
(vijon nga numri i kaluar)
Natyrisht që do të gjejmë koncepte të ndyshme se çfarë në të vërtetë është përkufizimi i ateizmit? David Wootton përshkruan mënyrën në të cilën termi “ateist” ishte aplikuar zakonisht për ata që: “kanë mohuar ekzistencën e një ligji të vendosur nga Perëndia, kanë mohuar ekzistencën e providencës Hyjnore, ose me veprimet e tyre të japin të kuptosh një mosbesim të tillë” [Wootton:1985, f. 86]. Disa mendimtarë kanë konstatuar se ateizmi është një kombinim i epikuranizmit dhe makiavelizmit, në kërkim të kënaqësisë trupore, pa frikën e ndëshkimit hyjnor [Hume:1995]! Të tjerët i kanë dhënë ngjyrime politike, siç kanë bërë biografët mesjetarë të Evropës. Neils Hemmingsen (1513-1600), për shembull, në traktin “Enchiridion theologlcum” (1581) në kuadër të ateistëve fuste të gjithë ata që nuk ishin protestantë: turqit (myslimanët), çifutët, papistët (katolikët) dhe heretikët, të gjithë “kundër Zotit” [Hemmingsen:1581, f. 80]. Philip Mornay (1549-1623) i radhiste në një kategori: ateistë, epikurianë, çifutë e mahumetanë [Mornay:1587], këta të fundit duke i radhitur me ambicie politike. Ata e quanin Muhamedin (savs) si “shtrembërues i fesë së vërtetë”, ose si “mosbesimtar”! Teologu anti-katolik William Whitaker (1583) e konsideronte islamin si një “fe ateiste”, duke shpjeguar se: “Ateizmi turk është refuzimi i lindjes së Krishtit nga një virgjëreshë. Asnjë i krishterë nuk mund të mendojë ndryshe veçse një ateizëm i pastër” [Whitaker:1585, f. 160]. Vetë teksti dhe ngjarja e paraqitur te drama “Tragjedia e Selimit, perandorit të turqve” (1594), ku paraqitet një personazh mysliman në një deklaratë të qartë materialiste [Vitkus:2000], ishte “një diskurs interesant i ateizmit që hyn në debatin mbi dimensionin ideologjik të fesë”, si një përmbysje e ‘moralit të krishterë’ [Dollimore:1989, f. 85, 173].
Siç shihet, gjatë periudhës së hershme moderne, termi “ateist” përdorej si një fyerje kundrejt një grupi të gjerë njerëzish që mbanin bindje teologjike të kundërta [Davidson:1992, ff. 55-86], me theks të veçantë për islamin. Henry Smith, për shembull, e rendiste islamin në rendin e ateistëve, se “feja e Muhamedit është fe e shpifur dhe e dobët” [Smith:1593], ndërkohë që Joseph Wybame, e përgënjeshtronte islamin në proporcion me judaizmin [Wybame:1609], sepse: “Islami është një fe e re me emra të vjetër” [Jenkins:2007]. Ishte edhe William Biddulph (1434-1511) më parë, i cili tek “Udhëtimet e një anglezi” (1609) e konsideronte vetë Muhamedin (as) si një “ateist”!
Në vështrimin e tyre, ateisti ishte një person “që nuk besonte në Ligjin e Zotit” në kuptimin e krishterë! Në versionin e Thomas Newton-it (1704–1782) paraqitet ‘analiza’ ateiste mbi origjinën e fesë së Muhamedit (as) që përshkruhej si ‘ambicioz politik’ [Newton:1575]. Të tillë ‘fytyrë’ kishte edhe editoriali i një gazete amerikane në vitin 1831, atë të idesë më të hershme të Whitaker-it, ku shkruhej se “ateizmi ishte një e keqe” e cila bashkë me infidelët kishte për qëllim të hynte në aleancë me katolikët për të shkatërruar protestianizmin, që kështu të ngulfaste krishterimin [Massachusetts Yeoman, 15. 01. 1831]. Ishte kjo ideja e John Locke’s (1632-1704), një themelues i nocioneve moderne të “lirisë fetare”, i cili argumentonte se ateistëve, katolikëve dhe myslimanëve nuk duhej t’u jepej: “e drejta e plotë e shtetësisë” [Martin:2007, ff. 250–253]! Në këtë kontekst, Presidenti i gjashtë John Adams (1735-1794), rivali i Thomas Jeffersonit, akuzohej të ishte një “mysliman” [William and Mary Quarterly, #4/1948, f. 467], njëjtë siç u etiketua pas tij edhe Jeffersoni (1743-1826) [Spellberg:2013, f. 212].
Pa dyshim, ateizmi u rigjallërua me “konfliktin ndërmjet shkencës dhe religjionit” dhe këtë konflikt e shkaktoi dukshëm kisha. Njeriu perëndimor nga religjioni, që në periudhën e dominimit të Kishës i kundervihej shkencës, u bë kundërshtar i religjionit, nga “religjioni pa qytetërim” u bë “qytetërim pa religjion”, iu kthye ndërtimit material duke e lënë pas dore jetën pas vdekjes, përkatësisht duke u shndërruar krejtesisht në indiferent ndaj ekzistencës së Zotit [Latiç:2020, II, ff. 59-60]. Ndonëse filozofia e tij bëri përpjekje për të dhënë shpjegime të tilla, ajo nuk ka arritur asnjë parim filozofik, nuk zgjodhi asnjë problem, nuk solli asnjë të re në lidhje me krijimin e botës dhe njeriut, me kuptimin e jetës dhe fatin e tij pas vdekjes? Kjo ishte thjesht “të ikësh prej botës, të zgjedhësh imagjinatën” [Ozel: 2009, ff. 39-40]!
Çdo studiues që është marrë sadopak me këtë subjekt, e ka të njohur paraqitjen tragjike të sistemit kishtar dhe injorancën e tyre kur matematikani, mjeku dhe astronomi Galilei Galileo (1564-1642) u detyrua nga inkuizicioni (1633) që të heqë dorë nga përkrahja e teorisë së Kopernikut mbi sistemin solar [White:1960, I, ff. 144-170]. Teoria e tij u vlerësua si “ateiste” nga kisha, sipas së cilës “gjeometria ishte djallëzore”, kurse “matematika duhej të ndalohej sikurse të gjitha herezitë e tjera”! Që të mos pësojë ‘fatin’ e turrës së druve sikurse Gjordano Bruno (1548-1600), Galileo u detyrua të ‘tërheqë’ mendimin “antikishtar” se bota sillet dhe se është e rrumbullakët, por në shenjë proteste kishte mërmëritur “E pur se Muov” (e megjithatë lëvizë) [Islamic Culture, #1/1937]. Kisha kamxhikoi Pernilin për shkak të deklarimit se yjet nuk dalin nga trajektoret e tyre të caktuara; torturoi Harveyin për argumentin se gjaku qarkullon nëpër arterie dhe vena; burgosi 27 herë Complandin për shkak të pohimit se ekzistojnë shumë ‘botëra’ të tjera pos tokës; burgosi Kolombon që kishte ‘zbuluar’ vende që nuk i përmendë Bibla; shkishëroi Paskalin, Monteyin dhe Millerin për shkak të ‘blasfemisë’ dhe ‘amoralitetit’! Të gjithë këta ishin ngarkuar me mëkatin e afetarisë.
Jo rastësisht, “Enciklopedia katolike” thotë se një trajtim i tillë i Galileut ishte një gabim që “nuk mund ta arsyetojmë” [New Catholic Encyclopedia, VI, f. 254]. Kisha Katolike nuk ka lejuar kurrë të ketë “treg idesh” në mesin e shoqërisë, sepse idetë e saj kanë qenë “produkte” inferiore dhe në pamundesi për t’i mbrojtur kundrejt teorive të tjera, është përpjekur t’i ruaj duke ushtruar dhunë. Protestanizmi u tregua fillimisht si përmirësues i kësaj situate, por përfundoi duke ua dhënë grushtin më të madh dashamirëve të kulturës dhe duke e ashpërsuar gjithnjë e më shumë luftën ndërmjet tyre! Eprorët e ri nuk patën qëllim tjetër veçse të fitojnë influencën kundrejt kishës së Romës, por edhe si bashkëshkaktarë për ta zhytur Evropën në gjak dhe për të sjellë më vonë teori darviniane!
Natyrisht që teoria darviniste përbën bazën moderne të filozofive ateiste, teori që pretendon se qeniet e gjalla janë zhvilluar si “rezultat i rastësive”, një koncept indoktrinues si “përzgjedhja natyrore”, si “lufta për ekzistencë” apo si “mbijetesë e më të përshtatshmit”, duke përjashtuar virtytet e mëshirës, dhembshurisë, vetëflijimit dhe përulësisë, që janë vlerat morale të tre besimeve monoteiste. Ai u jepte njerëzve mesazhin mashtrues me moral të ulët: “Ju nuk jeni përgjegjës ndaj askujt, ia detyroni jetën tuaj rastësive, keni nevojë të luftoni dhe për të pasur sukses ju duhet të shtypni të tjerët. Kjo është bota e përplasjes dhe e interesit vetjak.” Me librin e tij “Origjina e llojeve” (1859) Charles Darvini (1809-1882) nuk u bë i njohur për vlerat shkencore, por për kuptimin ideologjik të tij! Megjithatë vetë fjala “evolucion” nuk u shfaq deri në edicionin e vitit 1872 [Jaki:1986, f. 282]! Ai nuk arriti asnjë gjetje konkrete për të dëshmuar pretendimet e tij “të rastësive” dhe prandaj u detyrua më pas të pranonte disa dështime në “problematikat e teorisë”. Ai madje pohon se në kohën kur e kishte shkruar “Origjinën e llojeve” kishte qenë një teist! Edhe Marksi (1818-1883) që e kishte vlerësuar fenë si “opium”, nuk qe vetëm themelues i “materalizmit dialektik”, por edhe një “adhurues i zjarrtë” i Dravinit, siç i shkruante në kopjen e “Kapitalit” (1867) që i dërgoi. Edhe ai qe për idenë platoniste kundër jetës familjare: “Fëmijët e dy gjinive, s’do mbrojtur prej askujt më shumë se prej prindërve të tyre”. E mendonte fenë si një shkak për ndarjen e njerëzve në klasa!
(vijon)
