
Shqiptarët kanë vuajtur gjithmonë nga braktisja e popullatës. Emigrimi është një plagë e kahmotshme ndër shqiptarët, një epidemi mbarëkombëtare që ka prekur pothuajse çdo prag shtëpie, çdo vendbanim e çdo rajon. Kjo plagë e pashërueshme, sot e kësaj dite, po merr përmasa shqetësuese me tendencë rritjeje. Fatkeqësisht, karvani i shpërnguljeve vazhdon e vazhdon dhe si pasojë vendet shqiptare po boshatisen, në disa raste edhe tërësisht.
Pa dashur të mohoj lëvizjet e shqiptarëve nga një vend në tjetrin, me qëllim të kërkimit të kushteve më të mira jetësore, emigrimet e para të shqiptarëve kanë qenë, në shumicën e rasteve, të kushtëzuara nga sulmet e pushtuesve të ndryshëm, që nga koha e Ilirisë e deri tek okupimi sllav i tokave shqiptare. Emigrimet e para masive kanë ndodhur si pasojë e ndëshkimeve të Perandorisë Bizantine në shekullin XIV (1327, 1333, 1336) e të Perandorisë Osmane, që janë të shumta (shekujt XV-XIX). Natyrisht, kjo dukuri ka përfshirë edhe shqiptarët në Malin e Zi dhe daton, së paku, që nga koha kur territoret bregdetare shqiptare i takonin krahinës së Arbërisë Venedikase (Albania Veneta), kur shqiptarët migronin drejt brigjeve bregdetare të Italisë dhe Dalmacisë.
Historiografia shqiptare i ka kushtuar kujdes të veçantë dhe ka shënuar pothuajse me përpikëri emigrimet e shqiptarëve nga territoret e Krajës (brigjet e Liqenit të Shkodrës) në shekullin XVIII, drejt Dalmacisë dhe vendosjen e tyre në qytetin bregdetar të Zarës. Mirëpo, edhe pse migrime të shqiptarëve drejt bregdetit dalmatin ka pasur, siç cekëm më lart, që në shekullin XV, historiografia shqiptare këto migrime nuk i ka shënuar fare ose i ka përmendur shumë pak. Pra, i ka lënë në harresë ose në mëshirën e kohës për t’u fshirë përgjithmonë nga kujtesa jonë.
Migrimi i shqiptarëve drejt Dalmacisë ka gjasa që të jetë bërë në grupime të vogla ose individuale. Rasti i parë i migrimeve në grupe në Dalmaci është vendbanimi Arbanas në ishullin Çiovo afër Trogirit, në shekullin XV, ndërsa rasti i dytë është migrimi i shqiptarëve në Istra të Dalmacisë, në shekullin XVII. Kësaj radhe do të paraqesim disa të dhëna për vendosjen e shqiptarëve në vendbanimin Peroi (Peroj) në Istra të Krocisë, pasi për rastin e parë kam shkruar disa artikuj.
Peroi është një fshat i vendosur në jugperëndim të Istrës, në Qarkun e Pulës, në anën veriore të qytezës Fazhana, afër 1000 m larg nga deti. Ky lokalitet fillimisht banohej nga fiset ilire ligurët, histrët dhe liburnët, ndërsa sllavët u vendosën këtu në fund të shekullit VI. Po ashtu këtu, kohë pas kohe (më herët dhe më vonë) kanë jetuar edhe fise të ardhura nga Morea e Greqisë. Në fundvitet e shekullit XVI dhe gjsmën e parë të shekullit XVII, Istra u sulmua nga një murtajë shfarosëse dhe si pasojë, shumë vendbanime në Istra, pra edhe vendbanimi Peroi, pothuajse mbeten pa banorë. Në vitin 1644 Peroi mbeti vetëm me tre banorë. Republika e Venedikut kishte shprehur interesim që vendbanimet e shfarosura në Istra të popullohen përsëri.
Gjendja ekonomike dhe politike në territorin e Arbërisë Venedikase nuk ishte e mirë. Kushtet e jetesës vështirësoheshin nga dita në ditë. Zëri se venedikasit, pas murtajës, pranonin ardhacakë për të populluar Istrën u përhap me shpejtësi edhe në Arbërinë Venedikase. Kështu një grup prej dhjetë familjesh shqiptare nga territori i sotëm i Malit të Zi, u nis drejt Istrës dhe mbërriti atje më 21 korrik 1657. Ata u vendosën në vendbanimin tani të quajtur Peroj (Peroi). Së bashku me këto dhjetë familje shqiptare, në Peroj u vendosën edhe pesë familje malazeze. Të gjitha familjet (shqiptare dhe ato malazeze) i përkisnin fesë ortodokse. Malazezët e ardhur në Peroj, në 365 vitet e kaluara, me krenari e ruajtën identitetin e tyre fetar dhe kombëtar. Ndërkaq, për fat të keq, fati i këtyre shqiptarëve nuk dihet, nuk është ruajtur nga e kaluara e tyre asgjë dhe sipas të gjitha gjasave janë asimiluar.
Ndërsa historiografia malazeze dhe ajo serbe pretendojnë dhe vërtetojnë se të gjitha 15 familjet ardhacake të ardhura në Peroj kanë qenë familje malazeze nga Crmnica, historiografia shqiptare hesht, edhe pse shumica e tyre ishin shqiptarë.
Po si është e vërteta?!
Duke folur për shqiptarët, Aleksa Bogosavleviq, në faqen 12 të librit të tij “Mbi arnautët” (O Arnautima), botuar në Nish në vitin 1897, ndër të tjera thekson: “Vendbanimi i tretë dhe më i vogli prej 500 frymësh gjendet në siujdhesën e Istrës, në fshatin Peroj (Lugina e Arnautëve), e cila nga Pula është dy orë udhëtim. Këta këtu i ka vendosur Republika e Venedikut me dekretin e saj. Atëherë prijës i tyre ka qenë Miko Draçkoviq. Ata e kanë ruajtur veshjen e tyre popullore dhe adetet e veta, flasin shqip, por të gjithë ishin të fesë ortodokse”. Pra, dihet se shqiptarët e Peroit, plot 240 vjet nga emigrimi i tyre, e flisnin gjuhën shqipe, por për ata nuk u interesua askush. Historiografia shqiptare heshti dhe hesht akoma, sikur të mos kishte ndodhur asgjë!
Por, dokumenti më i rëndësishëm i cili flet për përkatësinë shqiptare të familjeve të vendosura në Peroj është pa dyshim “Dokumenti (Statuti) i Perojit”, në bazë të të cilit ardhacakëve u është ndarë toka. Këtë dokument për herë të parë e ka bërë të ditur dhe e ka publikuar Giovani Andrea Dalla Zonca, në artikullin “Notizie riguardo a Peroj” (Lajme rreth Perojit), botuar në gazetën “L’Istria” në vitin 1852, pra 45 vite para Bogosavleviqit. Në një pjesë të këtij dokumenti, i përkthyer, sigurisht, në gjuhën serbe nga Fran Barbaliq, inspektor austro-hungarez i shkollave, në vitin 1933, ndër të tjera thuhet: AD+ 26 nëntor 1657. “Zotëriut më të shquar dhe më të respektuar Girolamo (Jeronim) Priuli, për Republikën e Shquar të Venedikut, kapetanit Raspo. Duke e përmbushur obligimin që më është dhënë nga Senati i Ducalit, më 27 korrik që kaloi, për vendosjen e familjarëve në vendin ku do t’i pëlqente Kryepriftit të nderuar Misho Braikoviqit, me 10 familje shqiptare dhe priftin kryesor Mikel Lubosina, me 5 familje, gjithsej 77 frymë të ardhura nga Mali i Zi, një vend turk, si nënshtetas besnik e i devotshëm i Republikës shumë të ndritshme (Venedikut). Duke pasur informata të sakta, se vendi më i përshtatshëm do të jetë ai që ka qenë më parë vendbanim, në pronësi publike, i quajtur Peroi, i shkretuar dhe i pabanuar prej shumë vitesh… me toka të papunuara, gurishte, i mbushur me therra, të braktisura, pa zotërim nga dikush…” (L’ill. mo et ecc. mo sig Girolamo Priuli per la Ser. ma Repubblica di Venezia, Capitanio di Raspo. Eseguendo le commissioni che tiene dall’ ECC. mo Senato in Ducali 21 Luglio passato in Provinzia in un sito che parese proprio a. S.E. il Capo Micho Braicovich con dieci famiglie albanesi, et il Capo Prete Michiel Lubosina con famiglie cinque, che in tutti sono anime settantasette venute da Montenegro paese Turchesco, come fedeli sudditi alla devozione della Ser. ma Repubblica. Avendo pertanto esata informazione, che men proprio, e comando sara il sito, et loco che fu gia Villa di ragione pubblica detta Peroi deserta et disabitatamolti anni… con Terreni incolti, sassosi, spinosi, dereliti, abbandonati, e senza il possesso d’alcuno.). Pra, është e qartë se shumica e familjeve të vendosura në Peroj ishin shqiptarë ortodoksë. Por për këta shqiptarë nuk u kujdes askush, ata u harruan, mbase nga harresa edhe u asimiluan. Përkundrazi, shteti i Malit të Zi nuk i harroi asnjëherë malazezët, madje u kushtoi kujdes të veçantë. Ekzistojnë mbi 100 punime shkencore për malazezët e Perojit (vetëm për pesë familje) dhe shumë libra të botuar në kohë të ndryshme. Ndërkaq, nuk jam në dijeni se kemi ndonjë libër të botuar apo punim shkencor për këta shqiptarë, tanimë të humbur. Malazezët e Peroit, edhe sot e kësaj dite, janë të organizuar, kanë shoqëri kulturore-artistike dhe përdorin alfabetin e tyre cilirik. Për fatin e shqiptarëve të Peroit nuk dihet asgjë, janë aty, u asimiluan apo…! Sidoqoftë, dokumentet e përmendura, por do të ketë edhe shumë të tjera, dokumentojnë ekzistencën e shqiptarëve në Peroj. Dihet së paku, se duke folur gjuhën shqipe, 250 vite janë identifikuar si shqiptarë. Malazezët ishin shumë më pak në numër sesa shqiptarët, por i qëndruan kohës, edhe sot ata me krenari deklarohen si malazezë. Po krenaria shqiptare ku na mbeti?!
Është e dhimbshme që shteti shqiptar dhe shqiptarët në përgjithësi të mos shfaqin interes për shqiptarët kudo që ata jetojnë! Edhe shqiptarët e emigruar në Arbanas të Zarës nuk ishin të shumtë në numër, por ata e ruajtën identitetin e tyre kombëtar, falë edhe interesimit të individëve dhe institucioneve shqiptare. S’ka dyshim se rasti i shqiptarëve të vendosur në vendbanimin Arbanas dhe Peroj dhe lënia e tyre në harrësë dhe mëshirën e kohës, dëshmon mosfunksionimin e mosinteresimin e institucioneve shqiptare për bashkëkombësit e vet. Mbase jemi shumë dhe s’na duhen ata pak?!
Rasti i malazezëve të Perojit dhe kujdesi i historiografisë malazeze ndaj tyre, duhet të merret si shembull i mirë se si duhet të kujdesemi për pjestëtarët e kombit tonë, sadopak që janë e kudo që janë. Akademitë e Shkencave (Shqipëri e Kosovë) duhet t’i nxisin studiuesit e ndryshëm që të studiojnë e zbulojnë vendbanimet shqiptare, sidomos në bregdetin dalmatin dhe të Istrës, të shpëtohet çka mund të shpëtohet, ani pse një pjesë të madhe të tyre e kemi humbur dhe ata janë asimiluar tashmë!
Kam bindjen se në Peroj duhet të ekzistojnë gjurmë shqiptare edhe sot e kësaj dite. Ato duhet gjurmuar dhe studiuar me vëmendje.
