh për ta vizituar, por edhe për të ndërtuar shtëpiza (stane) për të jetuar përkohësisht.
Prandaj tani e tutje në zonat fushore kemi temperatura gjithnjë në rritje me të nxehtë tropikal, ata që preferojnë natyrën (bjeshkën), një destinacion padyshim i mrekullueshëm do të ishte Korita, ku fare lehtë mund të dalësh nëpër rrugë të reja, të rikonstruktuara nga të dyja anët, qoftë përmes venbanimeve të Trieshit, qoftë rrugës tjetër përmes Kuçit dhe venbanimeve pasuese deri në Koritë.
Nëse vendosni të kaloni një ditë ose më shumë ditë pushimi me familje, shoqëri ose kolegë, nuk do të zhgënjeheni, sepse vërtetë do ta kaloni një pjesë të kohës që nuk e takoni çdo ditë, një natyrë të virgjër e peizazhe mahnitëse të cilat kënaqin syrin dhe bëjnë që të ndjeheni më pozitiv.
Në Koritë një ditë mund të shijosh në mënyra të ndryshme, duke ecur përmes një rruge me pisha të larta e shekullore që nuk i has gjithkund, mund të ngasës biçikletën, të luash futboll, tenis, lojëra të tjera të ndryshme apo edhe të shijosh ushqime skare të cilat mund t’i përgatisësh vetë në skarë vetjake, ose mund të zgjedhësh ushqime të tjera tradicionale të cilat i ofrojnë restorantet e ndërtuara atje.
Korita sot është një vend jashtëzakonisht i bukur dhe tërheqës turistik, edhe pse kërkohen shumë investime në sfera të ndryshme në mënyrë që ky vend me një potencial të jashtëzakonshëm turistik të bëhet pikë e vërtetë turistike e cila do të mund të shfytëzohej si gjatë sezonit veror, ashtu edhe gjatë dimrit, sikurse është Kolashini apo vende të tjera të cilat gëzojnë popullaritetin dhe kushte adekuate për një turizëm të mirëfilltë.
t. u.