Si në Krajë, ashtu dhe në dy shtetet tona amë ikja e energjisë rinore e pozitive është e frikshme. Me jetët tona po luhet teatër dhe është sensplotë ai që ka fatin të shkelë mbi dërrasa, sepse shumica gjenden poshtë, duke i bërë shtratin dyshemesë së teatrit. Pakicat kombëtare nuk besoj të gjenden as aty, veçse në rrjetin e ujërave me ngjyra, ndonjë me pak më shumë fat tek ata pa ngjyrë e erë. Kur u ndamë, kështu na ra’. Kështu thuhet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, apo jo!?
1.
Papritur, në një nga tarracat e Ranës ku jam ulur të kaloj pak kohë, hynë Shiu i Verës. Në dy tavolinat djathtas meje, janë ulur veçmas dy burra rreth të pesëdhjetave. Shiu i Verës që stërpikë mbi çadrat e tarracës, pas një mbushjeje të thellë me frymë, i nxjerrë të parit disahershëm fjalinë: “Bjer o shi, hë, bjersh i bardhë”. Tjetri, sikur kishte pritur që i pari të vërë pikën, duhet të ketë marrë frymë cekët e disahershëm para se të kundërvihej me nervozitet ndaj tij: “Përse po ndjellë keq, hë!? Po lutesh që të më pritet buka, apo. Këtë do!?”
Sezoni turistik kishte nisur me mot të paqëndrueshëm, çka e rriste frikën që të zgjasë edhe më shkurt se zakonisht. Paradoksalisht, shiu theksohet të jetë shenjë bereqeti, gjasme përjashtuar ditët e dasmave dhe së fundmi ditët e sezonit të verimeve. Ulqini numëron ditë turistike vjetore aq sa thuhet të disponojë me kilometra vijë bregdetare. Tjetër paradoks.

