
Të qenit bashkëudhëtarë i një epoke të zhvillimit dhe të avancimit digjjtal e teknologjik, medoemos të integron me hapa të shpejtë me mënyrën e re të të jetuarit, ashtu siç po jetojmë një jetë më tepër virtuale e më pak reale, ku gjithçka është transformuar krahasur me disa dekada të shkuara, duke zbehur kështu epokën e artë të librit klasik, të gazetave tradicionale, të teatrit, kinemasë, bibliotekës, etj. Dhe të ndodhur në këtë kohe revolucioni njerëzor, atëherë ndoshta më shumë se kurrë më parë duhet t’a rikthejmë vëmendjen dhe kujdesin ndaj librit tradicional dhe ndaj të gjitha atyre vlerave edukative, arsimore, kulturore, artistike e shkencore të cilat na formojnë si individë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Të ndodhur në pafundësi informacionesh, por edhe botimesh të letërsive të ndryshme të botës, sot më shumë se kurrë kemi mundësi të zgjedhim zhanre dhe gjini të ndryshme letrare për të lexuar, për t’a vlerësuar librin dhe për t’i qëndruar besnik atij.
Ndër ta, librat psikologjik ose siç klasifikohen, libra të motivimit dhe zhvillimit, zënë një vend të veçantë sepse ata janë libra të admiruar dhe me interes për lexuesin.
Këta lloj librash, qofshin të shkrimtarëve shqiptarë apo të huaj, lexohen me shumë kurreshtje, pasi që ata janë vërtetë motivim për të kapërcyer barrierrat me të cilat çdokush nga ne has në përditshmëri, por edhe për t’u zhvilluar më shumë, e reformuar si individë në aspektin pozitiv.
Libra të tillë që trajtojnë tematika të ngjashme, i kemi të nevojshëm që t’i lexojmë, veçanërisht në këtë periudhë konfuzioni global, ku njerëzit janë çorientuar si mos më keq, qoftë nga pandemia që gjunjëzoi njerëzimin tash e dy vjet më parë, qoftë edhe nga lufta e cila tek njerëzit reflekton stres, ankth, pasiguri, krizë ekonomike e shumëçka tjetër negative
Nëse ju bie në dorë libri me titull: “Më pak stres – si t’i jepni fund tmerrit dhe t’a jetoni jetën plotësisht” të autores, Jasmin Kirkbride Minerva, ose libri “Si ta gjeni paqën shpirtërore dhe kuptimin e jetës”, të autores, Florens Skovel Sin, që është edhe libri psikologjik më i shituri në botë, do të hasni në shumë mësime dhe rekomandime të cilat nuk janë të tepërta që t’i dini, përkundrazi aty gjeni shumë ide e rekomandime motivuese, se si të veprohet në zgjidhjen e shumë çështjeve të cilat mund të preokupojnë ose mund të bëhen pengesë për të jetuar një jetë të qetë, racionale dhe një vetërealizim të përkryer.
Libra të tillë që trajtojnë tematika të ngjashme, i kemi të nevojshëm që t’i lexojmë, veçanërisht në këtë periudhë konfuzioni global, ku njerëzit janë çorientuar si mos më keq, qoftë nga pandemia që gjunjëzoi njerëzimin tash e dy vjet më parë, qoftë edhe nga lufta e cila tek njerëzit reflekton stres, ankth, pasiguri, krizë ekonomike e shumëçka tjetër negative.
Këto lloj librash, bëjnë që ne, në situata të ndryshme, qofshin në jetën private apo profesionale, të dimë të ballafaqohemi më lehtë me problemet që mund të na kaplojnë, aq më tepër në këtë kohë kur i gjithë njerëzimi po jeton një jetë virtuale, ku për gjithçka që kemi nevojë, u drejtohemi vetëm telefonave të mençur celular, të cilët i shohim si “shpëtimtarët tonë”, pothuajse në çdo situatë.
Por, a rekomandojnë autorët, shkrimtarët e njohur kështu, që të ngasim vetëm pas celularëve tonë për çdo nevojë sot. Sigurisht që jo. Përkundrazi, ata sugjerojnë që një pjesë relativisht të gjatë të ditës, t’a rezervojmë për të qenë offline, larg telefonave celularë, për të mos krijuar varësi, sepse për fat të keq, siç pohojnë autorët, qëndrimi pa kufi nëpër internet e rrjete të tjera sociale siç sot shumica e të rinjve vepron, krijon varësi e cila për pasojë mund të ketë stresin, ankthin e deri edhe depresionin.
Prandaj, për t’u shpëtuar të gjitha këtyre pasojave që kjo lloj praktike mund të shkaktojnë për shëndetin mendor, duhet marrë për bazë rekomandimet që jepen për të qenë sa më të shëndetshëm, kreativ dhe të lumtur në përdishmërinë tonë.
Ndër të tjera, në librin “Më pak stres – si t’i jepni fund tmerrit dhe t’a jetoni jetën plotësisht” një kapitull interesant i kushtohet pikërisht rrjeteve sociale ku sot po gjejnë një gamë jashtëzakonisht të gjerë përdoruesish.
Kapitulli (ndërpriteni varësinë), tregon për stresin dhe ankthin i cili u shkaktohet individëve të cilët janë shumë aktivë nëpër fejsbuk e instagram, tek të cilët aktivizohen në tru qendrat e të ndjerit mirë, e të cilët si rrjedhojë kontrollojnë profilet e tyre vazhdimisht gjatë ditës, për të parë nëse kanë marrë pëlqime. Por, sipas autorit, kur ata nuk marrin pëlqime, ndihen të trishtuar, dhe kjo shkakton ankth dhe situata të pakënaqshme.
Rekomandimi i autorit për të gjithë ata që tashmë kanë krijuar këtë “varësi” ndaj rrjeteve sociale është që ata të hyjnë më rrallë, dhe t’a kufizojnë sasinë e kohës që konsumojnë në mediat sociale, dhe të fillohet të bashkëveprohet me botën e vërtetë, duke qëndruar, offline.
Gjithashtu, një kapitull motivues dhe tërheqës është edhe ai i menaxhimit të mendimeve negative, ku autori shpalos edhe disa teknika të ndryshme frymarrjeje, të qeshurit, qëndrimit në natyrë, të ngrënit e ushqimeve të shëndetshme, aktiviteve sportive, krijimit të një grupi miqsh, argëtimi, shkuarja në bibliotekë, etj, të cilat mund të ndikojnë dukshëm në përmirësimin e përgjithshëm për të jetuar një jetë cilësore, me sa më pak stres, ankth, probleme e shqetësime.
Këtë artikull po e përmbyll me një thënie nga Nelson Mandela, “Trim nuk është ai që nuk ndien frikë, por ai që e mposht atë”.
Prandaj edhe ne, të mendojmë pozitivisht, të mos i ekzagjerojmë gjërat, dhe sigurisht përballja me sfida do të jetë më e lehtë dhe fare më pranë kapërcimit të asaj që më parë mund të na dukej si e paarritshme.
