
Mendimi gjeopolitik lindi në fundshekullin XIX, kur gjeografë dhe studiues të tjerë provuan të analizonin, të kuptonin dhe të shpjegonin ndryshimet dhe hapësirat shtetërore në botën “fin de siecle”. Ndonëse teoricieni i parë i gjeopolitikës konsiderohet gjermani Fredrich Ratzel (1844-1904), vetë termin “gjeopolitikë” e ka përdorur i pari suedezi Rudolph Kjellen (1864-1922). Nevoja për të lindi si pasojë e zhvillimit teknologjik dhe shkencor, të cilat zgjeruan së tepërmi perspektivat mbi botën, përkatësisht pas konsolidimit të sistemit të shteteve moderne, në kulmin e periudhës perandorake të fuqive evropiane, me daljen në skenë të dy fuqive jashtë-evropiane si Japonia dhe SHBA-të, por edhe nën presionin e rritjes demografike të shoqëruar me zvogëlimin e burimeve.
Nicholas Spykman shkroi njëherë se: “Faktorët që ndikojnë politikat e shteteve janë të shumtë, të përhershëm e të përkohshëm, të dukshëm dhe të padukshëm; përfshihen përveç faktorit gjeografik dhe identiteti i popullsisë, struktura ekonomike e vendit, përbërja etnike e popullsisë, forma e qeverisjes si dhe paragjykimet dhe komplekset e ministrave të jashtëm” [American Political Science Review, #1/1938, ff. 28-50]. Fjalorët e kanë përcaktuar si: “politika e jashtme e një shteti, e përcaktuar në bazë të pozicionit të tij gjeografik”, kurse Colin Flint i ka dhënë një përkufizim më të qartë: “Gjeopolitika është lufta për kontrollimin e hapësirave dhe vendeve…” [Flint:2006].
Raporti “Faktori gjeopolitik shqiptar në Ballkanin Perëndimor” ka hetuar rolin e faktorit gjeopolitik shqiptar në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, duke ndarë pikëpamjet dhe perceptimet e shqiptarëve në shërbim të faktorit stabilizues në rajon, në marrëdhënie me fqinjët dhe në procesin e zhvillimit, stabilitetit, demokratizimit dhe integrimit. Studimi synon të krijojë një udhërrëfyes për vitin 2030, në lidhje me faktorin gjeopolitik shqiptar dhe kontributin e tij në një sërë çështjesh kyçe të demokratizimit, sundimit të ligjit, bashkëpunimit rajonal dhe integrimit evroatlantik
Në raport me hapësirën ballkanike, trevat shqiptare janë cilësuar si “Porta e Ballkanit”, duke u favorizuar me praninë e kryqëzimit të rrugëve që lidhin Mesdheun Perëndimor me vendet e Ballkanit, të Azisë së Vogël dhe përmes daljes në Kanalin e Otrantos e të Korfuzit. Rrugë të shumta transiti mallrash, tregjesh e njerëzish që kapërcejnë vendin, i japin rëndësi të jashtëzakonshme: Rruga Egnatia që lidh Durrësin me Stambollin dhe me Azinë, Grykën e Kaçanikut që lidh fushën e Vardarit me pellgun e Ibrit, rrugën e “Akropolisit” që lidh Selanikun në faqen e Egjeut me Mynihun në zemër të Evropës, me portin e Tivarit që lidh Serbinë, Hungarinë, Moldavinë dhe Rumaninë në rrugën më të shkurtër me Adriatikun, rrugët kryesore Durrës – Morinë – Merdare, Rruga e Arbrit Durrës – Shkup dhe lidhet me Detin e Zi dhe autostrada Nish – Shkup – Sofje, e cila kalon nëpër trojet shqiptare të luginës.
Një pozitë e këtillë gjeografike, gjeostrategjike dhe gjeopolitike, brenda një territori të ndarë në dy shtete shqiptare (Shqipëri dhe Kosovë), me një numër të konsiderueshëm sish në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Greqi dhe Serbi, ka bërë që të jenë vazhdimisht të pushtuara nga shumë perandori, përfshirë tri perandoritë më të mëdha (Romake, Bizantine dhe Osmane). Për më tepër, interesa të veçanta ka pasur edhe Rusia, e cila ka sjellë ndikimin e vet politik përmes vendeve me popullsi sllave. Në këtë vështrim, pozita e tyre e volitshme është bërë fatkeqësi për popullatën vendase, një shembull i rrallë ose i vetëm ku hartat politike kufizohen me shqiptarë.
Gadishulli i Ballkanit ka një zonë të përbashkët prej 550 000 km² dhe një popullsi rreth 55 milionë. Serbia zotëron një pozitë të rëndësishme në të, me rolin e dikurshëm të Beogradit si qendër ndërkombëtare, me lidhjet e vjetra tradicionale me Moskën, Londrën, Parisin, pastaj me serbët ortodoksë në Kroaci, në Kosovë dhe në Bosnjë, i është bërë e mundur të bëhet faktor i rëndësishëm në një hapësirë mjaft të gjerë ballkanike.
Disa dispozita i japin Turqisë një rol të rëndësishëm në Ballkan, veçanërisht në rajonet me popullatë shumicë ose të konsiderueshme myslimane: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Bosnjë dhe Bullgari. Numri i popullatës, ekonomia me rritje të shpejtë, fuqia ushtarake, pozita e saj ndërmjet Azisë dhe Evropës dhe pranë Detit të Zi, po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme jo vetëm për lundrim, por edhe për furnizim të ardhshëm energjitik të Evropës. Aktualisht ajo po ruan një prani të qëndrueshme e të dukshme politike por edhe ushtarake në Ballkan, ku duhet veçuar rastin e Shqipërisë me marrëveshjet e bashkëpunimit ushtarak dhe marrëdhëniet e ngushta politike.
Ndërsa Italia po shfrytëzon fuqinë e vet ekonomike në hapësirën e Adriatikut Lindor, Austria ka arritur ta fuqizojë pozitën e vet politike dhe ekonomike në Evropën Juglindore dhe është bërë një ndër investuesit më të rëndësishëm ekonomikë. Gjermania, Franca dhe Anglia gjithashtu kanë interesa për furnizimin me energji, për rregullimin e naftëpërçuesve dhe gazpërçuesve. Rëndësia për SHBA-të, para së gjithash paraqitet në stabilitetin dhe animin e mospajtimeve dhe ndërlikimeve të marrëdhënieve me Rusinë. Këtu hyn edhe Kina, e cila përmes Ballkanit synon të vendosë një ‘portë’ dhe platformë tregtare transiti në Evropën Perëndimore përmes “kurthit ekonomik”.
Në kuadër të projektit “Europeanisation Beyond Process” [‘Evropianizimi përtej procesit’] të mbështetur nga “Balkans Policy Research Group” [BPRG] dhe “European Policy Institute” [EPI], është botuar përmbledhja e raporteve anketuese: “The Albanian Geopolitical Factor in the Western Balkans” (Faktori gjeopolitik shqiptar në Ballkanin Perëndimor) të një grupi autorësh shqiptarë, nën redaktimin e publicistit Leonie Vrugtman, botuar në fillim të vitit të kaluar (2021). Raporti ka hetuar rolin e faktorit gjeopolitik shqiptar në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, duke ndarë pikëpamjet dhe perceptimet e shqiptarëve në shërbim të faktorit stabilizues në rajon, në marrëdhënie me fqinjët dhe në procesin e zhvillimit, stabilitetit, demokratizimit dhe integrimit. Studimi synon të krijojë një udhërrëfyes për vitin 2030, në lidhje me faktorin gjeopolitik shqiptar dhe kontributin e tij në një sërë çështjesh kyçe të demokratizimit, sundimit të ligjit, bashkëpunimit rajonal dhe integrimit evroatlantik.
Variacionet në reputacionin, besimin dhe besueshmërinë e faktorit politik shqiptar na ndihmojnë të kuptojmë se çfarë mendojnë elitat etnike shqiptare nga Republika e Shqipërisë, Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës për kontributin e faktorit politik shqiptar në kyçet lokale dhe rajonale. Studimi ofron një pasqyrë të vlefshme në nivelet e perceptuara të mbështetjes për narrativat nacionaliste midis aktorëve politikë dhe qytetarëve. Perceptimet e të anketuarve ndihmojnë në zhvillimin e një agjende për faktorin shqiptar, se si mund të shërbejë si një spirancë e zhvillimit socio-ekonomik dhe një shtyllë për proceset integruese evropiane në Ballkanin Perëndimor në tërësi.
Diskutimi nuk përkufizohet me marrëdhëniet e shqiptarëve me të huajt, apo të huajve me shqiptarët, por kryesisht “të shqiptarëve me vetveten”! Në hyrje të raportit janë vënë në dukje tri dekadat post-komuniste, në të cilat shqiptarët janë përballur me pasojat e konflikteve që kanë rezultuar në varfëri, korrupsion, qeverisje të dobët dhe dëshpërim ekonomik. Ato ballafaqohen me problemet e zhvillimit dhe mbijetesës, me antagonizma të shumta të politikës së brendshme, me çështjen e kombësive dhe pakicave fetare, me ekonomi të pazhvilluar, me siguri të dobët juridike, me korrupsion etj. (vijon)
