
Lidhja Demokratike në Mal të Zi (LD në MZ) mbetet sot e kësaj dite një nga gurët themeltarë të pluralizmit politik shqiptar në trojet tona – etnike, autoktone e stërgjyshore dhe një bartëse e pandalshme e frymës demokratike. Themeluar më 9 shtator 1990, në një kohë kur rajoni përjetonte tronditje të mëdha politike, kjo forcë politike ishte zëri i parë i artikuluar i shqiptarëve në Malin e Zi, që kërkonte hapur respektimin e lirive themelore, të drejtave kombëtare dhe barazinë qytetare.
Në një periudhë kur mendimi ndryshe shihej me dyshim, kur shprehja e lirë ishte ende e rrezikshme, LD në MZ u shfaq si guxim, si vullnet dhe si shpresë për një të ardhme më të denjë për shqiptarët. Ky guxim politik i viteve ’90 të shekullit të kaluar, nuk ishte vetëm një hap drejt pluralizmit, por edhe një deklaratë e qartë se shqiptarët në Malin e Zi nuk do të mbeteshin spektatorë në proceset vendimtare për fatin e tyre, por do të bëheshin aktorë dhe faktorë në skenën politike.
Të sjellim në rikujtesë disa nga ngarjet më të ndjeshme:
Sutormani – ku sipas burimeve, rreth 750 të rinj shqiptarë nga Ana e Malit, Ulqini, Kraja
(komuna e Tivarit) dhe disa treva të tjera shqiptare në Malin e Zi i kishin mobilizuar në Ushtrinë Jugosllave (JNA), në korrik të vitit 1991. Qëllimi i këtij mobilizimi ishte angazhimi i tyre në operacionet ushtarake të JNA-së në Kroaci.
Si rezultat i angazhimit të drejtpërdrejtë të z. Mehmet Bardhi, në atë kohë kryetar i Kuvendit të Komunës së Ulqinit dhe njëkohësisht kryetar i LD në MZ-së, i cili, i mbështetur edhe nga qytetarët dhe familjarët e të mobilizuarve, zhvilloi bisedime intensive me autoritetet malazeze dhe ushtarake të kohës e të cilët u detyruan të tërhiqeshin nga vendimi për dërgimin e shqiptarëve, mish për top në zonat e luftës.
Ky akt mbetet një prej momenteve më të rëndësishme të qëndresës paqësore të shqiptarëve në Malin e Zi, sepse:
- parandaloi përfshirjen e tyre në një luftë të përgjakshme që nuk u përkiste shqiptarëve;
- forcoi rolin e LD në MZ-së si zë i shqiptarëve;
- dhe dëshmoi fuqinë e organizimit qytetar kur bashkohet me veprimin politik.
Dëbimi masiv i shqiptarëve me dhunë nga ushtria dhe policia serbe gjatë luftës në Kosovë – me përmasa gjenocidale, ku LD në MZ hapi zyrat e veta në Rozhajë, Plavë e Guci, Malësi, Krajë, Anë të Malit e Ulqin me qëllim të ofrimit të logjistikës dhe menaxhimit të situatës mjaft komplekse të krijuar me këtë rast, duke ua mundësuar kontaktet me familjarët e deri te strehimi, regjistrimi dhe sigurimi i ushqimeve në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Komisariatin për Refugjatë në komunën e Ulqinit, në krye të së cilit ishte z. Tahir Pereziqi, i zgjedhur nga Parlamenti i atëhershëm i Malit të Zi.
Këto mbeten dy nga ngjarjet më kritike të cilat LD në MZ i menaxhoi në mënyrën më të mirë të mundshme në rrethana të cilësuara. Edhe pse njerëzimi është i predispozuar të harrojë, historia do ta shënojë me shkronja kapitale.
Gjatë tri dekadave e gjysmë të ekzistencës, LD në MZ ka qenë gjithmonë në vijën e parë të angazhimit politik, kulturor dhe kombëtar. Ajo ka marrë pjesë në të gjitha proceset zgjedhore, duke dhënë përfaqësuesit e saj në kuvendet lokale – në Ulqin, Tivar, Podgoricë, Tuz, Plavë e Rozhajë dhe në Parlamentin e Malit të Zi.
Nëpërmjet aktiviteteve të vazhdueshme, LD në MZ ka mbrojtur përdorimin e gjuhës shqipe, simbolit kombëtar – Flamurit kuq e zi, ruajtjen e identitetit kulturor, zhvillimin e arsimit në gjuhën amtare, regjistrimin e studentëve të ardhshëm në universitetet e Shqipërisë dhe Kosovës (në vitet e para të pluralizmit kur situata në Kosovë përkeqësohej dita-ditës e në Shqipëri thuajse ishte e pamundur) dhe ka ngritur vazhdimisht zërin për decentralizim, përfaqësim të drejtë dhe barazi në administratën publike. Rikthimin e Komunës së Tuzit me kompetenca të plota (si rezultat i këtij angazhimi, kryetari i parë i Kuvendit të Komunës së Tuzit u zgjodh nga radhët e LD në MZ-së). Po ashtu, ka qenë gjithmonë e pranishme në debatet e rëndësishme për pavarësimin e Malit të Zi (Procesi i Referendumit) për integrimin euro-atlantik të Malit të Zi dhe në strukturat e NATO-s, duke i parë këto procese si garanci për më shumë demokraci dhe respekt të të drejtave të njeriut dhe stabilitetit rajonal.
Në këto 35 vjet aktivitet, rrugëtimi ynë nuk ka qenë i lehtë. LD në MZ është përballur me sfida të shumta – nga presioni politik dhe përçarjet e brendshme, deri te mungesa e mbështetjes institucionale dhe shpeshherë indiferenca e qeverive ndaj kërkesave të shqiptarëve. Fragmentarizimi i skenës politike shqiptare ka qenë një nga pengesat më të mëdha, pasi ndarja e votës ka dobësuar fuqinë përfaqësuese. Andaj, angazhimi ynë parësor mbetet bashkëpunimi dhe unifikimi i faktorit politik shqiptar në mënyrë që vota shqiptare të mos shpërndahet.
Gjithashtu, ndryshimet e shpejta në Mal të Zi dhe në rajon kanë kërkuar përshtatje të vazhdushme, ndërkohë që kërkesat e reja të shoqërisë moderne shpesh nuk kanë gjetur përgjigje të menjëhershme. Megjithatë, LD në MZ ka arritur të mbijetojë, duke ruajtur karakterin e saj autentik dhe duke qëndruar si simbol i vazhdimësisë historike të përfaqësimit shqiptar.
Misioni i LD në MZ-së është i qartë: të garantojë të drejta të barabarta për shqiptarët në Malin e Zi dhe të kontribuojë në ndërtimin e një shoqërie demokratike, ku respekti për diversitetin të jetë vlerë themelore. Kjo nënkupton një angazhim të pandalshëm për: - arsimin cilësor në gjuhën shqipe;
- ruajtjen e trashëgimisë kombëtare dhe kulturore;
- përfaqësimin proporcional në institucionet shtetërore;
- zhvillimin ekonomik të zonave shqiptare, që shpesh kanë mbetur të lëna pas dore;
- bashkëpunimin e ndershëm me të gjitha forcat politike, pa hequr dorë nga parimet kombëtare
LD në MZ mbetet sot jo vetëm një parti politike, por edhe një trashëgimi morale e brezave që sakrifikuan për lirinë e shprehjes dhe për dinjitetin shqiptar dhe ardhmëri për brezat e ardhshëm për ta çuar më tej misionin dhe amanetin e vitit 1990.
Në kohën kur shqiptarët përballen me sfida të reja – emigracionin, humbjen e popullsisë, integrimin e ngadalshëm – LD në MZ duhet të jetë dhe mbetet një qendër bashkimi dhe reflektimi. Historia e saj është një testament se pa organizim politik dhe pa zë të fuqishëm, të drejtat nuk dhurohen, por fitohen.
Prandaj, LD në MZ është thirrje për unitet, për vizion dhe për guxim. Ashtu siç ishte në vitin 1990, edhe sot mbetet një dritë udhërrëfyese për të gjithë ata që besojnë se shqiptarët në Malin e Zi meritojnë një të ardhme më të mirë, më të barabartë dhe më të denjë.
(Autori është kryetar i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi)
