
Vitet kalojnë, vlerat jetojnë përgjithnjë…!
Kështu e fillova këtë tekst kushtuar 55-vjetorit të marrëveshjes historike “Besëlidhja e Malësisë”, fjalës së dhënë të pajtimit më 28 qershor 1970, për heqjen e gjakmarrjes në Malësi. Pikërisht, atë ditë, në Tuz u mbajt Kuvendi gjithëpopullor në të cilin morën pjesë përfaqësues të të gjitha vëllazërive në Malësi, prijësit e fiseve, intelektualë dhe përfaqësues të jetës kulturore, politike e shoqërore të kohës, me qëllim arritjen e marrëveshjes dhe Besën e dhënë për ndalimin e gjakmarrjes në territorin e Malësisë.
Kjo ngjarje u përcoll me vëmendje të veçantë nga opinioni i gjerë pasi nisma e inicuar muaj më parë, tashmë u bë realitet, për t’u liruar nga kjo plagë e trashëguar nga brezi në brez dhe e cila i mbijetoi sfidave të kohës për shekuj me radhë pavarësisht pasojave të rënda kudo.
Edhe pse dukuria e gjakmarrjes nuk ishte karakteristikë vetëm e shqiptarëve, por edhe e popujve të tjerë në rajon, ajo mbijetoi më gjatë në rajonet e banuara nga pjesëtarë të popullit tonë. Mirëpo, falë mençurisë së banorëve në këto treva, të udhëhequr nga përfaqësues të vëllazërive, prijësit fetarë, intelektualë dhe autoritete të kohës, të vetëdijshëm për pasojat gjithnjë e më serioze të fenomenit të gjakmarrjes në rrethanat e reja të kohës; punës, shkollimit dhe nevojave të shumta në kushtet e reja të ekzistencës, ata u vetorganizuan dhe me përkushtimin më të madh vepruan në arritjen e pajtimit për zhdukjen e gjakmarrjes dhe dhënien e BESËS përjetësisht.
Në këtë mënyrë, falë qëllimit dhe organizimit të mirë, në aktivitetet e përditshme me përfaqësues të vëllazërive dhe banorëve vendas në të gjitha fshatrat në territorin e Malësisë, u krijuan kushtet për mbajtjen e Kuvendit të gjerë popullor në Tuz, më 28 qershor 1970, duke arritur marrëveshjen civilizuese me rëndësi historike brez pas brezi.
Aq më parë, pasi fjala e dhënë – BESA, u respektua gjatë gjithë këtyre viteve dhe dekadave, jo vetëm në trevën e Malësisë, por kudo që jetojnë bashkëvendësit tanë nëpër botë.
Sot, 55 vjet nga kjo ngjarje e shënuar, marrëveshja e arritur dhe fjala e dhënë është po aq e rëndësishme edhe nga gjeneratat e reja në respektimin e veprës së paraardhësve të vet. Janë shkruar libra të shumtë, artikuj të ndryshëm në gazeta, shfaqje dhe përmbajtje filmike kushtuar kësaj arritjeje të banorëve tonë bujarë dhe largpamës, mençurisë së njerëzve nga këto treva dhe autoritetit të tyre njerëzor, i cili arriti zhdukjen e kësaj pjese të trashëguar nga e kaluara dhe e cila jetoi nëpër shekuj në këto hapësira. Sidomos, edhe nga fakti pasi fenomeni i gjakmarrjes është aktual në treva të shumta edhe sot. Andaj, edhe për këtë arsye, arritja e vitit 1970 në Malësinë tonë, është edhe më domethënëse,
Në disa tekste dhe reagime publike të mëparshme kam paraqitur idenë e shndërrimit të sallës së kinemasë (kino-sallës) së dikurshme të Shtëpisë së Rinisë në Tuz, në Muzeun “Besëlidhja e Malësisë”, ku do të ekspozoheshin shumë materiale arkivore ekzistuese dhe vepra të reja kushtuar kësaj ngjarjeje. Aq më parë, pasi shumë individë, veprimtarë publikë dhe të kulturës, shoqata joqeveritare në vend dhe diasporë, organizojnë rregullisht aktivitete të ndryshme – tryeza të rrumbullakëta, konferenca dhe simpoziume për të shënuar këtë datë, të vetëdijshëm për rëndësinë e BESË-s për brezat e tashëm dhe të ardhshëm.
Po ashtu, themelimi i Çmimit Vjetor për Humanizëm në komunën e Tuzit “Besëlidhja e Malësisë” do të kontribuonte në jetëgjatësinë e Marrëveshjes historike të vitit 1970 dhe, mbi të gjitha, respektin ndaj mençurisë, humanizmit dhe vizionin e paraardhësve tanë, për neve dhe brezat e ardhshëm.
(Autori është politikolog, autor i veprës “Besa – përjetësisht”)
