Ajo është pa diskutim një nga shqiptaret më të suksesshme në arenën ndërkombëtare.
Me prejardhje nga Qeparoi i Sarandës, por e lindur dhe rritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Amanda Ava Koçi, e njohur artistikisht si Ava Max, u rrit nën dëshirën për t’u marrë me muzikë, ndoshta pa e menduar se një ditë do të bëhej një yll internacional.
Ishte pikërisht viti 2018 kur bota u njoh me talentin e saj, që me këngën debutuese “Sweet but Psycho”, arriti që të godasë fort në zemrat e publikut, duke arritur që kënga e saj të dëgjohet jo më pak se një miliardë herë në atë që njihet si platforma më e madhe e muzikës në botë, “Spotify”.
Sukseset e Ava Max gjatë vitit që lam pas ishin të panumërta. Albumi i saj debutues “Heaven and Hell” i cili doli në shitje është albumi i tretë më i dëgjuar i vitit i një artisteje femër në “Spotify”. Ajo gjithashtu përgjatë gjithë vitit është nominuar në ngjarjet më të mëdha muzikore si “MTV Video Music Awards”, “People’s Choice Music”, dhe “LOS 40 Music Awards”, ku në këtë të fundit u shpërblye edhe me çmim.