Zemra jonë mes dy flamujve

Shqetësimi për Amerikën lidhet ngushtë me shqetësimin për vendlindjen tonë. Sepse ishte pikërisht Amerika që na dha frymë kur kërkonim oksigjen, që na dha shpresë kur na mungonte drita. Prandaj, kur themi se jemi të shqetësuar për situatën në të, nuk po flasim si kritikë të saj, por si bij të një dashurie të dyfishtë, flasim si një zemër që ka në mendjen e saj dy flamuj

Haxhi Zeneli

Kur e kaluara takohet me të tashmen dhe fillon të na shqetësojë, në mendje na ngjallet një pyetje e vjetër: pse e zgjodhëm Amerikën? Pse morëm rrugën përtej oqeanit dhe nuk qëndruam më afër, si shumë të tjerë: në Gjermani, Francë apo ndonjë “qoshe” tjetër të Evropës që ishte më afër?
Ndoshta sepse Amerika nuk ishte vetëm një vend i rëndomtë. Ishte një ide. Një premtim. Premtimi i një jete ku mendonim se ishte më ndryshe, nuk na frikësonte, ishte diçka ideale, merrje frymë lirisht. Ishte toka ku fjala “liri” dhe “mundësi” nuk ishin thjesht parulla, por me të vërtetë mund të bëheshin realitet me mund, djersë, me qëllim dhe përkushtim. Për ne që vinim nga errësira e diktaturës dhe e persekutimeve, se kush ishim, kjo kishte vlera të shenjta.
Amerika na pranoi. Disa prej nesh kaluan kufij në mënyra që nuk i tregon dot askujt, por arritën me zemër plot shpresë dhe me shumë sakrifica. U përballëm me punë të lodhshme, net pa gjumë, vite pa dokumente, por me durim ndërtuam shtëpi, familje, ndërtuam një jetë të re, jetë që dikush tjetër na e mohoi. Më e rëndësishmja: fëmijët tanë u rritën në një vend ku mund të ëndërronin pa frikë, flisnin pa frikë.
Por vitet kalojnë. Dhe si çdo dashuri e madhe, edhe kjo marrëdhënie me Amerikën nuk është pa plagë. Gjërat kanë ndryshuar, jo gjithçka, por mjaftueshëm për të trazuar zemrën e dikujt që e di ç’do të thotë ta kesh paguar çmimin e lirisë.
Kohët e fundit po dëgjoja me vëmendje intervistën e një gazetareje prestigjioze amerikane, e cila fliste për shqetësimin që ajo kishte, dhe kur e dëgjon, patjetër që edhe ti fillon e mendon për të njëjtën ndjesi, se fryma e lirë që dikur na tërhiqte si magnet është ngushtuar. E ndiejmë këtë në mënyrën si njerëzit flasin, apo më saktë: ata ngurrojnë si të flasin apo nuk flasin.
Frika nga gjykimi, nga etiketimi, nga përjashtimi po rritet. Dhe për ne që kemi jetuar nën regjime ku një fjalë e gabuar të kushtonte dhe cenonte lirinë, kjo ndjenjë për ne është e njohur. Kur një artist sulmohet për një shaka, kur një qytetar ndëshkohet për një opinion, kur një këngëtar anatemohet për një këngë, kujtimet tona na çojnë te një kohë e dhimbshme: televizorët me zë të ulët, librat e fshehur nën kolltuqe për t’i lexuar fshehurazi. Por edhe bisedat që nuk mund t’i bëje kurrë haptazi në publik. Kjo është tronditëse ta ndiesh këtë frymë frike në vendin që na mësoi lirinë e vërtetë, që na mësoi të flisnim hapur dhe pa frikë. Por mos të harrojmë se edhe kjo frymë ka adhuruesit e saj, ata të cilët mendojnë se kanë disa privilegje të caktuara, siç është ajo racore.
Kjo nuk është vetëm një krizë politike apo kulturore. Është një krizë identiteti për Amerikën, por edhe për ne që jetojmë brenda saj. Sepse ne nuk jemi më thjesht mysafirë. Kemi dhënë edhe ne një pjesë të jetës sonë për ta ndërtuar këtë vend me të njëjtën dashuri që do të kishim për atdheun tonë. Edhe këtu kemi gdhendur kujtimet tona, pothuajse një vendlindje e dytë. Dhe kur sheh se vlerat që e bënë të dashur këtë vend për ne sikur po zbehen, atëherë dhimbja bëhet reale.
Por kjo dhimbje është edhe ftesë për reflektim. Por mos të harrojmë historinë e këtij vendi, e cila është ciklike. Ajo ka kaluar periudha të errëta më parë: luftëra civile, ndarje racore, kriza identiteti, skandale politike, por në fund çdoherë është ringritur. Pse? Sepse ky është një vend që, në rrënjë, e ka të ngulitur guximin për t’u përballur me vetveten.
Amerika është ndoshta i vetmi vend që, pas disa dekadave, ndalet dhe e pyet veten me sinqeritet: ku po shkoj unë tani? Kush jemi bërë? Por, tekefundit, çfarë kemi humbur? Çfarë mund të mësojmë nga kjo? Sot bota po kalon nëpër disa periudha tensioni: kulturor, politik, ekonomik. Kështu që kjo ka ndikuar edhe në situatën e Amerikës, që dikujt i duket si lodhje. Por lodhja nuk është rënie. Është moment reflektimi. Dhe pikërisht në këto momente, ajo qëndron më afër shpirtit të saj të vërtetë.
Ne shqiptarët, që e zgjodhëm këtë vend si strehë të dytë, e kuptojmë më mirë se kushdo se çfarë do të thotë liria. Ne e kemi njohur diktaturën, e kemi ndier në frymëmarrje, në fjalën e ndaluar, në heshtjen e detyruar. Prandaj kemi edhe detyrimin moral të kujtojmë se liria nuk është e dhuruar njëherë e përgjithmonë, ajo është diçka që nuk mund të merret si e përhershme, por është një angazhim i përhershëm nëse dëshirojmë ta kemi.
Shqetësimi për Amerikën lidhet ngushtë me shqetësimin për vendlindjen tonë. Sepse ishte pikërisht Amerika që na dha frymë kur kërkonim oksigjen, që na dha shpresë kur na mungonte drita. Prandaj, kur themi se jemi të shqetësuar për situatën në të, nuk po flasim si kritikë ndaj saj, por si bij të një dashurie të dyfishtë, flasim si një zemër që ka në mendjen e saj dy flamuj.
Por mos të keqkuptohemi, Amerika nuk po bie. Ajo po pyet veten. Dhe çdo komb që e ka guximin të pyesë veten me ndershmëri, gjen rrugën për të ecur përpara. Amerika mund të gabojë, por di të mësojë nga gabimet. Sepse është ndërtuar mbi forcën e reflektimit, mbi besimin se çdo e nesërme mund të jetë më e mirë.
Ne, që jemi bërë pjesë e këtij eksperimenti të madh njerëzor, nuk duhet të harrojmë se jemi bashkudhëtarë në këtë rrugëtim. Të qëndrojmë, të punojmë, të flasim, të kontribuojmë, jo vetëm nga mirënjohja, sepse ky vend tashmë na përket. Ai është bërë pjesë e jetës sonë, e identitetit tonë, e fëmijëve tanë, që po i japin kësaj toke ditë pas dite, po japim diçka nga vetvetja, po i dhurojmë edhe gjakun tonë.
Po e ilustroj me zgjedhjet e fundit për kryetar të qytetit më të madh në botë – Nju Jorkut. Ishin dëshmi se Amerika ka ende aftësinë për t’u ringjallur përmes fjalës dhe votës së lirë. Në fillim askush s’e besoi. Por tregoi se ky vend di ta dëgjojë popullin. Sovrani nuk bën dallime race, feje apo origjine; ai e njeh zërin e sinqertë që flet në emër të tij dhe e vendos aty ku ata mendojnë se e ka vendin. Kjo është Amerika, e cila mbetet shembull, por për skeptikët ajo është befasuese. Dhe për këtë, ia vlen të jesh pjesë e saj, me zemrën plot dashuri për të dy flamujt që na rrethojnë ne shqiptarëve.

Të fundit

më të lexuarat