
(vijon nga numri i kaluar)
Një ndër format e veprimtarisë ishte edhe shkrimi i parullave dhe shtypja e shpërndarja e trakteve. Përveç te studentët, që ishte shtresa më vitale dhe më premtuese, parullat dhe traktet do të shpërndahen te punëtorët, veçmas te minatorët në Mitrovicë, në Tunelin e Parë, në Stan Tërg, Kishnicë, Ajvali, Golesh, Magurë, si pjesa më e shfrytëzuar e shoqërisë. Me trakte e parulla, përveç tjerash, goditej e nxitej urrejtja ndaj regjimit pushtues jugosllav dhe veglave të tij, por assesi urrejtje ndaj popullit serb, malazias, maqedonas, prej nga ishin drejtuesit kryesorë të organeve shtetërore që ushtronin dhunë dhe presion ndaj shqiptarëve. Për këtë arsye, në vitet 1973 e 1974, traktet shkruheshin edhe në gjuhën serbokroate, siç quhej gjuha zyrtare në atë kohë. Përveç kësaj, paramendohej se federata jugosllave, si e tillë, një ditë do të shkonte në theqafje, prandaj synonim të përafroheshim e bashkëpunonim edhe me pjesëtarë të popujve që kishin pësuar në të kaluarën nga i njëjti pushtues, siç ishin veprimtarët boshnjakë e, sidomos kroatët, të cilët, pas shqiptarëve, përbënin numrin më të madh të të përndjekurve, të arrestuarve dhe të vrarëve.
Përkundër disiplinës e respektimit të masave rigoroze të konspiracionit, veprimtarët e grupeve klandestine ndodhte të zbulohen, arrestohen e dënohen me shumë vite burg, gjë që është e kuptueshme kur të kihet parasysh shumësia dhe shtrirja e organeve ndjekëse të shtetit policor jugosllav.
Në fillim të majit 1974 do të arrestohen një pjesë e drejtuesve të Grupit, por falë qëndresës së tyre gjatë hetimeve, përkundër torturave të rënda e të llojllojta, anëtarët tjerë nuk do t’i zbulojnë. Në vitin 1975, përsëri do të arrestohen disa veprimtarë, në mesin e të cilëve, për herë të tretë, edhe baca Adem Demaçi, por veprimtaria e GRK-së dhe e grupeve tjera, s’kishte të ndalur
Në fillim të majit 1974 do të arrestohen një pjesë e drejtuesve të Grupit, por falë qëndresës së tyre gjatë hetimeve, përkundër torturave të rënda e të llojllojta, anëtarët tjerë nuk do t’i zbulojnë.
Në vitin 1975, përsëri do të arrestohen disa veprimtarë, në mesin e të cilëve, për herë të tretë, edhe baca Adem Demaçi, por veprimtaria e GRK-së dhe e grupeve tjera, s’kishte të ndalur. Ajo vazhdonte të zhvillohej me sukses, ndonëse me shumë goditje e sakrifica. Përkitazi me këtë, drejtuesi i GRK-OMLK-së, Mehmet Hajrizi, i cili do të mbetet në liri deri në fund të vitit 1981 kur arrestohet, shkruan: “GRK-OMLK, së bashku me organizata të tjera klandestine, konsiderohet bazament i veprimtarisë së mëvonshme atdhetare e çlirimtare, që kulmoi me organizimin dhe luftën e lavdishme të UÇK-së”. (Mehmet Hajrizi, Profili, 3.3.23)
Se ç’punë të pandërprerë e sakrifica do të bëjnë anëtarët e GRK-së, por edhe veprimtarët e organizatave të tjera atdhetare, disa prej të cilëve ishin detyruar të kalonin e vepronin në Perëndim, prej nga dërgonin mjete financiare, sillnin mjete të nevojshme teknike dhe mbrojtëse, literaturë që botohej e dërgohej nga Tirana dhe gazeta që i botonin vetë, do të shihet nga niveli i organizimit dhe numri i pjesëmarrësve në demonstratat e muajit mars e, veçmas, në ato të 1 e 2 prillit 1981, të cilat morën përmasat e kryengritjes gjithëpopullore.
Me qëllim të marrjes së këshillave e sugjerimeve për veprimtarinë atdhetare, GRK kishte vënë kontakte me personalitete gjegjëse të shtetit shqiptar, tek i cili kishte besim të palëkundshëm. Siç është dëshmuar, ky veprim ishte i qëlluar dhe i domosdoshëm. Pa udhëzimet e sugjerimet e shtetit shqiptar, pa ndihmën dhe përkrahjen e tij, Lëvizja Kombëtare e as Lufta e UÇK-së, nuk do të ishte e suksesshme dhe nuk do të arrihej liria e Kosovës. Ata të cilët janë përpjekur dhe përpiqen edhe tani ta arsyetojnë rreshtimin e tyre në anën e kundërt të historisë kombëtare, duke i quajtur veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare Çlirimtare “marksistë-leninistë”, “enveristë”, “komunistë” duhet pyetur: Kush sakrifikoi me dekada dhe mbajti të ndezur flakën e luftës për liri?! Kush e organizoi dhe mori pjesë në UÇK-në – enveristët apo titoistët jugosllavë? Po të ishim pajtuar me robërinë, ku do të ishte Kosova sot? Ku është Vojvodina sot? Sanxhaku?… Me çka do t’i dëshmonim botës se ne e meritojmë lirinë. Kur SHBA-të dhe shtetet demokratike panë se bijat e bijtë më të mirë, me të cilët identifikohet populli, janë të gatshëm të luftojnë deri në vdekje për liri e pavarësi, atëherë u ra ndërmend për ne.
Për rininë e ndërgjegjshme, që iu përgjigj përmbushjes së këtij detyrimi duke flijuar edhe jetën, akademik Rexhep Qosja shkruan: “Po të mos ishte rinia studentore do të mund të quheshim popull i pa dinjitet.” E, popull i pa dinjitet dhe i padenjë për të qenë i lirë do të quheshim edhe sikur mos të ishte formuar UÇK e të mos luftonim për ta bërë Kosovën të lirë e të pavarur
Të luftosh për lirinë e Atdheut të robëruar është detyrim njerëzor e moral. Për rininë e ndërgjegjshme, që iu përgjigj përmbushjes së këtij detyrimi duke flijuar edhe jetën, akademik Rexhep Qosja shkruan: “Po të mos ishte rinia studentore do të mund të quheshim popull i pa dinjitet.” E, popull i pa dinjitet dhe i padenjë për të qenë i lirë do të quheshim edhe sikur mos të ishte formuar UÇK e të mos luftonim për ta bërë Kosovën të lirë e të pavarur.
Mjerisht, në kundërshtim me të drejtën e popujve për të luftuar robërinë, pra edhe në kundërshtim me të drejtën tonë për të luftuar për të mos u zhbërë si popull, qarqe të caktuara vendimmarrëse, për interesa të tyre strategjike, me akuza të padrejta ndaj drejtuesve të luftës së UÇK-së, po bëjnë përpjekje të mohojnë karakterin mbrojtës e të drejtë të luftës sonë çlirimtare, me çka rrezikojnë edhe këtë liri që ne gëzojmë, në themelet e së cilës është gjaku i bijëve e bijave të popullit tonë. E, qëndrimi ndaj drejtuesve të UÇK-së është qëndrim edhe ndaj luftës së drejtë të UÇK-së e, njëherësh, edhe dëshmi e përgjegjësisë sonë kolektive dhe e vlerave morale, atdhetare dhe politike e secilit individ.
Kur i referohemi historisë, është bërë shprehi të thuhet se historia përsëritet. Jo! Kjo thënie nuk qëndron. Përsëriten vetëm çështjet e pazgjidhura drejt.
Duke shprehur përgëzimin tim të thellë për organizimin e këtij aktiviteti, uroj që sakrificat e brezave të njëpasnjëshëm, sakrificat e familjes Hajrizi dhe sakrificat e familjeve tjera atdhetare në veçanti, të na ndërgjegjësojnë për bashkimin e forcave, si në çaste vendimtare historike, çfarë është edhe kjo periudhë, pavarësisht përkatësive partiake, për të punuar në të mirë të popullit dhe Atdheut tonë! (Fund)
(Fjala e lexuar me rastin e shënimit të 50-vjetorit të GRK-së dhe vendosjes së pllakës përkujtimore në shtëpinë e Bahtir Hajrizit, ku është themeluar kjo organizatë)
