Bukuria e Budapestit

Destinacioni ynë i rradhës këtë herë ishte Budapesti. Budapesti është kryeqyteti dhe qyteti më i populluar i Hungarisë. Është qyteti i 9-të më i madh në Bashkimin Evropian për nga popullsia brenda kufijve të qytetit, dhe qyteti i dytë më i madh pranë Lumit Danub. Budapesti tërheq rreth 12 milionë turistë ndërkombëtarë në vit, duke e bërë atë një destinacion shumë popullor në Evropë. Me çfarë ofron nuk është edhe ndonjë çudi e madhe që ka aq vizitorë. Ja çfarë vizituam ne gjatë 3 ditëve tona atje: Parlamentin Hungrarez, Kepucët në Danub ,Bastionin e Peshkatarëve, Kishën e Matiasit, Kishën e Shën Stefanit, Metronë 1, Sheshin e Heronjve, Kalanë e Budës, Syrin e Budës dhe Nju Jork Kafenë.
Parlamenti Hungarez i vendosur përgjatë brigjeve të Danubit – Ndërtesa e Parlamentit Hungarez është një monument tjetër ndër më të njohurit në qytet. Duke e admiruar atë nga larg më herët gjatë ditës, është koha për ta parë nga afër këtë ndërtesë të mrekullueshme. Parlamenti i Budapestit të bën përshtypje falë stilit ekstravagant neo-gotik dhe përmasave të mëdha. Është ndërtesa e tretë më e madhe e parlamentit në botë, diçka që vërtetë nuk mund ta vlerësoni derisa të shfaqet para jush.
Këpucët pranë Danubit – Pranë Parlamentit, do të gjeni këtë memorial. Një koleksion këpucësh metalike në brigje, duke kujtuar ata që u qëlluan dhe u vranë atje gjatë Luftës së Dytë Botërore. Militantët e Kryqit të Shigjetave ishin një parti fashiste që pushtoi qeverinë në mesin e shekullit të 20-të, duke vrarë mijëra dhe duke internuar hebrenjë të panumërt në kampet e përqendrimit. Ndërsa e gjithë periudha ishte një mizori, ky memorial specifik përkujton 3.500 njerëzit e vrarë në këto brigje dhe të humbur në Danub, 800 prej të cilëve ishin hebrenj.
Bastioni i Peshkatarëve – Lehtësisht një nga vendet më të njohura për t’u vizituar në Budapest, është Bastioni i Peshkatarëve. I gjendur pranë skajit verior të distriktit të Kalasë, Bastioni i Peshkatarëve është vendi ku shumica e vizitorëve shkojnë për pamjen e tyre panoramike të qytetit. Ajo që e bën të veçantë është se tarraca e tij është e zbukuruar me frëngji dhe harqe që e bëjnë të duket sikur i përket një përralle. Prisni të shihni shumë njerëz që bëjnë foto në shkallët dhe harqet e tij.
Kisha e Matiasit – Pikërisht përballë Bastionit të Peshkatarëve qëndron një nga kishat më të bukura të Budapestit, Kisha e Matiasit. E themeluar në vitin 1015 nga Mbreti i parë i Hungarisë, kisha ka një pamje të veçantë si brenda ashtu dhe jashtë. Nga jashtë, ju mund të vlerësoni arkitekturën e saj të hollësishme gotike dhe çatinë e bukur me pllaka. Shkoni brenda dhe ngjituni një shkallë, do të shihni tavane të harkuar e magjepsës, një muze që mburret me relike fetare dhe kopje të bizhuterive të kurorës hungareze.
Bazilika e Shën Stefanit – Ne e filluam ditën me një vizitë në Bazilikën e Shën Stefanit. Kjo ndërtesë neoklasike i kushtohet Stefanit – Mbretit të parë të Hungarisë dhe njërit prej shenjtorëve më të njohur të vendit. Në fakt, ju mund të shihni në të vërtetë dorën e djathtë të mumifikuar të Shën Stefanit në relikuarin e bazilikës. Përvoja të tjera të shkëlqyera që mund të keni në Bazilikën e Shën Stefanit përfshijnë ngjitjen në kupolën e bazilikës për disa pamje nga çatia dhe dëgjimin e një koncerti në organo brenda kishës.
Metro 1- Mund të duket e çuditshme të rekomandosh një udhëtim me metro si një aktivitet që nuk duhet humbur, por ka një arsye pse linja Metro 1 është në këtë itinerar të Budapestit. Metro 1 e Budapestit është sistemi i tretë më i vjetër i metrosë nëntokësore në botë dhe vazhdon të funksionojë edhe sot e kësaj dite. Zbrisni në stacionin e tij në Deak Ferenc ter dhe bëni një xhiro me këtë tren metroje të listës së trashëgimisë së UNESCO-s.
Sheshi i Heronjve- Hipni nga Metro 1 në Hosok tere, i njohur si Sheshi i Heronjve. Ky është një nga sheshet kryesore të qytetit falë koleksionit simbolik të monumenteve. Të ndërtuara për të nderuar mijëvjeçarin e shtetit hungarez në 1896, statujat ose përfaqësojnë tema kombëtare ose figura të rëndësishme nga historia hungareze. Në qendër të sheshit është një kolonë me kryeengjëllin Gabriel që mban kurorën e shenjtë të Mbretit të parë të Hungarisë, Shën Stefanit. Rreth bazës së saj janë shtatë krerët e Hungarezëve me kalë. Pas kolonës janë dy kolonada të mëdha me figura më të rëndësishme nga historia e vendit.
Kalaja e Budës – Kjo kala pa dyshim është një nga imazhet më të njohura të kryeqytetit. Kalaja njihet edhe si Pallati Mbretëror, pasi më parë ishte vendi ku jetonin mbretërit hungarezë. Kalaja e Budës është një kështjellë e mrekullueshme dhe një nga simbolet më madhështore të Budapestit dhe Hungarisë, së bashku me Urën e Zinxhirit me të cilën është e lidhur. Në ditët e sotme, Kalaja e Budës strehon Bibliotekën Kombëtare , Muzeun Historik të Budapestit dhe Galerinë Kombëtare Hungareze. Kalaja imponuese e Budës ndodhet në maje të kodrës dhe ofron një pamje mbresëlënëse panoramike mbi Peshtë dhe Lumin Danub. Pamjet janë shumë të ngjashme me ato nga Bastioni i Peshkatarëve.
Nju Jork Kafe – Është kafeneja më e bukur në botë dhe gjithashtu kafeneja më e dashur në Budapest. Do mahniteteni nga arhihtektura e brendshme e kësaj hapësire. Në të njëjtën kohë, është rënditur edhe tek 10 gjërat më të mira për të bërë në Budapest. Budapesti për këto 3 ditë na la përshtypje mbresëlënëse, aq sa mezi presim të kthehemi përsëri.

Donika Lulgjuraj

Të fundit

më të lexuarat