Ulqini nën hijen e vetes

Edhe pse partitë shqiptare janë pjesë e pushtetit, si në nivel lokal ashtu edhe si pjesë e koalicionit në Podgoricë, servilizmi me doreza vazhdon. Mjafton të jesh një “varëse çelësash” e pushtetit dhe një sahanlëpirës për të arritur diku, pa bërë pothuajse asgjë për idealet mbi të cilat u formuan vetë partitë shqiptare nacionale

Sami Flamuri

Që nga viti 1880 kur kaloi nën administrimin e Malit të Zi, Ulqini përjetoi jo vetëm një ndryshim politik, por një proces të zgjatur të zbehjes identitare. Ky proces nuk ishte i menjëhershëm, por një sedimentim dekadash – presion institucional, adaptim social dhe një lloj normalizimi psikologjik i jetës në hije.
Pas Luftës së Dytë Botërore, në kuadër të Jugosllavisë socialiste u krijua një realitet i ri kulturor. Breza të tërë u orientuan drejt Beogradit e Sarajevës; simbolikisht, më afër ishte Sarajeva sesa Prishtina. Gjuha serbe u kthye në kapital social. Në vitet ’80, të flisje serbisht ishte modë, ndërsa shqipja shpesh relativizohej.
Hapja e kufirit me Shqipërinë dhe zhvillimet në Kosovë nuk mjaftuan për ta rikthyer plotësisht vetëdijen kombëtare. Edhe pse Kosova me vite ka siguruar bukën për shumë familje ulqinake, ndikimi kulturor mbeti i zbehtë.
Në vend të kësaj, u shfaq përdorimi i “viq” dhe “iq” si shenjë prestigji. Duke (mos) e hequr prapashtesën – “iqi” filloi të flejë në popullatë, sidomos në Anë të Malit, si një tregues i pavetëdijshëm i distancimit nga identiteti i vet.
Thirrja e serbëve që ta vizitojnë Ulqinin me “Yugo 45” në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, si dhe vetë fakti që Organizata Turistike e Ulqinit këndon “nashke” në Beograd, lë një shije të hidhur dhe përforcon kontradiktën simbolike, kur dihet që personi në fjalë i takon një subjekti politik shqiptar – vaj medet.
Identiteti nuk humbet me dekret; ai tretet kur nuk mbrohet. Kur hija bëhet më e pranueshme se drita, komuniteti fillon ta ngatërrojë hijen me vetveten.

Nën hijen e shokut Tito
Në hyrje të Ulqinit, për shumë vjet me radhë qëndronte porsi një fantazmë e gjallë, një tabelë me një slogan: TITO TO SMO MI (Tito jemi ne). Gjeneratat e reja as që pyesin se cili ishte ky njeri, që kur nga nacionalistët shqiptarë nuk u përmend emri i tij: dënimi ishte me vdekje.
Dhe pse pikërisht ky qytet i bukur bregdetar ende kërkon kohët e shkuara, pra jeton ende nën hijen e shokut Tito? Josip Broz, i ashtuquajtur “Tito”, vdiq në vitin 1980. Atë ditë u ndërpre ndeshja e futbollit ndërmjet “Hajdukut” të Splitit dhe “Yllit të Kuq” (Crvena Zvezda) të Beogradit. E gjithë Jugosllavia e atëhershme rrinte e magjepsur ndaj figurës “madhështore” të “shokut Tito”, e bashkuar në dhimbjen për “të madhin” bir të popujve jugosllavë.
Nuk duhet prandaj të çuditemi që “Mondiali i miqësisë”, i cili ka disa vite radhazi që organizohet nga nostalgjikët e shokut Tito, pikërisht e gjeti strofullën në Ulqin, dhe nuk është rastësi po pikat mu tek ajo ndjenja patriotike, te një qytet me shumicë dërrmuese shqiptare që organizon një ngjarje që mbledh ish-sportistët jugosllavë mu te ne, por jo në një vend tjetër!
Duhet ta vendosim dorën në zemër dhe inicialisht ideja ku ish-lojtari i Hajdukut të Splitit, Ivan Gudelj, u ftua si mysafir nderi para katër viteve bëri një bujë dhe pikërisht entuziazmi i Pavle Pepgjonoviqit edhe e krijoi këtë bisedë, por tani si duket e kaloi mikpritjen e vet mu sepse nuk mund të riciklojmë ca pensionistë për hir të asgjësë.
Kaluan 46 vjet nga vdekja e Titos dhe 40 vjet nga vdekja e Enverit. Nisesh për në shkollën më të madhe në Ulqin, aty ku mbruhet ajka e rinisë, fidanishtja e së ardhmes së qytetit, dhe gjen ende emrin “Marshall Tito”, titull ushtarak i lidhur me të. Ideja që duhet përkrahur është që shkollës t’i vendoset emri i ish-drejtorit të saj, Dino Çobaj, i cili humbi jetën tragjikisht në vitin 1979.
Mos u habisni: edhe sot në gjimnazin e Ulqinit vijon të qëndrojë parulla famëkeqe “Vëllazërim-Bashkim”. Në emër të kësaj vëllazërie u pushkatuan rreth 4000 djem shqiptarë nga Kosovë më 1945 në Tivar, për të vazhduar më pas me luftërat e përgjakshme të viteve 1991-1999.
A meriton qyteti ta ketë emrin e “Ulqinit” si emër dhe ta çojmë këtë slogan shpifës në historinë e merituar?!
Dhe ndërkohë, një dozë ironie e hidhur mbetet: edhe pse partitë shqiptare janë pjesë e pushtetit, si në nivel lokal ashtu edhe si pjesë e koalicionit në Podgoricë, servilizmi me doreza vazhdon. Mjafton të jesh një “varëse çelësash” e pushtetit dhe një sahanlëpirës për të arritur diku, pa bërë pothuajse asgjë për idealet mbi të cilat u formuan vetë partitë shqiptare nacionale.
Atëherë lind pyetja: a kemi nevojë për një shpërbërje totale të partive shqiptare dhe bashkimin e tyre në një të vetme për të arritur qëllimin? Apo rruga na ka tretur tashmë në oborr, duke na lënë pa horizont?

Të fundit

më të lexuarat