Teoria politike tregon se është vështirë për të njohur tabiatin e politikës

Të gjitha konfliktet e mëdha globale në fushën e shkencës, artit, moralit, fesë dhe politikës kanë qenë konflikte të intelektualëve me qëndrime dhe përcaktime të ndryshme dhe divergjente mbi drejtimet dhe orientimet socio-historike. Miti mbi intelektualët është prishur edhe me faktin që një numër i madh i personave të arsimuar shpeshherë është bërë pjesë e pandarë e regjimeve politike autokratike

Nikë Gashaj

Shikuar historikisht, në përgjithësi dallohen dy rryma të kundërta dhe të fuqishme intelektuale në raport me politikën si atribut i pushtetit shtetëror.
Rrymën e parë e përbëjnë intelektualët – ithtarë të filozofisë pozitiviste, respektivisht funksionale. Sipas tyre, e gjithë ajo që shmanget dhe që del jashtë regjimit politik është vetëm devijim, deformim dhe rast patologjik. Kjo rrymë intelektuale është imponuar vazhdimisht me një ofertë të hapur, që është e gatshme të veprojë në ruajtjen e regjimit politik dhe mbrojtjen e interesave të veta nga sulmet revolucionare – ndryshimet.
Një drejtim i tillë social ka qenë i përbashkët për të gjithë protagonistët e tij, që nga Konti, përmes Dirkemit, deri te Veberi. I tërë kapitali intelektual ishte i përqendruar në hulumtimin e një ane të realitetit: rendit shoqëror, stabilizimit të strukturës politike ekzistuese – edhe pse ajo në raste të shpeshta ka qenë një sistem politiko-shoqëror johuman. Në të vërtetë, ky drejtim në thelb ka qenë një koncept statik për mbrojtjen e status quo-së, si dhe një ideologji konservatore mbi shoqërinë dhe politikën.
Rryma e dytë intelektuale ka qenë bartëse e filozofisë dialektike-kritike, që do të thotë një vizion i ri mbi mundësitë e reja njerëzore dhe shoqërore, që e ka kapërcyer strukturën ekzistuese politike dhe njëherit ka qenë armë ideore për ndërrimin e saj. Kjo rrymë ka qenë ana intelektuale e procesit të emancipimit historik të njëmendësisë shoqërore. Këtë orientim e kanë përfaqësuar një plejadë e autoriteteve të njohura intelektuale sikurse janë: Llukaç, Korsh, Blloh, Sartër, From, Markuze, Mills, Golldman, Kosik, Goulldner, Horkhajmer etj.
Nga kjo rrjedh se të gjitha konfliktet e mëdha globale në fushën e shkencës, artit, moralit, fesë dhe politikës kanë qenë konflikte të intelektualëve me qëndrime dhe përcaktime të ndryshme dhe divergjente mbi drejtimet dhe orientimet socio-historike. Miti mbi intelektualët është prishur edhe me faktin që një numër i madh i personave të arsimuar shpeshherë është bërë pjesë e pandarë e regjimeve politike autokratike. Janë bërë pjesë të sistemeve politike të bazuara në dominim, tjetërsim dhe dehumanizim.
Intelektualët e tillë në punën e vet janë të përulur dhe të përvujtur, si dhe të nënshtruar ndaj qendrave të forcave politike dhe interesit për përfitim.
Po ashtu, fatkeqësisht, në histori ndodh që politikën shtetërore ta drejtojnë strukturat mediokre, të cilat shpesh i persekutojnë dhe i dënojnë krijuesit dhe intelektualët e denjë, si dhe personat me të cilët nuk u përputhen mendimet, duke i kompensuar kështu ndjenjat e veta të paaftësisë dhe të sterilitetit. Arsimimi i tyre është i përcjellë me një verbërim shpirtëror, të pandjeshëm për probleme jashtë rrethit të tyre të ngushtë të interesit.
Njohuritë e tyre janë të njëanshme dhe të përcipta. Ata në praktikën politike drejtohen dhe udhëhiqen nga pozita e utilitarizmit, korrupsionit, kontrabandës, keqpërdorimeve dhe krimeve të ndryshme.
Natyrisht se personat e tillë, në mjedisin në të cilin jetojnë, përjetojnë qortime e përbuzje, mospërfillje dhe injorim. Në këtë mënyrë ata janë të zhvlerësuar në pikëpamje morale, politike, intelektuale dhe njerëzore. Ndërkaq, duhet të themi se përkufizimi i vjetëruar i cili çdo person që ka kryer ndonjë fakultet apo shkollë të lartë e konsideron si intelektual dhe i cili mbështetet në kriteret formale burokratike, nuk është më i mjaftueshëm për t’u kuptuar esenca e jetës intelektuale dhe roli i intelektualëve.
Meqenëse me një klasifikim të tillë edhe oficeri policor paraqitet si intelektual vetëm për arsye se ka studiuar akademinë policore, drejtësinë apo kriminalistikën, edhe pse horizonti i tij mendor nuk e tejkalon teknikën e thyerjes, shpartallimit dhe ndërprerjes së demonstratave të punëtorëve, studentëve etj.
Në anën tjetër kemi intelektualët humanistë dhe kreativë, të cilët sipas natyrës së vet dëshirojnë të jenë autonomë dhe jokonformistë. Ata synojnë të jenë mendimtarë të lirë, krijues të ideve, vlerave dhe marrëdhënieve të reja. Janë mendjethellë dhe qenie humaniste, të ndjeshëm për problemet e njeriut, të popujve dhe të pakicave etnonacionale. Mirëpo, politika dhe raporti i saj ndaj humanizmit shumë herë janë koncepte jokompatibile dhe në kundërthënie. Politika e tillë për krijuesin dhe intelektualin e denjë ka njëfarë ngjyrosjeje socio-etike, për çka ata ngrihen kundër kësaj politike, e cila nuk është në favor të së vërtetës, të progresit, si dhe të emancipimit njerëzor dhe kombëtar.
Në botën në te cilën jetojmë jemi dëshmitarë të lëvizjeve dhe ngjarjeve historike në të cilat logjika e forcës dhe logjika e së vërtetës janë në kundërshtim. Neve na duket se atë raport e ka shpjeguar bukur Gorki, kur ka thënë: “Shteti e vret njeriun në mënyrë që në të të ngjallet kafsha, e mbasi me forcën e asaj kafshe e forcon pushtetin e vet, lufton kundër mprehtësisë së arsyes, e cila gjithmonë është armik i dhunës”. Ato janë momentet më të errëta të historisë. Por, ajo pasqyron raportin midis politikës joliberale në njërën anë dhe qytetarëve e inteligjencës në anën tjetër. Po ashtu, kjo tregon arsyet kryesore pse intelektualët krijues e të denjë nuk janë të angazhuar në politikë. Sepse, ata dëshirojnë të ruajnë dhe të mbrojnë dinjitetin dhe integritetin e vet njerëzor dhe intelektual.
Historia ka mjaft shembuj të antiintelektualizmit si politikë iracionale e mohimit të veprimtarisë kritike të inteligjencës humaniste dhe krijuese. Por edhe kur krijuesit dhe intelektualët e denjë kanë qenë krejtësisht afër rrethit më të ngushtë politik, numri më i madh i mendimtarëve nuk kanë arritur që plotësisht të depërtojnë në fshehtësitë politike. Teoria politike tregon se është vështirë për të njohur tabiatin e politikës. Ajo u ka përgatitur befasi edhe intelektualëve më të njohur të mendimit njerëzor e politik. Që ironia të jetë më e madhe, edhe atëherë kur ata kanë qenë në miqësi dhe krah për krah me pushtetarët.
Platoni dy herë për pak sa nuk e ka paguar me kokë, për arsye se pushtetarëve të Sirakuzës, përndryshe miq të tij dhe me ftesën e tyre, u ka dhënë këshilla të “tepërta”.
Kemi gjithashtu edhe një rast tjetër, vetëm se me një epilog më të rëndë, që ndodhi dy mijë vjet më vonë me Tomas Morin, të cilin Henriku VIII, përndryshe admirues dhe mik i madh i tij, ia ka prerë dënimin që ka paraqitur një shembull më drastik të brutalitetit në mesjetë. Edhe në kohët më të reja kemi dukuri të ngjashme.
Një raport i tillë i politikës ndaj mendimtarëve shpie deri në apati, e cila është e natyrës jo vetëm gnoseologjike, por edhe morale-politike. Nga ajo parashtrohen pyetje të shpeshta nga mendimtarët politikë: çfarë është rëndësia e kuptimit dhe e njohjes së politikës, në qoftë se ajo nuk mund të ketë ndikim në rrjedhat e zhvillimit dhe të artikulimit të politikës shtetërore.
(Autori është politolog dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Duklës)

Të fundit

më të lexuarat