
A mbahet vendi vetëm me kala dhe me muze?
Vitet e fundit është e vërtetë që investimet kulturore në Shqipëri kanë pasur një arritje të mirë në statistikat vendore. Ato tregojnë se numri i vizitorëve të monumenteve të mbrojtura po vizitohet çdo muaj, madje çdo vit e më tepër. Janë kryesisht kalatë dhe shtëpitë tradicionale, por edhe disa kulla, që gëzojnë këtë status të mbrojtjes dhe që për fatin e mirë janë kthyer në muze shtetërorë apo bashkiakë. Vizita nëpër këto ndërtesa të lashta dhe tradicionale po ngjall interesim të madh të grupeve të vizitorëve të huaj, por edhe të grupeve të vizitorëve bashkëvendas, si brenda, ashtu edhe jashtë shtetit.
Është kjo një arritje e mirë dhe ngjall frymë promovuese të kulturës sonë. Për këtë arsye, ku kultura materiale dhe ajo jomateriale i shtrohet vizitorit në pëllëmbë të dorës, mund të konsiderohen pika kyçe të promovimit të vendit, historisë së tij, kulturës së tij dhe jetës shoqërore-ekonomike ndër vite të tij. Në tërë hartën gjeografike të Shqipërisë, vendet ku figurojnë atraksione të tilla kulturore-historike, paraqiten të shpërndara nëpër qytete, por në tërë vendet ku trashëgimia kulturore materiale përbën një potencial të rëndësishëm turistik, janë thjesht ishuj të izoluar që komunikimin social-urban me kontekstin urbanistik-hapësinor e kanë pothuajse artificial.
Edhe arkitektët më të njohur bashkëkohorë ndërkombëtarë janë duke lënë gjurmët e tyre në Tiranë. Fokusi i kryeqytetit po merr përmasa të shprehjeve artistike. Pra, forma të çuditshme ndërtesash që mbijnë dhe gërvishin qiellin duke sfiduar ndonjëherë edhe arsyen dhe logjikën e arkitekturëbërjes
Edhe në vendet ku hapësira urbane ngërthen një vendndodhje më të gjerë urbane, në të cilën shfaqen edhe vlera urbane dhe arkitekturale të trashëgimisë kulturore, duken pak a shumë të lënë mënjanshëm. Gjirokastra dhe Berati, njëra në vitin 2005 e tjetra në vitin 2008, shpallen si Lokalitete të Trashëgimisë Botërore të mbrojtura nga UNESCO. Këto dy qendra me vlera të jashtëzakonshme arkitektonike, urbane, historike, gjeografike, shpirtërore, që së bashku me Parkun Kombëtar të Butrintit, i mbrojtur nga UNESCO që nga viti 1992, mund të thuhet se përbëjnë alfën dhe omegën e identitetit të trashëgimisë kulturore – njëherë përnjëherë – të kulturës materiale të shqiptarëve. Përse? Vetë fakti që janë dy qytete, konkretisht, dy qendra të vjetra historike dhe një lokalitet arkeologjik, të futura në listën e qendrave të vjetra dhe të mbrojtura, ligjërisht të identifikuara si pasuri botërore e trashëgimisë kulturore, paraqesin identitetin shqiptar të ndërlidhur drejtpërdrejt me qendrat e tjera historike botërore. Pra, qytete me qendra historike të barasvlershme me të gjitha qytetet e tjera botërore që kanë statusin e njëjtë mbrojtës. Kjo është përparësi e jashtëzakonshme për kulturën tonë dhe një potencial i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit kulturor dhe historik. Sidomos me muzetë brenda këtyre qyteteve, madje vetë qytetet të shpallura si qytete-muze.
Pasi që është e njohur tashmë “çështja – Por…”, edhe në këtë rast ekziston një e tillë. Pra, por a do të mund të ishte edhe pak më ndryshe? Sigurisht që po. Narrativa se gjithmonë do të mund të ishte më mirë dhe më ndryshe, ekziston çdoherë në kontekstin e vlerësimit. Një çështje që prek thellë në gjenin e kulturës materiale janë shtëpitë tradicionale të gjendura gjithandej nëpër vendet tona. Në këtë rast, trajtimi do të bëhet vetëm në Shqipëri. Janë disa komplekse ndërtimesh tradicionale, pra kullash malore në veriun e shtetit, por edhe në anët tjera, që duan trajtim të veçantë. Kukësi, Mirdita, Dibra, Mati, Malësia e Madhe, Thethi janë zona me një traditë të mirë mjeshtërore, por edhe qytetet e jugut, ku spikatja e arkitekturës popullore të mjeshtrit të këtyre ndërtimeve u shfaq pikërisht në ndërtimin e kullave dhe në ansamblin e tyre arkitektural dhe urban. Të gjitha në vetvete paraqesin vlera të mirëfillta arkitektonike. Por, të gjitha së bashku, duke u shtrirë edhe në rrethinën e tyre, paraqesin ansamblin e peizazhit arkitektural me vlera historike, ndërtimore dhe estetike. Trajtimi i tyre si një ansambël i tërë, do të duhej t’i nënshtrohej një procesi konservues dhe restaurues, që do t’i shfaqte në pah vlerat universale të arkitekturës shqiptare, e një ditë mbase, të renditeshin si zona të veçanta të mbrojtura si ansamble arkitekturale, e nuk i dihet kurrë, që në një të ardhme të largët të shpallen si trashëgimi me vlera universale botërore.
Problemi nuk qëndron vetëm te këto. Është një çështje tjetër që do të duhej të trajtohej. Bëhet fjalë për ndërtesat historike në zonat urbane, kryesisht në qendrat e mëdha urbane, siç është për shembull Tirana. Është e vërtetë se Tirana nga aspekti arkitektonik po zhvillohet hatashëm. Dhe, është e vërtetë se Tirana dita-ditës po bëhet edhe qendër e turizmit arkitektonik. Thjesht, është shpallur mejdan i eksperimenteve nga më të mundshmet për arkitekturë. Po të krahasohen dy kryeqytetet shqiptare, Tirana dhe Prishtina, nga aspekti i zhvillimit të ndërtimeve me përmasa të vlerave bashkëkohore arkitektonike, sigurisht që prin Tirana. Kohët e fundit janë duke u bërë përpjekje për ndryshimin e konceptit të projektimit të ndërtesave më bashkëkohore në Prishtinë, që ato të kenë fasada arkitektonike më reprezentuese dhe të shpallen si vepra me vlera të mirëfillta arkitektonike. Dhe, kaq. Për një arkitekt apo dashamir të arkitekturës, do të mjaftojë një fotografi e shkrepur e asaj ndërtese, dhe, përfundon çdo gjë.
Ndërsa, reagimi i një arkitekti apo një dashamiri të arkitekturës në Tiranë do të zhvillohej pak më ndryshe. Përpos pamjes horizontale në frontin e shikueshmërisë, vizitori në këtë rast do të duhej të bënte edhe disa ushtrime të muskujve të qafës, duke e ngritur kokën lart. Rrokaqiej gjithandej. Qiellgërvishtësa gjithandej. Kulla banimi gjithandej. Të gjitha simbolizojnë dhe personifikojnë të njëjtën gjë, por thjesht terminologjia do të ndryshojë. Përpos fotografive të shumta që do të shkrepen përmes telefonit apo aparatit fotografik, vizitori pashmangshëm do të shtrojë edhe një pyetje të pashmangshme: si? Si është e mundur të qëndrojë një strukturë e tillë? Si është e mundur që një strukturë e tillë madhore të jetë aq shumë e shmangur nga baza konstruktive? Madje, si është e mundur që një ndërtesë të jetë kaq e përkryer gjeometrikisht, që në planin arkitektonik-hapësinor të ketë bazë rrethore dhe të përfundojë me bazë katrore? Si një konfigurim kompleks që zhvillohet përmes një linje gjeografike dhe historike, ndërtesat ngriten njëra pas tjetrës, duke shëmbëllyer në fasadën e saj diku malin e Dajtit, diku fytyrën e Skënderbeut, diku tjetër hartën e Shqipërisë.
Çfarë do të bëhet me identitetin kulturor-arkitektural-urban të qytetit? Formimi i një identiteti artificial kombëtar dhe arkitekturor po ngjizet për ngut përmbi shtresat e konsoliduara kombëtare të arkitekturës popullore
Revista e njohur për arkitekturë “Dezeen”, përmes retorizmit ka shtruar një pyetje mjaft therrjemendëse: “Përse janë duke u ndërtuar kaq shumë rrokaqiej të çuditshëm në Tiranë?” Në tërë përshkrimin e gazetares Starr Charles, Tirana përshkruhet si qytet ku mund të gjenden arkitektë nga e tërë bota që kryejnë veprimtarinë e tyre. Madje, edhe arkitektët më të njohur bashkëkohorë ndërkombëtarë janë duke lënë gjurmët e tyre në Tiranë. Fokusi i kryeqytetit po merr përmasa të shprehjeve artistike. Pra, forma të çuditshme ndërtesash që mbijnë dhe gërvishin qiellin duke sfiduar ndonjëherë edhe arsyen dhe logjikën e arkitekturëbërjes. Siç thuhet në atë artikull, se “maksimalisht punohet në shprehjen artistike, e pastaj gjenden rrugët për realizimin e ndërtimit”. Një vend, që është duke u dukur si çështje e zhvillimit kreativ ku arkitektët janë të frymëzuar me një vullnet të papërshkrueshëm që të çojnë aftësitë e tyre kreative deri në kufijtë e imagjinares, përvojës dhe madje edhe mendjes.
Arkitektura shpërthyese në këtë masë, sigurisht që ka nga pas edhe burokracitë politike. Duke filluar nga kryebashkiaku i Tiranës, me kryeministrin e vendit pas krahëve të tij, e kanë bërë arkitekturën dhe dizajnin urban si pikë kyçe të strategjisë për të përforcuar reputacionin ndërkombëtar të Tiranës. Për këtë arsye, shumë vizitorë janë edhe duke u mahnitur dhe duke e gjetur Tiranën në hartën e destinacioneve për t’u vizituar.
Bashkëthemeluesi i OODA-s, Brito, shprehet se “liria që Shqipëria ofron në projektim dhe në zhvillimin e arkitekturës, është dukshëm më e hapur sesa në vendet tjera, ndërsa, në anën tjetër, sigurisht që një gjë e tillë duhet t’i bëjë arkitektët më të kujdesshëm dhe më përgjegjës rreth punës së tyre.” Nga një qytet “i mbyllur”, pra i ngujuar nën strukturalitetin e tij komunist, arriti që transformimet e para t’i marrë me procesin e ngjyrosjes së fasadave të ndërtesave të modernizmit socialist të periudhës komuniste. Në këtë mënyrë, u bë ruajtja dhe jo çrrënjosja e një trashëgimie të së kaluarës, por në njëfarë mënyre edhe u hap shtegu për transformimin e identitetit kozmopolit të kryeqytetit.
Me këtë, si duket edhe vendi nuk turpërohet nga e kaluara e tij. Është çështja që shtron Starr Charles në artikullin e saj. Si fillon ky arsyetim? Sigurisht që me të kaluarën e tij. Ndërtesa e Skënderbeut, që është e bazuar në bustin e skulpturës figurative mbi heroin kombëtar, është e drejtuar me fytyrë nga sheshi që mban emrin e fytyrës skulpturore, që në ballë të tij qëndron tash sa dekada shtatorja e tij. Studioja arkitektonike holandeze MVRDV, si duket ka përvojë për të gërshetuar të kaluarën historike përmes së tashmes ekspresive. “Piramida e Tiranës” është një projekt tjetër i tyre, e rinovuar dhe e adaptuar nga një përkujtimore e diktatorit, në një qendër kulturore. “Tirana rritet”, – shprehet Maas, “si një grumbull ngjyrash dhe jo si një tërësi uniforme, në të cilën llojshmëria dhe njëjësimi harlisen për të formësuar të gjitha pjesët e shoqërisë”.
Por, ku çon kjo harlisje? Mos ndoshta në degdisje kulturore?
Në mendimin e tij, Boeri e shtjellon se një liri e tillë mund ta bëjë Tiranën pak si shumë heterogjene. Pra, aq shumë të larmishme, duke u bazuar në mbjelljen e rrënjëve të kreativitetit të arkitektëve të ndryshëm nga e tërë bota, në mënyrë që gjurmët e tyre të jenë edhe në Tiranë, dhe se, për këtë arsye Tirana të bëhet destinacion i rëndësishëm botëror si zhvillim i krahasueshëm me vendet tjera botërore. Megjithatë, si çdo gjë që ka hov të madh në fillim, mund të bëjë edhe rrugë të gjatë. Se sa e gjatë do të jetë ajo rrugë që zhvillimi urban dhe arkitektural do të bëjë në Tiranë, mbetet për t’u parë. Në Kinë, për shembull, presidenti i saj ka ndaluar arkitekturën, të ashtuquajtur të çuditshme, ndërsa Shqipëria është bërë si kënd lojërash fëmijësh për të huajt ambicioz, që mund të jetë jetëshkurtër. Është ky një mendim i Boerit, që ndër mendimet e tij të tjera mbi zhvillimin e shpejtë të Tiranës, që aq i shpejtë është saqë bëhet edhe shpërthyes, jep këshillën që “është momenti i propozimit të rregullave të reja”.
Nga një pompozitet kaq i madh i identitetit kulturor, që përbën një shtresë tërësisht të re kulturore dhe identitare për Tiranën veçanërisht, por edhe për Shqipërinë, çfarë mund të thuhet për zhdukjen e kujtesës kolektive mbi indet kyçe të Tiranës? Kujtesa e Tiranës si një vend i një arkitekture me traditë ndërtimi të arkitekturës qytetare të shtëpive popullore, si duket mund të jetë e dëshmuar vetëm në ndonjë libër të rrallë apo në fotografi që do t’i përpijnë vetëm muzetë e rinj që do t’i shfaqin muzetë e vjetër të saj.
A do të kthehet Tirana nga një qytet që metropolizimi i tij ngërthente kryeqendrën shqiptare, në një kryeqytet botëror? Do të shihet në të ardhmen. Por, pyetja e pyetjeve do të ishte: Ç’do të bëhet me arkitekturën popullore dhe tradicionale në Tiranë, kur dihet se vetë qytetërimi evropian dhe botëror i mbron ato ndërtime me fanatizëm dhe se i tërë zhvillimi dhe emancipimi i qytetërimit të tyre është i bazuar mirë mbi to?
Çfarë do të bëhet me identitetin kulturor-arkitektural-urban të qytetit? Formimi i një identiteti artificial kombëtar dhe arkitekturor po ngjizet për ngut përmbi shtresat e konsoliduara kombëtare të arkitekturës popullore. Nëse në të kaluarën ish-jugosllave ekzistonte slogani për rrënimin e të vjetrës, që të ndërtohet e reja, në kuptimin që të çrrënjoset edhe e kaluara kulturore materiale e historike dhe të formohet një e ardhme me identitet të ri kulturor, tani ky slogan duket se ka kapur një standard të ri. Mbi të kaluarën kulturore, të ndërtohet një e ardhme po kombëtare dhe kulturore, por tani jo më sipas traditës. A do të kthehet Tirana nga një qytet që metropolizimi i tij ngërthente kryeqendrën shqiptare, në një kryeqytet botëror? Do të shihet në të ardhmen. Por, pyetja e pyetjeve do të ishte: Ç’do të bëhet me arkitekturën popullore dhe tradicionale në Tiranë, kur dihet se vetë qytetërimi evropian dhe botëror i mbron ato ndërtime me fanatizëm dhe se i tërë zhvillimi dhe emancipimi i qytetërimit të tyre është i bazuar mirë mbi to?
Pse? Sepse themeli i fortë, përcakton qëndrueshmëri edhe në integritetin urban-arkitekturor të një vendi.