Udhëheqja e Malit të Zi, pjesëmarrëse në shpërbërjen e përgjakshme të ish-Jugosllavisë

Në bazë të fakteve, por dhe nga një literaturë voluminoze shkencore, mund të konstatohet se Mali i Zi, respektivisht udhëheqja e saj politike në krye me Momir Bullatoviqin, Millo Gjukanoviqin dhe funksionarë të tjerë të lartë, direkt apo indirekt kanë qenë pjesëmarrës të luftërave të viteve ‘90, respektivisht të shpërbërjes së përgjakshme të ish-Jugosllavisë me qëllim të krijimit të ”Serbisë të Madhe” mbi baza të nacionalizmit ekstrem dhe të shovinizmit serb

Nikë Gashaj

Mali i Zi në luftën në Kroaci (1991-1995)
Më 23-24 shtator 1991, Mali i Zi iu bashkua luftës së bashku me njësitë e Armatës Popullore Jugosllave, të stacionuara në këtë republikë. Mali i Zi hyri në luftë në zonat e Dubrovnikut. Formalisht dhe ligjërisht, meqenëse nuk ishte subjekt i së drejtës ndërkombëtare, Mali i Zi “nuk mori pjesë në luftë në Kroaci”, por realisht dhe faktikisht, ai ishte pjesëmarrës në atë luftë agresore.
Autoritetet shtetërore të Malit të Zi dhe përfaqësuesit e saj në Republikën Socialiste Federative Jugosllave gjatë viteve 1990-1991, si dhe përfaqësuesit e Malit të Zi në Shtetin e Ri, në Republikën Federative Jugosllave, nga prilli 1992 dhe më tutje, e përkrahën konceptin e luftës së “Serbisë së Madhe” për të gjithë serbët në një shtet. Andaj, e kanë promovuar politikën e bazuar në planin, që një pjesë e madhe e territorit, respektivisht e hapësirës së Republikës të Kroacisë, e cila më 25 qershor 1991 zyrtarisht e shpalli pavarësinë e shtetit, dhe e cila ishte e banuar nga një pjesë e konsiderueshme e popullsisë serbe, duhej të ndahej nga Kroacia dhe t’i bashkohej Serbisë. Udhëheqja politike e Malit të Zi dhe përfaqësuesit e saj në pushtetin e Jugosllavisë, sikurse dhe Serbia, e mbështetën jashtëzakonisht shumë, si krijimin ashtu dhe funksionimin për disa vite të një krijese parashtetërore të ashtuquajtur Republika Krajina Serbe. Ajo u krijua me forcë në territorin e Repubikës së Kroacisë, në shtetin e njohur ndërkombëtarisht dhe diçka më vonë dhe anëtare e OKB-së.
Që nga mesi i vitit 1991, në mënyrë aktive ushtarakisht është përfshirë dhe ka vepruar APJ, respektivisht udhëheqja e saj dhe me efektivë nën komandën dhe kontrollin. Në këtë kuptim është ndërmarrë një ofensivë e përgjithshme, e ashtuquajtur “Operacioni Dubrovnik”, i cili filloi më 1 tetor 1991, nga territori i Republikës Socialiste të Malit të Zi (si dhe nga një pjesë e Bosnjë e Hercegovinës), me një sulm në zonën Konavle dhe në të gjithë rajonin e Dubrovnikut, dhe më pas në vetë qytetin e Dubrovnikut. Në fakt, edhe pse jo zyrtarisht, Mali i Zi ka qenë në luftë me Kroacinë që nga 1 tetori 1991, pavarësisht faktit se organet e saj zyrtare republikane e kanë mohuar këtë.
Më shumë se 7.000 qytetarë të mobilizuar malazezë morën pjesë në atë operacion luftarak. Qytetarët shkuan në luftë masivisht jashtë kufijve të Malit të Zi, domethënë ata morën pjesë në sulmin ndaj Republikës së Kroacisë, e cila kishte shpallur pavarësinë tre muaj më parë. Organizator dhe urdhërues ishte Shtabi i Përgjithshëm i APJ-së dhe struktura të tjera të Qeverisë, pushtetit dhe ndikimit. Qytetarët e Malit të Zi u mobilizuan, si pjesë e APJ-së dhe në njësitë vullnetare, të vendosura nën komandën e APJ-së, dhe si pjesë e Mbrojtjes Territoriale të Malit të Zi, por pjesërisht dhe brenda formacioneve të armatosura të Policisë Speciale Republikane të Qeverisë së Malit të Zi, kryeministër i së cilës ishte Millo Gjukanoviq.
Gjatë luftës në Kroaci (1991-1995), qytetarët e Malit të Zi u vranë dhe u plagosën, jo vetëm në fushën e betejës Dubrovnik-Hercegovinë, por edhe në frontin e Vukovarit dhe në pjesë të tjera të Kroacisë. Midis të vrarëve në ato luftëra kishte edhe vullnetarë nga Mali i Zi, të cilët ishin pjesë e APJ-së, por edhe ata që vepronin në kuadër të formacioneve paraushtarake nga Serbia dhe Mali i Zi.

Mali i Zi dhe lufta në Bosnjë dhe Hercegovinë (1992-1995)
Serbia dhe Mali i Zi, nga 27 prilli 1992 në shtetin e përbashkët të Republikës Federative të Jugosllavisë, refuzuan t’i njohin rezultatet e referendumit në Bosnjë e Hercegovinë, i cili u mbajt nga 29 shkurt deri më 1 mars të vitit 1992, ku shumica bindëse e qytetarëve (64.31%) votuan për Bosnjë e Hercegovinën si shtet sovran dhe të pavarur.
Indikacionet pa mëdyshje të marrëveshjes midis Sllobodan Millosheviqit dhe Franjo Tugjmanit, të arritur në Karagjorgjevo për ndarjen e Bosnjë dhe Hercegovinës, ndikuan ndjeshëm në karakterin e kësaj lufte. Autoritetet në Malin e Zi dhe në Serbi, respektivisht në RFJ, kanë mohuar vazhdimisht përfshirjen zyrtare në luftën në Bosnjë e Hercegovinë (1992-1995). Mirëpo, pikërisht për shkak të rolit të Serbisë dhe Malit të Zi në atë luftë, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara vendosi sanksione të ashpra ndërkombëtare kundër RFJ-së, më 30 maj 1992, të cilat do të qëndrojnë në fuqi për një kohë të gjatë.
Që nga fillimi i luftës në Bosnjë, Serbia dhe Mali i Zi (RFJ), politikisht, ideologjikisht, me armë dhe municion, ushtarakisht, materialisht, financiarisht, me logjistikë dhe në mënyra të tjera e kanë mbështetur dhe ndihmuar pushtetin dhe ushtrinë në luftë në njësinë territoriale të formuar nga lufta, e ashtuquajtur Republika Serbe (Republika Srpska), e cila ishte nën kontrollin dhe komandën e kriminelëve të luftës kundër njerëzimit: Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq, me qëllim të ndarjes plotësisht nga Bosnja dhe Hercegovina.
Ata bënë luftë kundër mbijetesës së Bosnjë dhe Hercegovinës si një shtet i njohur ndërkombëtarisht dhe një anëtare e OKB-së. Ish APJ, d.m.th. autoritetet e RFJ-së që e kontrolluan atë në atë kohë dhe e financuan atë nga buxheti i RFJ-së. Në këtë aspekt, kanë marrë pjesë dhe faktorët e pushtetit nga Mali i Zi dhe kuadrot e saj në pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ të RFJ-së, duke marrë pjesë në vendimmarrje ose në miratimin e vendimeve në atë drejtim.
Kryetari i Malit të Zi, Momir Bullatoviq, nga viti 1992-1997 ishte anëtar i Këshillit Suprem të Mbrojtjes së RFJ-së, organi që komandonte Ushtrinë Jugosllave. Ai mori pjesë në mënyrë të barabartë në të gjitha vendimet e Këshillit Suprem të Mbrojtjes të RFJ-së, si dhe në ato që kanë pasur të bëjnë me rolin e RFJ-së dhe të Ushtrisë Jugosllave në luftën në Bosnjë e Hercegovinë (1992-1995).
Kryetari dhe autoritetet e Malit të Zi, së bashku me udhëheqjen e Republikës së Sebisë dhe RFJ-së, morën vendime në lidhje me buxhetin e Ushtrisë Jugosllave dhe për një pjesë të fondeve, që kanë pasur të bëjnë me financimin ushtarak, kadrovik dhe mbështetje të tjera të furnizimit dhe ndihmës së trupave të ushtrisë serbe të Republikës Serbe gjatë luftës në Bosnjë. Pushteti i Serbisë dhe i Malit të Zi e kanë furnizuar në vazhdimësi, kryesisht me naftë (karburant), Republikën Serbe dhe ushtrinë e saj gjatë luftës në Bosnjë.
Gjithashtu, grupe parushtarake të armatosura dhe individë po largoheshin nga territori i Malit të Zi për të luftuar në anën e serbëve në Bosnje. Nën sanksionet ndërkombëtare kundër RFJ-së, kishte kontrabandë armësh, nafte, makinash etj. Të ashtuquajturit “luftëtarët e fundjavës” shkuan në territorin e Bosnjës dhe kryen trazira të shumta, zjarrvënie, grabitje, vjedhje, përdhunime, vrasje dhe abuzime, bënë fitime lufte etj., ndërsa në Mal të Zi kanë përhapur nacional-shovinizmin dhe kanë bërë terror ndaj myslimanëve/boshnjakëve.
Lufta në Bosnjë e Hercegovinë ka frymëzuar terrorin dhe krimet kundër boshnjakëve në Mal të Zi dhe Serbi. Pavarësisht refuzimit të kërkesës së kryeministrit të Republikës Serbe, Dr. Vlladimir Llukiq, për shfarosjen etnike të boshnjakëve/myslimanëve në veri të Malit të Zi dhe në zonën e Sanxhakut, u kryen një numër krimesh që “konfirmuan” besnikërinë e qeverisë malazeze ndaj luftës serbe të Bosnjës. Midis tyre duhet përmendur krimin e dëbimit, kur në maj 1992 autoritetet e policisë malazeze arrestuan dhe iu dorëzuan forcave serbe të Bosnjës më shumë se 85 refugjatë boshnjakë nga Bosnja, shumica e të cilëve u vranë. Ky është nga llojet më të përbindshme të krimeve në historinë e Malit të Zi dhe është në kundërshtim me traditat dhe zakonet e këtyre trojeve, si dhe me të drejtën ndërkombëtare.
Ka pasur gjthashtu mizori të shumta kundër boshnjakëve në Plevlë dhe në zonën përrreth, veçanërisht në zonën e Bukovicës. Pastaj, pasagjerët u rrëmbyen nga një tren në Shtrpci, në territorin e Bosnjes, ku 18 boshnjakë dhe një person me origjinë të panjohur u morën nga treni, i cili po udhëtonte në linjën Beograd-Tivar, më 27 shkurt 1993. Gjithashtu, duhet të përmendet i ashtuqujturi “Aksioni i Limit”, në të cilin policia malazeze në fillim të vitit 1994 arrestoi të gjithë udhëheqjen politike të Partisë së Veprimit Demokratik të Malit të Zi, pra partisë së myslimanëve, përfshirë dhe deputetët e atëhershëm republikanë të Malit të Zi. Ata ishin viktima të torturave në paraburgim. Prej tyre, 22 të arrestuar do të dënohen në një proces të montuar politik gjyqësor me gjithsej 82.2 vjet burg. Ata u liruan nga burgu pasi që i aboloi kryetari i Malit të Zi, Momir Bullatoviq, më 29 dhjetor 1995.
Pjesëmarrjen e RFJ-së, d.m.th. të anëtareve të saj – Sebisë dhe Malit të Zi, në luftë në Bosnjë e Hercegovinë, e njohën edhe organizatat ndërkombëtare (Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara), fuqitë e mëdha dhe shtetet e tjera. Për bashkëpërgjegjësinë e Serbisë dhe Malit të Zi, domethënë të pushtetit të tyre, në agresionin kundër Bosnjë dhe Hercegovinës, flitet gjithashtu në raportin e Departamentit të Shtetit të SHBA-së për vitin 1992, i cili, ndër të tjera, thekson qartë: ”Ndërsa qeveritë e Serbisë/Malit të Zi e mohojnë se janë përfshirë në luftë më 1991 në Kroaci dhe në Bosnjë e Hercegovinë, ato faktikisht ishin, thellësisht të përfshira në shkeljen e ligjit humanitar dhe dinjitetit njerëzor në luftën e Bosnjës nga APJ dhe nga forcat paraushtarake serbe. Ato i armatosën forcat serbe në të dy republikat përmes APJ-së, qytetarët e tyre morën pjesë në luftëra si pjesëtarë të formacioneve paraushtarake, me miratimin e qeverive, ato lejuan që trupat e rregullta të APJ-së të qëndronin në Bosnjë edhe pas majit, u transferuan në të ashtuqujturën ‘ushtri serbe‘. Përpos kësaj, ato vazhduan t‘i furnizonin forcat serbe me karburant, ushqim dhe gjëra të tjera të nevojshme, dhe me ato mallra që ishin me pakicë dhe në republikat e tyre. Ato nuk i dënojnë personalitetet që duket se janë përfshirë në krime lufte”.

Krimet ndaj shqiptarëve në Husaj – Rozhajë (18 prill 1999)
Krimi mbi popullatën civile shqiptare nga Kosova – si refugjatë, të ikur për të shpëtuar kokën nga lufta dhe agresioni serb në Kosovë, u krye në komunën e Rozhajës, në pranverën e vitit 1991, kur 21 civilë u vranë nga rezervistët e Korpusit të Podgoricës të Ushtrisë Jugosllave.
Ish-shefi i njësisë së Sigurisë policore në Rozhajë, Shemso Dedeiq, deklaron se në datën fatale, më 18 prill 1991, civilët nga Kosova u vranë në Husaj (Kaluđerski Laz) dhe në Bukelin e Epërm (Gornji Bukelj), vetëm sepse kanë qenë shqiptarë. “Të frymëzuar nga urrejtja, ata u qëlluan nga një forcë rezervistësh të Ushtrisë Jugosllave, pjesëtarë të Trupave të Podgoricës”.
Dedeiqi pohon se, në të njëjtën ditë, njësitë e përbashkëta të Ushtrisë Jugosllave dhe të formacioneve policore nga Peja, të vendosura në zonën e Bukelit të Epërm, formuan një shtab, të udhëhequr nga njëfarë Sllobo Jovanoviq. Ai vuri në dukje se zëvendësministrit të atëhershëm, Vuk Boshkoviq, nuk iu lejua të hynte në Husaj derisa ushtria të zhvillonte një hetim. Hetimi ushtarak, sipas Dedeiqit “fshehu” shumë kufoma, por edhe të vërtetën… Pas hetimit të kryer nga ushtria, Dedeiqi shton se rezervistët ushtarakë i ngarkuan trupat e vrarë të shqiptarëve në një kamion të verdhë FAP.
Oficerëve të policisë nga Berani dhe Rozhaja iu ndalua të marrin pjesë në atë akt dhe më vonë t’i numëronin trupat e vrarë. Pastaj u vërtetua se ata kishin për qëllim t’i transportonin kufomat në drejtim të Kullës, dhe më tutje drejt Pejës.
Po ashtu po theksojmë arrestimin dhe torturimin e 17 shqiptarëve, në të ashtuquajturin aksioni “Fluturimi i Shqiponjës” në Malësi, më 2006.
Më në fund, në bazë të fakteve të lartpërmendura, por dhe nga një literaturë voluminoze shkencore, mund të konstatohet se Mali i Zi, respektivisht udhëheqja e saj politike në krye me Momir Bullatoviqin, Millo Gjukanoviqin dhe funksionarë të tjerë të lartë, direkt apo indirekt kanë qenë pjesëmarrës të luftërave të viteve ‘90, respektivisht të shpërbërjes së përgjakshme të ish-Jugosllavisë me qëllim të krijimit të ”Serbisë të Madhe” mbi baza të nacionalizmit ekstrem dhe të shovinizmit serb. Andaj, udhëheqësit e Malit të Zi ishin shërbëtorë të verbër apo piunë të dëgjueshëm të Kasapit të Ballkanit – Sllobodan Millosheviqit, kriminelit të luftës kundër njerëzimit. Në atë kohë ka qenë vështirë të jesh pjesëtar i ndonjë pakice kombëtare, pra dhe pjesëtar i shqiptarëve në Mal të Zi, meqenëse pakicat ishin të anatemuara dhe të diskriminuara. Le të besojmë se me këtë faktografi kanë qenë dhe janë të njohur partitë nacionale të popujve pakicë në Mal të Zi, të cilat për një kohë të gjatë ishin në një koalicion të përbashkët politik, respektivisht në një “përqafim të ngrohtë” politik me partinë e Millo Gjukanoviqit- Partinë Demokratike Socialiste.
(Autori është politolog dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Duklës)

Të fundit

më të lexuarat