Zgjimi i Shqipërisë nga gjumi

Shqiptarët që mbetën jashtë kufijve vazhduan të jenë të pushtuar dhe nën sundimin e tjetrit. Nëse shqiptarët në Shqipëri po ndërtonin shtetin e tyre – në mes të varfërisë së madhe – po ndërtonin diplomacinë e parë shqiptare, ushtrinë, policinë dhe organet e tjera shtetërore, për shqiptarët e tjerë, mjerimi ishte i dyfishtë. Mbi të gjitha, rreziku nga asimilimi ishte shumë agresiv

Mark Lucgjonaj

(vijon nga numri i kaluar)
Në rrëmujën e madhe të luftërave ballkanike – të cilat ishin orkestruar për të shpërbërë shtetin shqiptar – ishin pikërisht intelektualët shqiptarë ata që e ngritën zërin nëpër kancelaritë e Evropës, që kjo masakër, ky gjenocid i orkestruar nga fqinjët, të ndalej.
Kështu, në pushtet erdhi Ahmet Zogu. Me të filloi ngritja e shtetit shqiptar – e Shqipërisë londineze. Prej këtu, fati i shqiptarëve filloi të shkruhej ndaras e ndryshe. Shqiptarët që mbetën jashtë kufijve vazhduan të jenë të pushtuar dhe nën sundimin e tjetrit. Nëse shqiptarët në Shqipëri po ndërtonin shtetin e tyre – në mes të varfërisë së madhe – po ndërtonin diplomacinë e parë shqiptare, ushtrinë, policinë dhe organet e tjera shtetërore, për shqiptarët e tjerë, mjerimi ishte i dyfishtë. Mbi të gjitha, rreziku nga asimilimi ishte shumë agresiv.

Mërgata shqiptare, veçanërisht ajo nga Mali i Zi, ishte motori kryesor i lobimit tek kongresmenë, senatorë e zyrtarë të lartë të Pentagonit. Kjo mërgatë nuk humbi kohë dhe nuk u kursye në asnjë moment për ta bërë luftën për çështjen shqiptare të njohur në gjithë botën. Mbledhje, grumbullime fondesh për lobim dhe për front, darka e protesta të shumta ishin vetëm maja e ajsbergut – pjesa e dukshme e asaj që ishte punuar për dekada në kohët e errëta të komunizmit, kur haptazi shantazhoheshin, përndiqeshin e madje edhe vriteshin nga shërbimet sekrete, si ato jugosllave, ashtu edhe ato të Partisë Komuniste Shqiptare


Alfabeti i gjuhës shqipe ia doli të shkruhej vetëm në Shqipëri, dhe po ashtu shkolla shqipe ishte mundësi vetëm për shqiptarët e Shqipërisë. Por patriotët shqiptarë dhe intelektualët nuk pushuan së punuari për mbijetesën e kombit, duke vazhduar luftën për ëndrrën e madhe – të lirisë dhe pavarësisë.
Ahmet Zogu do të qëndronte në krye të shtetit shqiptar prej vitit 1920 deri në vitin 1939, në forma të ndryshme të qeverisjes. Ai u rikthye në fron me ndihmën e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, pasi Fan Noli nuk ia doli ta mbante pushtetin pas Revolucionit. Në kohën kur Zogu po ringrinte Shqipërinë nga humnera e errësirës, shqiptarët jashtë Shqipërisë ishin në zjarr. Atje po kryheshin masakra, djegie fshatrash dhe dëbime. U instalua regjimi ushtarak serb, për të nënshtruar, shfarosur dhe asimiluar shqiptarët. Librat shqip dhe shkollat shqipe u ndaluan. Nëse në Shqipëri emrat e mbiemrat po shqipëroheshin, për shqiptarët në Kosovë, Luginë, Maqedoni, Plavë, Guci, Ulqin e Malësi, ata po sllavizoheshin dhe po asimiloheshin. Në ditët e sotme ka përplot shqiptarë anembanë ish-Jugosllavisë, të cilët nuk duan ta kthejnë mbiemrin dhe ta shkruajnë në gjuhën shqipe.
Kolonizimi i tokave shqiptare filloi me vendosjen e serbëve dhe malazezëve, me qëllim ndryshimin e përbërjes etnike. Figurat e rezistencës si Azem Galica dhe Shote Galica (si prijës) u shuan dhe u persekutuan. Kështu, në Shqipëri, libri shqip po hapte petalet e veta, duke arsimuar brezat e rinj, por shqiptarët e tjerë ndodheshin në kushte çnjerëzore. Në Kosovë, libri i parë shqip i botuar ishte “Doktrina e Krishterë” – Gjon Nikollë Kazazi, më 1743, i cili u ndalua. U desh të pritej viti 1945, që të shtypej libri i dytë shqip: Abetarja. Ndërsa më 1953 erdhi edhe libri i parë artistik, “Një fyell ndër male” i Martin Camajt. Në Ulqin, që prej Buzukut (1555) dhe Hafiz Ali Ulqinakut (shek. XIX), u desh të kalonin shumë vite për botimin e një libri shqip. Në Malësi, libri i parë shqip, “Malësori këndon”, u botua nga Gjergj Hasanaj, në vitin 1971. Ndërsa në Guci, Idriz Ulaj, në vitin 1978, botoi përmbledhjen “Këngë popullore nga Gucia”. Kjo pasqyrë është e qartë: prej shpalljes së pavarësisë nuk ka filluar ringritja e kombit, por vetëm ka lindur qeliza ose bërthama e saj – shteti shqiptar, i cili me varfëri të madhe e me vështirësi të shumta, filloi ngritjen nga pluhuri.
Në vitin 1939, Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste, duke krijuar probleme të tjera, ndarje të reja dhe ideologji të panjohura për popullin shqiptar. Italia fashiste dhe Gjermania naziste, pasi pushtuan tokat shqiptare, krijuan një hartë të re për shqiptarët, ku, në këtë kohë, qeveria shqiptare fashiste (e pushtuar) hapi shkolla shqipe në Kosovë dhe në vendet e tjera të banuara me shqiptarë. Filloi një periudhë katërvjeçare me një administratë të re, e cila e njihte gjuhën dhe kombin shqiptar dhe i favorizonte ato. Duke ditur se asnjë pushtues nuk është i mirë dhe as nuk vjen për të shpëtuar ndonjë popull, shqiptarët u munduan të ishin sa më neutralë, por nuk shpëtuan pa u lagur. Jugosllavia ishte e fortë dhe me rrënjë e mbështetje nga Rusia. Lufta e shqiptarëve bashkë me jugosllavët për çlirim nga Gjermania naziste solli në pushtet komunizmin – me program antishqiptar, të përpiluar në Beograd.
Në pushtet erdhi Enver Hoxha. Tashmë, mjerimi për shqiptarët u kthye në makth. Shqiptarët, në tokat e veta autoktone – përfshi edhe Shqipërinë – humbën lirinë e tyre. Të vetmit shqiptarë të lirë ishin përsëri shqiptarët në mërgim. Intelektualizmi shqiptar në Shqipëri u kthye të punonte kundër shqiptarëve. Por qeliza e dritës shqiptare, në gjithë atë katrahurë, u bë Prishtina. Fatmirësisht, ishte Shqipëria ajo e cila – në frymën e saj të fundit, para mbytjes së plotë moniste – dha një dorë të madhe në hapjen e shkollave shqipe në Kosovën e Jugosllavisë. Shqipëria komuniste ndryshoi gjuhën standarde shqipe, duke eliminuar standardin e Elbasanit, të vendosur më përpara. Kosova e përqafoi fuqishëm gjuhën standarde, duke mos u ndarë nga trungu gjuhësor. Në këtë kohë, shqiptarët e Sanxhakut ishin duke u shuar. Brezi i fundit që fliste shqip po vdiste.
Pas rënies së komunizmit, shqiptarët e Shqipërisë ia mësynë Evropës, duke iu bashkuar mërgatës shqiptare, e cila prej dekadash ishte themeluar nga shqiptarët jashtë Shqipërisë. Deportime, vrasje dhe krime antishqiptare ishin kryer nga Jugosllavia, por Shqipëria nuk ishte aty për t’i njohur, për t’i bërtitur dhe për t’i gjykuar.
Mendësia e shqiptarëve në Shqipëri kishte ndryshuar, falë dhunës së egër komuniste të Enver Hoxhës, i cili kishte ushtruar dhunë dhe pastrim intelektual shqiptar. Ata nuk kishin ndjenja patriotike e as atdhetare ndaj shqiptarëve në përgjithësi – e sidomos ndaj shqiptarëve të ngelur në Jugosllavi. Nuk ngurronin t’i quanin jugosllavë. Ata urrenin pothuajse çdo gjë që ishte shqiptare, ngase ajo përfaqësonte komunizmin dhe Enverin. Ndërsa shqiptarët në Jugosllavi, për shkak të mungesës së informacioneve të sakta, e kishin idealizuar Shqipërinë e TVSH-së së Enverit, duke parë atje një udhëheqës dhe një shtet të fortë si çeliku, që kur të nisej në sulm, do t’i shpëtonte shqiptarët.
Shqiptarët nuk njiheshin mes vete, por me shembjen e komunizmit, filloi procesi i rinjohjes. Lufta në Kosovë i vuri shqiptarët në një pozitë të re. Intelektualizmi shqiptar filloi të aktivizohej fuqishëm edhe brenda vendit, në veçanti përmes lobimit të fuqishëm të shqiptarëve të mërgatës, të cilët, përmes mjeteve të shumta, arritën të depërtonin në të gjitha skutat dhe pozitat shtetërore anembanë botës. Kjo ndodhi edhe me vetë shtetin amë të tyre.
Mërgata shqiptare, veçanërisht ajo nga Mali i Zi, ishte motori kryesor i lobimit tek kongresmenë, senatorë e zyrtarë të lartë të Pentagonit. Kjo mërgatë nuk humbi kohë dhe nuk u kursye në asnjë moment për ta bërë luftën për çështjen shqiptare të njohur në gjithë botën. Mbledhje, grumbullime fondesh për lobim dhe për front, darka e protesta të shumta ishin vetëm maja e ajsbergut – pjesa e dukshme e asaj që ishte punuar për dekada në kohët e errëta të komunizmit, kur haptazi shantazhoheshin, përndiqeshin e madje edhe vriteshin nga shërbimet sekrete, si ato jugosllave, ashtu edhe ato të Partisë Komuniste Shqiptare.
Vetë Nënë Tereza u aktivizua për çështjen e Kosovës, dhe porosia e saj drejtuar Presidentit Bill Klinton do të mbetet urata më e shenjtë e kombit shqiptar, sidomos për shqiptarët e Kosovës. Kjo frymë, kjo arterie e gjallë e mërgatës, zgjoi nga gjumi edhe administratën e përgjumur të shtetit të lodhur të Shqipërisë, e cila, në momentet më delikate për Kosovën, u vu në dispozicion – jo ashtu siç do të kishte qenë ideale, por shumë më mirë nga sa në realitet pritej. Kryeministri Pandeli Majko do të mbahet mend si një ndër më të dashurit për shqiptarët, për vetë faktin se nuk u tremb, por veproi si një burrështetas i vërtetë. Shumë gjëra janë thënë për kontributin e tij dhe të patriotëve shqiptarë nga Shqipëria, e shumë të tjera do të dalin në dritë nga historia. Por në thelb, Shqipëria u zgjua nga gjumi.

(vazhdon)

Të fundit

më të lexuarat