U nënshkrua marrëveshja për shërbime ajrore në mes të Kosovës dhe Malit të Zi

Prishtinë – Kryeministri i Malit të Zi në mandatin teknik, Dr. Dritan Abazoviq qëndroi për një vizitë pune dyditore në Prishtinë, ku zhvilloi një sërë takimesh zyrtare dhe fillimisht është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
Siç është njoftuar nga Zyra e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Abazoviq dhe Kurti kanë zhvilluar një takim tete-a-tete, për të nënshkruar pastaj marrëveshjen për shërbime ajrore në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Malit të Zi.
“Në takime u bisedua për marrëdhëniet e mira fqinjësore ndërmjet dy shteteve, mundësitë e rritjes së bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe investimet në infrastrukturë të përbashkët që e rritë mobilitetin dhe hap mundësitë e zhvillimit për të dyja vendet”, thuhet në njoftim.
Më tutje, ndër të tjera, theksohet se kryeministri në detyrë, Abazoviq e falënderoi kryeministrin Kurti për pritjen, siç e quajti ai, të jashtëzakonshme, duke shprehur bindjen se Mali i Zi dhe Kosova janë duke dhënë shembullin rajonal se si duhet të bashkëpunohet.
Sipas Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, rëndësi të veçantë kishte nënshkrimi i marrëveshjes për shërbime ajrore në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Malit të Zi.
“Kjo marrëveshje është një hap sa i rëndësishëm, po aq i domosdoshëm për rregullimin e hapësirës ajrore në mes dy republikave. Ajo ofron mundësi të reja të zhvillimit të aviacionit civil, mundëson shkurtimin e rrugëve ajrore e të kohës së fluturimit për 15 minuta. Një kompani ajrore që ka fluturuar katër herë në ditë, me këtë marrëveshje lehtësisht mund të shtojë edhe një fluturim. Pastaj zvogëlon emetimin e gazrave të dëmshme si dhe ulë koston e fluturimeve të cilat ndikojnë në çmim të biletave për udhëtarët”, thuhet në njoftim.
Nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës gjithashtu u njoftua se nga ana e Qeverisë së Malit të Zi, të pranishëm ishin z. Bernard Çobaj, i ngarkuar me punë në Ambasadën e Malit të Zi në Republikën e Kosovës, z. Goran Gjuroviq, ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit në Qeverinë e Malit të Zi, z. Marash Dukaj, ministër i Administratës Publike në Qeverinë e Malit ë Zi, z. Fatmir Gjeka, ministër i Drejtësisë, të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave të Malit të Zi, z. Nik Gjeloshaj, kryetar i Komunës së Tuzit, z. Omer Bajraktari, kryetar i Komunës se Ulqinit, znj. Ana Rashoviq, shefe e Kabinetit të Kryeministrit të Malit të Zi.
Nga Qeveria e Malit të Zi më herët është njoftuar se kryeministri Abazoviq do të jetë mysafir i Biznes Aleancës së Kosovës, ku gjatë biznes forumit është takuar me afaristët kosovarë.
Kryeministri Abazoviq është takuar gjithashtu edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriun, me zv/kryeministrën, Emilia Rexhepin, me grupin multietnik në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe me ministra nga këto bashkësi të sipërpermendura.
Ndërkaq, kryeministri Abazoviq ka qenë mysafir i kryebashkiakut të Prishtinës, Përparim Ramës, i cili solemnisht i ka dhuruar z. Abazoviq “Çelësin e Qytetit” të Prishtinës.
Gjithashtu, kryeministri i Malit të Zi, Dr. Dritan Abazoviq ka qenë mysafir i Universitetit “Univerzum” të Prishtinës, ku ka promovuar librin e tij “Kritika e etikës globale”, të përkthyer në gjuhën shqipe.
Siç është njoftuar nga Qeveria e Malit të Zi, kryeministri Abazoviq ka vizituar edhe tri bashkësitë fetare në Kosovë.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat