
(vijon nga numri i kaluar)
Vjen një ditë dhe vjen një brez tjetër skulptorësh të rinj, që arsyetojnë për të evidentuar të ndryshmen e që dëshirojnë të jetojnë me modernen, me forma figurative që tejkalojnë tërësisht format e para e të njohura realiste të krijimit monumental mbi Skënderbeun si ekuestrian ashtu dhe shtatoren në këmbë. Ata guxojnë, pasi dëshirojnë të provojnë tjetrën apo të renë që dallon shpesh e panatyrshme, sepse figurat që krijojnë i largohen pasqyrimit të drejtpërdrejtë të natyrës. Ky qëndrim solli në konkursin e Ulqinit bocetin e propozuar nga Sabri Behramaj, i cili është i përbërë nga dy pjesë. Mendoj se komisioni e shquajti si një zgjidhje të veçantë, të patrajtuar më parë në skulpturën shqiptare monumentale dhe e vlerësoi me çmimin e parë, vlerësim që tashmë nuk mund të kontestohet, por që mund të debatohet e të opinionizohet.
Sa e mundur është të pranohet e të shijohet ky trajtim jorealist dhe kjo zgjidhje kompozicionale që i përket po themi parimeve të skulpturës moderne të shfaqura në Evropën e fundshekullit XIX dhe të fillimit XX? Sa origjinal është një trajtim i tillë si në formë dhe në përmbajtje?
Kur në vepër janë bërë bashkë dhe në lartësinë e duhur estetike të gjitha elementet kreative e përbërëse, atëherë është plotësisht e mundur të pranohen trajtime jorealiste edhe kur ato përdoren për të pasqyruar personalitete historike. Dhe kjo ka ndodhur me monumentin portret bust të shtatores së Fan S. Nolit, që ekspozohet në Tiranë, e krijuar nga skulptori i mirënjohur Thoma Thomai Dhamo (1939), pas viteve ‘90. Monumenti u prit me kritika të shumëllojshme. Sot i ka tejkaluar të gjitha. Asaj kohe shënoi fillesën e trajtimit të një skulpture moderne mbi subjektin e personalitetit historik dhe anashkaloi tërësisht mendësitë realiste dhe ato të realizmit socialist.
A mund të themi se është e njëjta situatë me projekt-bocetin e çmimit të parë në Ulqin? Në pika të përgjithshme po, por në pika nevralgjike jo! Krijimi modern i Thoma Thomai Dhamos është i besueshëm pasi rrjedhonte nga puna krijuese e një artisti të formuar qartë e qenësishëm me kulturën moderne figurative evropiane që në vitet ‘50 të formimit të tij në Akademinë e Arkitekturës dhe Dizajnit në Pragë. E ky formim krijimi vijonte çdo ditë në studion e tij edhe në kohën e komunizmit. Të gjitha skulpturat e tij, edhe kur tentojnë të kapërcejnë realizmin etiketohen si të Thoma Thomai Dhamos. E kjo lidhet me qëndrueshmërinë jetike dhe artistike të krijimit individual, që përcakton dinjitetin estetik unik të artistit.
Ndërsa me artistin e ri Behramaj shihet qartë që kemi përballë një përmbajtje dinjitoze, një zgjidhje domethënëse dhe krejt të ndryshme nga ç’kemi parë deri më sot në lidhje me personalitetin e kryetrimit, si dhe në lidhje me veprat e tjera të artistit. Ajo që po shqetëson publikun, ajo që e “penalizon” projektin është forma plastike që ka realizuar idenë e tij. Ajo është një formë plastike e huazuar thuajse nga pak tek gjigantët e ekspresionizmit, abstrakt ekspresionizmit, kubizmit dhe të futurizmit. Kjo formë e huazuar eklektike, përmes skulpturës monumentale, i është veshur kryeheroit dhe luftëtarëve të tij për të sjellë një pamje tjetër të tyre, jo realiste. Dhe në mënyrë të logjikshme kjo formë e huazuar e ka opinionizuar negativisht artistin, sepse sipas tyre, përmbajtja, që nënkupton organizimin e subjektit të monumentit në dy grupe dhe forma plastike apo skulpturore nuk janë “përputhur”, nuk janë bërë bashkë dhe kanë krijuar një atmosferë skulpturore plot thepisje dhe pikëpyetje. Dhe kjo ndodh sepse artisti shqiptar dhe arti figurativ apo pamor në Shqipëri, por edhe në Kosovë nuk i kanë zhvillimet e lëvizjeve moderne të njëkohëshme me ato evropiane e më gjerë. Dhe më e trishtueshmja është se shpeshherë artistët shqiptarë bien në imitime dhe huazime të formave të lëvizjeve moderne evropiane, pa u thelluar në pse-të dhe arsyet e lulëzimit të tyre. Dhe më kryesorja është se këto zhvillime i mungojnë edhe dijeve të publikut shqiptar, i cili nuk është edukuar me to gjatë formimit shkollaresk apo akademik. Ai, publiku ynë, është ushqyer me forma të artit të pasqyrimit të drejtpërdrejtë nga natyra, me ato natyraliste dhe realiste, si dhe format e artit të propagandës dhe për këtë ka çdo të drejtë të shprehet se dëshiron një monument realist e me forma të lexueshme natyraliste, për kryetrimin Skënderbe.
Por, a duhet që këto dëshira ta penalizojnë veprën fituese? Mendoj se jo. Por, a ka te këto dëshira të publikut një fill që të bën të mendosh nëse vepra është dinjitoze ose jo për të pasqyruar figurën legjendare të Skënderbeut? Natyrisht që ka. Dhe bukur e qartë e thotë skulptori Ferid Kola “Mos u ngutni!”.
Forma e huazuar moderne e artistit shqiptar i ka bazamentet e forta, që mund të ecim mbi to duke lexuar e njohur historinë e artit ndërkombëtar. Nëse mendojmë rreth ekspresionizmit, do të zbulojmë se asnjë artist madhor i tij nuk e trajtoi figurën e njohur reale të personalitetit historik, por trajtoi emocione të ndryshme njerëzore. Duhet të pranojmë se artisti shqiptar ka huazuar formë ekspresioniste, e cila lindi në brumin e lëvizjes artistike, që u cilësua ekspresionizmi dhe u shfaq në fillim të shekullit XX. Në skulpturë, ai dallohet nga ekzagjerimi i formave, mënyra se si emocionet manifestohen intensivisht dhe nga refuzimi i realizmit klasik. Në skulpturë, ekspresionizmi nuk kërkonte saktësi estetike, por të përcjellë ndjenja ankthi, dëshpërimi, vuajtjeje ose energjish negative përmes figurave me një dinamizëm të fortë dhe të transformuar.
Vepra “Hakmarrësi” (1914) e skulptorit gjerman Ernst Barlach (1870-1938), është një vepër themelore në skulpturën moderne ekspresioniste, që pasqyron kaosin dhe emocionet e një bote në prag të trazirave (bëhet fjalë për shpërthimin e Luftës së Parë Botërore), intensitetin e thellë emocional dhe eksplorimin e vuajtjeve njerëzore. Artistët ekspresionistë nuk kishin asnjë qëllim për të krijuar me format e tyre të reja imazhe të personaliteteve të njohura historike.
Ernst Barlach “Hakmarrësi” (1914)
Nëse mendojmë rreth figurës madhështore të burrit prej bronzi me titull “Unique Forms of Continuity in Space / Format unike të vazhdimësisë në hapësirë”, të krijuar më 1913 nga Umberto Boccioni (1882-1916), do të shprehemi se arsyeja që u krijua nuk është një çështje që lidhet me personalizimin e figurës historike, as të një artisti si individ, por është çështje historike e zhvillimeve teknologjike në fillim të shekullit XX, si dhe të manifestit të grupit të artistëve futuristë. Ata ritmin e shpejtësisë dhe fuqinë mekanike të teknologjisë së botës moderne, që dukeshin në sfondin e fillimit të atij shekulli dhe të Luftës së Parë Botërore, i kthyen në dinamizëm për të shkatërruar të kaluarën klasike në art dhe në të gjitha aspektet e jetës.
Umberto Boccioni “Format unike të vazhdimësisë në hapësirë” (1913)
Nëse njihemi dhe me kubizmin, që lindi në prag të Luftës së Parë Botërore si një lëvizje artistike që revolucionarizoi artin dhe sfidoi atë tradicional, do të dallojmë se artisti shqiptar ka huazuar segmente të formave kubiste për të realizuar bocetin e tij “Skënderbeu me burrat e Ulqinit”. Mjeshtërit kubistë i përshkruan subjektet e thjeshta të emocionit të përditshëm njerëzor nga këndvështrime të shumëfishta dhe me forma gjeometrike. Veprat e tyre shkaktojnë ndjenja fragmentimi dhe abstraksioni, pasi janë të shkëputura nga perspektiva lineare dhe përshkrimet realiste. Skulptori hungarez Oseph Csaky (1888-1971) ishte një pionier i skulpturës moderne dhe vepra tij kubiste “Autoportreti” (1913) e depersonalizoi pamjen e vet realiste dhe shprehu përmes kubizmit të kristaltë apo purizmit ndjenjat e tij të brendshme. Situatat kubiste e shpëlanë plotësisht përmbajtjen dhe natyrisht askurrë artistët e tij gjigantë nuk i përdorën format e tyre kubiste për të ndërtuar apo krijuar figurën e rëndësishme të personalitetit të njohur historik.
Oseph Csaky “Autoportreti” (1913)
Ndoshta për artistin Behramaj format e huazuara të përdorura një shekull më parë, janë një vetëpohim i tij, është një dëshirë e tij për të provuar ose kopjuar baballarët e modernizmit ekspresiv, kubist dhe futurist? Por kjo ka krijuar një turbullirë në publik, sepse publiku e njeh artistin me skulpturën e tij realiste, tregimtare dhe natyraliste. Kujtojmë veprat e tij bust – të Skënderbeut me një trajtim tradicional, figura shtatore e ulur e Leotrim Ahmetit dhe Zahide Jasharit me një trajtim realisto-natyralist, statuja dhe portrete heronjsh me ndikim kah skulptura e realizmit figurativ natyralist dhe realizmit socialist. Mos ndoshta dhe artisti Behramaj kërkon që përmes formës së huazuar nga ekspresionizmi, futurizmi dhe kubizmi të shkatërrojë mendësitë realiste dhe të realizmit socialist që e kishin ngërthyer më parë edhe krijimtarinë e tij? Krijimi që ai propozoi në konkursin e Ulqinit është krejt i ndryshëm dhe është unik. Artisti e ka “zhveshur” përmbajtjen nga petku realist dhe i ka hedhur sipër rrobën e fragmentizuar të modernizmit klasik të një shekulli më parë. Ndër 17 punimet konkurruese, ai u cilësua një sukses nga komisioni i profesionistëve dhe u vlerësua prej tij me vendin e parë. Kjo tregon se ia ka arritur qëllimit që t’i “largohet” realizmit klasik (tregimtar dhe natyralist) dhe të revolucionarizojë mendësitë e shkuara skulpturore në pasqyrimin e kryetrimit dhe trimave të tij me një veshje të huazuar nga modernizmi klasik.
Kam mendimin se komisioni e vlerësoi përpjekjen e tij, jo thjesht si një përpjekje individuale, por edhe si një skulpturë të re që lind në një kohë të re dhe për një publik të ri. E vlerësoi si një skulpturë, e cila “thyen” mentalitetin e zakonshëm të krijimit ekuestral mbi Skënderbeun.
Në ditët e sotme ky vendim është kthyer në sukses për artistin, i cili ka fituar të drejtën të realizojë përmbajtjen e qenësishme të kryetrimit dhe trimave të vet, përmes formave të huazuara moderne. Ato, gjatë kryerjes së monumentit në përmasat e kërkuara, do ta bëjnë artistin të përballet me kontradiktat e vetvetes mbi origjinalitetin ose jo të formës plastike dhe të pikëpyetjeve se si do t’i superojë ato. Format e huazuara moderne do ta bëjnë të përballet me publikun mohues, por edhe me personalitetin e figurës madhore të Skënderbeut,
Në kohën kur vepra të marrë formën përfundimtare, publiku do të debatojë përsëri, dikush për mirë e dikush për keq, sepse kjo është në natyrën njerëzore, e cila ndërton opinionet, mendësitë, vlerësimet dhe gjykimet, mbështetur në zhvillimet social-kulturore të një komuniteti apo vendi. Kam mendimin se Sabri Behramaj me propozimin e tij skulpturor vendosi të sfidojë kohën e kryerjeve të monumenteve të mëparshme të figurave historike dhe ka marrë përsipër të rrezikojë me figurën më madhore të shqiptarëve – Gjergj Kastriotin – Skënderbeun.
(Fund)
