Vendimet tragjike kundër kombit shqiptar

Pas vitit 1990, as edhe një herë të vetme Evropa nuk kërkoi dekriminalizimin dhe pastrimin e politikës shqiptare nga komunizmi 50-vjeçar! Tridhjetë vjet më pas, ajo padrejtësisht i mban shqiptarët jashtë dyerve (anëtarësimit) të saj, duke u vendosur kushte e stërkushte dhe duke ua kërkuar t’i harrojnë krimet që u janë bërë, ato krime që ajo i ka përkrahur me heshtjen e saj të mbuluar me gjakun shqiptar!

Hajrudin S. Muja

(vijon nga numri i kaluar)
Në Bosnjë “Tigrat” e Arkanit dhe “Shqiponjat e bardha” të Sheshelit, vetëm ndërmjet korrikut dhe gushtit të vitit 1992, me dinamit shembën 430 xhami [Mojzes:2011/173]. Shifrat e dhunimeve seksuale në luftën e Bosnjës e të Kroacisë, vetëm për fazën fillestare, arrijnë ndërmjet 10.000 dhe 12.000 [Newsday, 23. 08. 1992]. Në Srebrenicë ngjau masakra më e madhe pas Luftës së Dytë Botërore, para syve të ndërkombëtarëve, nën komandën supreme të gjeneralit Mlladiq, në të cilën përveç ushtarakëve e paramilitarëve serbë, morën pjesë edhe vullnetarë rusë e grekë! Vetë Serbia e shkarkoi përgjegjësinë se kishte të bënte me këtë masakër, kurse Gjykata Ndërkombëtare e liroi prej fajit. Sa kohë iu desh “Shtëpisë së Madhe” të OKB-së të mendojë nëse mizoria e Srebrenicës në Bosnjë mund të përfshihej në termin “gjenocid”, edhe pse ishte vetë ajo që në Konventën e saj, të mbajtur më 9 dhjetor 1948, e kishte përkufizuar gjenocidin si: “vrasja e të gjithë anëtarëve ose një pjese të grupit (etnik, religjioz, racor) të lokalizuar në një rreth të ngushtë gjeografik” [Akhavan & Jonson:2009/450].
Historitë e gjakut shqiptar, që u raportuan në shtypin francez, u panë si të paverifikuara [Le Monde, 18. 5. 1999]. Ata u treguan të gatshëm për ta konsideruar rastin serb me më shumë mbështetje, ose të paktën me një refuzim për demonizimin e grupit serb! Elita politike franceze i perceptonte raportet si gënjeshtra dhe ekzagjerime në rrëfimin perëndimor të luftës [Le Monde, 13. 5. 1999]. Më i “korruptuari” ishte shtypi politik gjerman që po përdorte “fjalorin e Rajhut të Tretë” për bëmat serbe mbi shqiptarët e Kosovës, të cilat kishin qëllimin e “një komploti botëror kundër popullit serb” [Abazia & Dojab:2017].

Ndonëse shqiptarët janë më evropianë se shumë prej popujve që BE-ja i ka në gjirin e vet, duket sikur në prapaskenë ka lobime brenda institucioneve të saj kundër stabilitetit dhe integrimit të Shqipërisë e Kosovës në BE!? Ndryshe nuk ka si shpjegohet veprimi hipokrit i tyre, që duke qenë të informuar për korruptimin dhe kriminalizimin e politikanëve, mu atyre u kërkojnë reformat e dekriminalizimit


Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, dhjetë vite pas ndërhyrjes së NATO-s, mund të kuptohet si zvarritje e qëllimshme e “rehabilitimit” kohor për të fshirë nga kujtesa krimet dhe gjenocidin serb dhe për të kriminalizuar luftën dhe sakrificën kombëtare të UÇK-së dhe të popullit të Kosovës. Sot, ndonëse NATO-ja është e pranishme në Kosovë, ajo nuk është anëtare e saj! Kosova është lënë jashtë integrimit në Bashkimin Evropian, megjithëse për monedhë shtetërore përdorë euron!
Duke përdorur standarde të dyfishta për integrim dhe duke mos qenë anëtare e BE-së, asaj akoma nuk i është lejuar liberalizimi i vizave, ndonëse prania institucionale diplomatike, ekonomike, financiare dhe juridike e saj në Kosovë është më e madhja në rajon? Për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO (2015) nuk votuan as shtetet që e kanë njohur Kosovën, pa shfajësuar këtu edhe vetë paaftësinë e diplomacisë shqiptare.
Dorën në zemër, në rrafshin historik, por edhe në atë aktual, nuk duhet ta kërkojmë gjithmonë fajin tek të tjerët, sepse edhe vetë ne shqiptarët mbajmë një pjesë të fajit. Ne kemi qenë vazhdimisht të plangosur me përçarje krahinore, fetare, politike. Askush veç interesit vetanak të xhepit nuk na ka detyruar të bëhemi turkofil, grekofil, serbofil, e çka jo! Ne kishim bajraktarë shqiptarë që salutuan osmanlinë deri më 1912, aleancën imperialiste ballkanike deri më 1915, imperializmin austriako-bullgar deri më 1918, falangën kriminale jugosllave deri më 1941, fashizmin italian deri më 1943, nacizmin gjerman deri më 1944, Jugosllavinë komuniste deri më 1990 dhe dhunën shtetërore serbe deri më 2000! Shqiptarët kurrë nuk e kuptuan filozofinë e politikës serbe, se si është sjellë me praninë shqiptare në të kaluarën e largët dhe të afërme: “e blejnë parinë shqiptare në pranverë, e mbjellin në verë, e prejnë në vjeshtë dhe e hanë dimrit” [Bajrami:2004/4].
Shqiptarët nuk ndryshuan as pas viteve ‘90, kur krijuan parti me emra të ndryshëm, ku secili emër tregon sa të përçarë dhe sa të nëpërkëmbur jemi – në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Preshevë e Mal të Zi! Ne nuk kemi një parti ku përfshihen të gjithë shqiptarët, nuk kemi një program kombëtar, një gazetë apo një radio gjithëkombëtare, nuk kemi një ministri të shkencës, të kulturës, të arsimit, të shëndetësisë. Cilindo arkiv të Evropës të hapim, gjejmë emra “gogolësh” shqiptarë që janë shitur për para dhe gabojmë po të mendojmë se sot nuk kemi gogolë të tillë, të cilët shesin patriotizëm, bëjnë politikë gogolësh e diplomaci bizarësh! Kërkojnë ndihmë nga të tjerët, ndërsa janë përçarës të kombit, ikin prej vendit dhe kërkojnë të vijnë të tjerët t’i çlirojnë. Ka pasur e ka prej të tillëve që u pëlqen robëria, sepse në bashkëpunim me robëruesin e kanë qindfishuar pasurinë e tyre [Bajrami:2006]! Evropa i akuzon dhe i këshillon, u vë kushte e stërkushte, por pasojat dhe ndëshkimin padrejtësisht po e vuajnë shqiptarët!

Cilindo arkiv të Evropës të hapim, gjejmë emra “gogolësh” shqiptarë që janë shitur për para dhe gabojmë po të mendojmë se sot nuk kemi gogolë të tillë, të cilët shesin patriotizëm, bëjnë politikë gogolësh e diplomaci bizarësh! Kërkojnë ndihmë nga të tjerët, ndërsa janë përçarës të kombit, ikin prej vendit dhe kërkojnë të vijnë të tjerët t’i çlirojnë


Ndonëse shqiptarët janë më evropianë se shumë prej popujve që BE-ja i ka në gjirin e vet, duket sikur në prapaskenë ka lobime brenda institucioneve të saj kundër stabilitetit dhe integrimit të Shqipërisë e Kosovës në BE!? Ndryshe nuk ka si shpjegohet veprimi hipokrit i tyre, që duke qenë të informuar për korruptimin dhe kriminalizimin e politikanëve, mu atyre u kërkojnë reformat e dekriminalizimit. Pikërisht me këta të korruptuarit bisedon, i toleron dhe i “këshillon”, i njeh dhe i pranon si partnerë, sepse me ata e ka më të lehtë “mirëkuptimin” e njëkohësisht edhe akuzën se nuk ndërtojnë shtetin ligjor, nuk dekriminalizojnë politikën, nuk ndërtojnë shtetin me standard modern shtetformues?!
Pas dyerve të diplomacisë evropiane gjithmonë janë marrë vendime tragjike kundër kombit shqiptar! Për 500 vite i ka nxitur kundër osmanëve, por përherë i ka braktisur dhe nuk i ka ndihmuar! Në fundshekullin XIX dhe fillimshekullin XX, ajo përsëri i braktisi dhe i la vetëm përballë sllavo-greko-ortodoksisë barbare, duke ua lënë atyre duart e lira për t’i dëbuar, plaçkitur, vrarë e masakruar, e njëkohësisht duke bërë me ta pazare të ndyra në dëm të trojeve e të popullit shqiptar!
Ajo i braktisi dhe i la nën çizmen komuniste edhe pas Luftës së Dytë Botërore, edhe pse gjeografikisht i kishte më afër. Pas vitit 1990, as edhe një herë të vetme nuk kërkoi dekriminalizimin dhe pastrimin e politikës shqiptare nga komunizmi 50-vjeçar! Tridhjetë vjet më pas, ajo padrejtësisht i mban shqiptarët jashtë dyerve (anëtarësimit) të saj, duke u vendosur kushte e stërkushte dhe duke ua kërkuar t’i harrojnë krimet që u janë bërë, ato krime që ajo i ka përkrahur me heshtjen e saj të mbuluar me gjakun shqiptar! (Fund)

Të fundit

më të lexuarat