Kam lindur në SHBA, por jam 100 për qind shqiptare

Këngëtarja amerikane me prindër nga Shqipëria, Ava Max, emri i vërtetë i së cilës është Amanda Koçi, e cila vazhdon të jetë prej disa javësh në vendin e parë në Britaninë e Madhe, Gjermani dhe në të gjithë Evropën dhe po ngjitet me shpejtësi në top- listën amerikane me hitin e saj “Sweet But Psycho”, në një intervistë për mediat londineze tregon udhëtimin e saj drejt suksesit.
“Nuk ka qenë aspak e lehtë. Prindërit e mi u larguan nga Shqipëria në fillim të viteve ’90 dhe përfunduan duke jetuar në një kishë në Paris. Më pas u zhvendosën në Shtetet e Bashkuara, ku dhe u linda unë. Prindërit e mi shitën shtëpinë në Wisconsin për t’u zhvendosur në Los Anxhelos, por edhe atje zhgënjimi ishte shumë i madh. Pas shumë përpjekjesh vendosa lidhjet me producentin Circuit, i cili ka realizuar hitet e Rihanës apo The Weekend etj., i cili vendosi të kujdeset për karrierën time muzikore”, shprehet Ava Max për mediat ndërkombëtare.
Më tej gjatë këtij rrëfimi, 24-vjeçarja deklaron se edhe pse ka lindur në Shtetet e Bashkuara, ajo është krenare për origjinën e saj.
“Jam 100 për qind shqiptare. Dëshiroj të ndihmoj familjen time, miqtë e mi dhe njerëzit në përgjithësi dhe dua të kontribuoj për komunitetin shqiptar kudo që të jem. Do të ishte e jashtëzakonshme që të mbaj një koncert bamirësie atje. Është me shumë rëndësi për mua që të kontribuoj për komunitetin shqiptar”, shprehet këngëtarja shqiptare me famë botërore.

Të fundit

më të lexuarat