Në orët e vona të mbrëmjes së 7 Nëntorit 2017, pas lajmit të fitores së z. Mark Gjonaj për mandatin e anëtarit të Këshillit të Bashkisë së Nju Jork-ut, rrjetet sociale në internet vërshuan me përgëzimet dhe urimet e shqiptarëve anemban botës duke shprehur krenarinë e tyre për suksesin e radhës së politikanit shqiptar i cili bëri dy herë histori: njëherë duke u zgjedhur anëtari i parë shqiptar i Asamblesë së shtetit të NY në vitin 2012 dhe tani, me 7 Nëntor 2017 duke u zgjedhur anëtar i Këshillit Bashkiak të qytetit të NY
Për Koha Javore: Xheladin Zeneli / Nju Jork
S’ka dyshim se deri më sot, pas ish kongresistit me prejardhje shqiptare, z. Joseph DioGuardi, z. Gjonaj është politikani më i suksesshëm shqiptar në SHBA.Të zgjidhesh Këshilltar i Bashkisë së metropolës dhe qytetit më të njohur në botë është një arritje e rrallë. Të jesh një prej 51 anëtarëve të organit legjislativ të Këshillit Bashkiak të qytetit i cili numëron 8 milion e gjysmë banorë, nuk është diçka që mund të realizohet aq lehtë. Të përfaqësosh një distrikt i cili përbëhet nga 17 lagje të Bronx-it me gjithsejtë rreth 150.000 banorë është një sukses i veçantë.
E gjithë këtë, z. Gjonaj, tashmë një politikan me pesë vite përvojë, i arriti me një punë vetëmohuese, me një pasion e përkushtim serioz për çështjet që preokupojnë bazën e tij zgjedhore, por çka është më e rëndësishme ,çdo herë ai zhvilloi dhe i zbatoi me dinjitet fushatat e tij zgjedhore, posaçërisht fushatën e tij të fundit për anëtar të Këshillit Bashkiak, kur me maturi iu shmang negativitetit, injoroi sulmet dhe ofendimet e kandidatëve rival dhe u përqendrua në zgjidhjen e problemeve thelbësore të zgjedhësve (votuesve) të tij.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “791” të revistës Koha Javore
