Zgjedhjet – formë e luftës së interesit

Zgjedhjet janë formë e luftës politike, e cila në esencë është luftë e interesit. Partitë politike të cilat i paraqesin alternativat në fushatën zgjedhore, së paku në pikëpamje teorike janë përfaqësuese të interesave të ndryshme në një shoqëri

Nikë Gashaj

Si formë themelore e fitimit të pushtetit politik, procesi zgjedhor qysh kaherë ka tërhequr vëmendjen e politikanëve, politologëve, si dhe ekspertëve të tjerë, të cilët nga pikëpamjet e disiplinave të tyre kanë bërë përpjekje për të shpjeguar rëndësinë e tij.
Interesi është pragmatik dhe i kuptueshëm; duhet analizuar përcaktimin e trupit votues dhe të mundësive të ndikimit në përcaktimin politik zgjedhor, me qëllim që ndonjë parti politike, ide ose njerëzit të depërtojnë në plan të parë për të fituar pushtetin politik në shoqërinë përkatëse. Zgjedhjet janë procese të aksionit shoqëror të shkurtër, por me një intensitet të madh, në të cilat reflektohen dhe shumë përcaktorë psikologjikë të aktivitetit njerëzor.
Në analizën e çështjes zgjedhore, ndër të tjera parashtrohen pyetjet: Pse njerëzit përcaktohen në një mënyrë të caktuar? Si formohet përcaktimi politik? Si mund të ndikohet në atë përcaktim?!
Analizat e të dhënave mbi rezultatet e zgjedhjeve në disa vende tregojnë për zgjerimin e pasivitetit të elektoriatit, respektivisht për abstenim. Pyetja për shkaqet e mosinteresimit të tillë lidhet dhe me pyetjen tjetër të interesimit politik. Për t‘u përgjigjur në këto pyetje, është bërë provë për njohjen e veçorive të përgjithshme të ”elektoriatit pasiv”. Andaj, disa autorë në fillim janë kufizuar në analizën e kategorive demografike dhe socio-ekonomike. Natyrisht, interpretimi i rezultateve nuk ka mundur të shmanget nga kategoritë socio-psikologjike. Mirëpo, e tërë kjo akoma nuk ka mjaftuar për t‘u kuptuar pasiviteti politik i qytetarëve.
Sipas autorit A. Kempbel, qytetari pasiv i “vërtetë” është ai i cili nuk voton për shkak të mungesës së motivimit. Rrethanat të cilat kanë të bëjnë me motivacionin janë: në qoftë se zgjidhet dikush i cili nuk do të mund të ndikojë në organin në të cilin zgjidhet, kjo është destimuluese për zgjedhësit. Ky është rasti kur dëshirohet t’i jepet një formë demokratike megjithëqë pushteti është në duart e të tjerëve. Me fjalë të tjera, ka të bëjë me “njeriun e vogël në një politikë të lartë”. Natyrisht, shumica e elektoriatit e vlerëson se kandidati i tillë nuk e ka vendin aty.
Të gjitha këto janë shkaqet lidhur me të ashtuquajturin votim me interes, përkatësisht me daljen në zgjedhje e cila është e kushtëzuar me ndonjë vlerë ose me interes të zgjedhësve. Megjithatë, njerëzit shpesh dalin në zgjedhje jo vetëm për faktin se besojnë që ndonjëra prej alternativave të paraqitura politike ka të bëjë me ta, por thjesht sepse janë të nënshtruar prej një presioni grupor, i cili prej tyre kërkon për ta kryer “detyrimin qytetar (civil)”.
Orientimi zgjedhor është i lidhur ngushtë me pjesëmarrjen zgjedhore. Prandaj, pjesëmarrja e “vërtetë” është e vetmja që mbështetet në perceptimin e mundësisë së veprimit nëpërmjet vendimit zgjedhor për realizimin e nevojava të veta, një pjesëmarrje e tillë në vete tashmë kyçe dhe për orientimin ndaj njërës nga alternativat.
Zgjedhjet janë formë e luftës politike, e cila në esencë është luftë e interesit. Partitë politike të cilat i paraqesin alternativat në fushatën zgjedhore, së paku në pikëpamje teorike janë përfaqësuese të interesave të ndryshme në një shoqëri.
Motivimi i elektoratit është perceptimi proporcional i përputhjes së rolit e qëllimeve të ndonjërës prej partive politike me nevojat e tyre. Sipas profesorit të njohur të psikologjisë politike, Ivan Shiber, orientimi zgjedhor është rezultat i kombinimit të tre faktorëve: ndikimit të “traditës politike” të ndonjë hapësire; traditës “politike” familjare, që nënkupton përcaktimin politik të anëtarëve të familjes, në veçanti në periudhat kritike të zhvillimit të ndonjë shoqërie përkatëse; dhe pozitës personale e familjare socio-ekonomike.
Pozita sociale në një masë të madhe i përcakton nevojat dhe qëndrimet e njeriut, besimin dhe perceptimin e rrethit relevant politik, prandaj dhe llojin dhe drejtimin e aksionit politik, por jo vetëm atë.
Çështja e motivimit është me rëndësi dhe duke marrë parasysh angazhimin e njerëzve në veprimin politik të ndonjë prej organizatave, respektivisht të partive politike. Si të angazhohen njerëzit që të kyçen në veprimin partiak, qoftë si aktivistë në fushatën zgjedhore, apo si anëtarë të ndonjë partie?
Sipas teoricienit të njohur Herberlel, mund të dallohen katër tipa kryesore të motivacionit:
a) Motivacioni qëllimor-racional – Individi hyn në ndonjë parti politike, sepse ka qëndrim pozitiv për propozimin dhe qëllimet e saj. Këtu ka të bëjë me personin racional, i cili pavarësisht dhe në mënyrë kritike e vlerëson politikën e partisë përkatëse dhe në bazë të saj përcaktohet. Ai është një motiv i mirëpritur i përcaktimit politik, por nuk është e sigurt se është dhe i vërtetë e vendimtar, së paku për shumicën e anëtarëve, apo kryesisht për trupin zgjedhor.
b) Motivacioni instrumental-racional – Individi hyn në ndonjë parti politike duke shpresuar se me atë do të ketë ndonjë dobi. Këtu nuk është fjala për atë se politika e përgjithshme dhe aktiviteti i partisë do të shpie kah ndërrimet pozitive, adekuate shoqërore, në kuadër të të cilave do të ndërrohet pozitivisht dhe pozita individuale e qytetarit, vetëm ekskluzivisht që përkatësia në parti politike sjell me vete dhe privilegje përkatëse. Një tip i tillë i motivimit është i shpeshtë.
c) Motivacioni tradicional – Këtu është fjala për rezultatin e socializimit politik në ndonjë mjedis, para së gjithash familjar, i cili krijon qëndrime përkatëse pozitive ndaj ndonjë partie politike. Mund të thuhet se individi politikisht është shpeshherë ashtu siç janë dhe prindërit. Fjala është për një politikë trashëgimtare familjare, e cila i përcakton preferencat politike.
ç) Motivacioni emotiv-afektiv – Ky tip i motivimit mbështetet në përvojat vetjake të individit në lidhje me personat konkretë ose grupet të cilat tashmë janë të kyçura në ndonjë parti politike. Fjala është për ndjenjat pozitive, por dhe për ato negative, të cilat shpien deri te zgjedhjet përkatëse. Shpeshherë përcaktimi politik bëhet për arsye të personaliteteve karizmatike, por dhe varësisht nga ndikimi i personaliteteve të rrethit të drejtpërdrejtë shoqëror të individit, të cilët për të janë me rëndësi (të ashtuquajtur “personalitete referenciale”).
(Autori është politolog dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Duklës)

Të fundit

më të lexuarat