Veprimet e OZN-ës në territorin e Shestanit kundër interesave të popullit shqiptar në këtë zonë

Hajrullah Hajdari

Shestani është një krahinë me disa vendbanime të vëndosura në mes malit Rumi dhe Liqenit të Shkodrës, e banuar kryesisht me popullsi shqiptare. Kufizohet me Cërmnicën dhe ka qenë derë hyrëse për malazezët, por njëkohësisht fortesë mbrojtëse për depërtimin e tyre drejt Krajës për të plaçkitur e torturuar popullsinë e kësaj ane. Popullsia e kësaj zone kishte lidhje të ngushta familjare me Shkodrën kështu që jeta e tyre, puna, arsimimi e tregtia ishin po ashtu ngusht të lidhura me këtë qytet. Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore në vitin 1941, Kraja dhe Shestani përsëri u bashkuan me Shqipërinë. Ky bashkim nga popullsia e kësaj ane u prit me entuziazëm të madh si rrjedhojë e politikës diskriminuese të shtetit jugosllav ndaj tyre në veçanti, e të gjithë shqiptarëve në Jugosllavi në përgjithësi. Diskriminimi ndaj shqiptarëve kishte arritur ato përmasa saqë te shqiptarët ishte krijuar një bindje se cilido pushtues që do të vijë nuk mund të jetë më i egër ndaj tyre se ai jugosllav. Popullsia e zonës së Shestanit i kishin të freskëta veprimet e formacioneve të armatosura të quajtur “Bjellashi” gjatë viteve 1918-1929, të cilët disa herë kishin djegur e plaçkitur Krajën dhe Shestanin, e sidomos veprimet e tashme të çetnikëve malazezë të cilët po ashtu nën kërcënimin e armëve vidhnin bagëti e sende të tjera duke keqtrajtuar popullsinë e pambrojtur e të pafajshme të kësaj zone. Për këtë arsye popullsia e kësaj zone e pa të arsyeshme që të vetëorganizohen në mbrojtjen e rendit dhe qetësisë në vendin e tyre.

  • Formimi i “Komitetit të Zonës Neutrale të Shestanit”
    Në fillim të muajit gusht të vitit 1941, nga ana e Komisariatit të Lartë në Tokat e Liruara filloi organizimi i pushtetit civil. Sipas këtij organizimi dhe ndarjes territoriale, Shestani bënte pjesë në Komunën e Krajës e organizuar në nënprefekturën e Ulqinit. Në kuadër të këtij organizimi popullsia e fshatrave të Shestanit në fillim të vitit 1942 formoi organizatën për mbrojtjen e kësaj zone e quajtur “Komiteti i Zonës Neutrale të Shestanit”. Përveç ruajtjes së rendit dhe qetësisë, Komiteti ka pasur për detyrë të krijojë kushte më të mira jetësore për popullatën vendore. Si rrjedhojë e vështirësive të krijuara për shkuarjen e shestanasve në tregun e Shkodrës, furnizimi me artikuj ushqimorë dhe shitja e prodhimeve bujqësore ishte vështirësuar shumë duke u sjellur këtyre fshatrave probleme të shumta. Rrjedhimisht detyrë e Komitetit, përveç ruajtjes së rendit dhe qetësisë, ishte mundësimi i tregtisë me Shkodrën dhe kushteve normale për ekzistencë, pra kishte më shumë karakter socialo-ekonomik. Nga ana tjetër, s’duhet mohuar se ky komitet kishte për detyrë të përgatiste popullatën e kësaj ane, meqenëse ishin shqiptarë dhe e flisnin gjuhën shqipe, për bashkimin me Shqipërinë aq më tepër kur flitej se pasi të përfundojë lufta çdo komb a kombësi do të vendosin për fatin e tyre.
    Kryetar i Komitetit u zgjodh Lekë Mark Perkoliqi, i cili më parë kryente detyrën e kryetarit të Komunës së Shestanit. Leka para se të zgjidhej kryetar i komunës kishte punuar në ambasadën franceze në Tiranë dhe kishte njohuri të mjaftueshme për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të këtij komiteti. Ai në deklaratën e dhënë OZN-ës për Qarkun e Cetinës (procesverbal nr.197/18, tetor 1945) kishte deklaruar se kemi menduar se për ne është më mirë të krijojmë lidhje me Shqipërinë, sepse më lehtë do të sigurojmë artikujt e nevojshëm ushqimorl të cilët këtu mungonin dhe prodhimet tona do t’i shitnim më lehtë në Shkodër.
    Gjatë funksionimit të Komitetit situata politike në territorin e fshatrave të Shestanit ishte e qetë. Marrëdhëniet ndërfetare dhe nacionale ishin të mira, çka dokumentohet me faktin se të gjithë jetuan pa asnjë problem të krijuar në mes veti. Në këtë periudhë nuk pati as vrasje e as plaçkitje të popullsisë, përveç vjedhjeve të bagëtive që ndodheshin herë pasë here në malet e Shestanit nga individë apo banda të ndryshme. Ekzistonte rreziku i eskalimit të situatës dhe përfshirjes së lëvizjeve të ndryshme partizane, çetnike apo balliste në këto territore, prandaj për të parandaluar të keqën e mundshme ishte i domosdoshëm formimi i këtij komiteti. Vetë emërtimi i Komitetit tregon se qëllimi kryesor është që kjo zonë të shpallet neutrale në kuptimin se nuk do të mbështesin asnjërën palë të konfliktuara në mes veti, se nuk donin praninë as të partizanëve e as të ballistave e aq më pak të çetnikve të cilët ishin rrezik permanent për popullatën e pasurinë e këtij territori. Megjithatë, sipas një marrëveshjeje të arritur me partizanët në Mikuliq, në vitin 1943, Lekë Perkuliqi kishte lejuar që nëpër malet e Shestanit mund të kalojnë grupe të vogla të partizanëve, çka tregon se Komiteti nuk kishte për qëllim pëngimin e Lëvizjes Nacional-Çlirimtare por donte të siguronte rendin dhe qetësinë për qytetarët e vet.
  • Situata politike, ekonomike dhe arsimore u përmirësua dukshëm
    Edhe gjendja sociale-ekonomike ishte stabile, sepse popullata lirshëm furnizohej dhe i shiste prodhimet e veta në Shkodër. Formimi i këtij komiteti kishte dhënë rezultatet e para edhe në fushën e arsimit. Në verën e vitit 1942, në Shestan dhe Ljare ishin organizuar kurset verore për shkrim e lexim në gjuhën shqipe. Në Ljare, mësuesi Hamdi Gokaj ka pasur 25 fëmijë të rregullt të moshës shkollore të cilët kanë vazhduar mësimet rregullisht prej hapjes e deri në mbylljen e kursit, ndërsa në Shestan mësues ka qenë Vatë Dedaj i cili ka pasë dy kurse: njërin më nxënës të moshës shkollore që numëronte 32 fëmijë të rregullt, dhe tjetrin për të mëdhenjtë që numëronte 10 nxënës të rregullt.
    Për të mbajtur rendin dhe qetësinë, Komiteti duhej të kishte armatimin e duhur. Armë e as armatim në atë kohë në Shestan nuk kishte. Kryetari i komunës dhe anëtarët e këshillit të komunës në kohën e Jugosllavisë së Vjetër nuk kishin pasur leje për bartjen e armëve as për nevoja personale, as për qëllime të mbrojtjes së territorit të komunës. Për këtë arsye Komiteti ishte i detyruar që të kërkonte një sasi armësh në Shkodër. Për këtë qëllim kryetari i Komitetit dërgoi në Shkodër famullitarin Don JakovVreska, por aty nuk gjeti përkrahje. Vreska shkoi në Tiranë ku për nevojat mbrojtëse të Komitetit siguroi 200 pushkë.
    Përkundër rezultateve të arritura në fushën e rendit dhe qetësisë, ku nuk pati asnjë vrasje as të partizanëve, as të çetnikeve apo ballistëve, përkundër gjendjes së durueshme sociale-ekonomike apo rezultateve të arritura në fushën e arsimimit të të rinjve, puna e Komitetit Neutral të Zonës së Shestanit nuk i pëlqeu pushtetit të ri që po instalohej në Mal të Zi e rrjedhimisht edhe në Krajë e Shestan.
  • Anëtarët e Komitetit u përndoqën dhe u arrestuan
    Kur në horizont po dukej mbarimi i luftës dhe ngadhënjimi i partizanëve ndaj okupatorit fashist, në malet e Shestanit po depërtonte Brigada e VI Malazeze e njohur për arrogancën dhe torturat ndaj popullatës vendase. Me ardhjen e kësaj brigade në Shestan duhej të zgjedhëshin këshillat popullore. Sipas deklaratës së Gjon Vuçetiqit dhënë OZN-ës për Qarkun e Tivarit, më 6 qershor 1945 (procesverbal nr.67/13, qershor 1945) edhe pse e kishin kundërshtuar në Këshillin Popullor të Vendit nuk u zgjodhen asnjë nga ata që për katër vjet me sukses kishin mbajtur qetësinë e rendin në të gjithë zonën e Shestanit. Nga ana tjetër, përkundër kundërshtimit të popullsisë, mobilizimi vazhdonte me të madhe kështu që e ardhmja ishte e paqartë. Për këtë arsye një pjesë e madhe e anëtarëve të Komitetit Neutral të Zonës së Shestanit pasi kishin hetuar se po ndiqeshin nga OZN-a dhe disa komunistë vendas, u detyruan të arratisen në mal. Sipas të njëjtës deklaratë, në janar të vitit 1945 këta tetë anëtarë të Komitetit u arratisen në mal: Gjon, Pavle, Vuk, Gjon, Stevo dhe Prenç Vuçetiqi, Nikë dhe Mark Gjonoviq. Të gjithë kishin qëndruar rreth fshatrave të Shestanit në vendet e quajtura “Zana”, “Vidrjak” dhe “Vesir” dhe nga shtëpitë e tyre ishin furnizuar me ushqim. Nuk shkoi shumë dhe gjashtë prej tyre, përveç Gjon dhe Stevo Vuçetiqit, u dorëzuan sekretarit të Këshillit Popullor Vendor Vaso Llukiqit. Këta të dy nuk ishin dorëzuar, sepse kur kishin dashur të dorëzohen të sekretari i Këshillit Popullor të Krajës, kishin kërkuar nga ata që të gënjejnë, gjë të cilën e kanë refezuar dhe përseri u arratisën në mal.
    OZNA-a dhe komunistët e paktë vendorë vepronin me të madhe për të çfuqizuar vendimet e Komitetit të Zonës Neutrale të Shestanit. Më 12 korrik 1945 fillojnë arrestimet e anëtarëve të këtij komiteti, kur u arrestuan Lekë Perkoliqi, Gjon Maleviqi, Kolë Nrekoviqi dhe Vuk Maleviqi, ndërsa më 1 shkurt 1946 u burgos Pjetër Gjokgjuriq dhe më 26 shkurt 1946 Pavle Margjonoviqi.

Të fundit

më të lexuarat