
Njallia ishte ndërmjet Molit të Vogël dhe Molit të Madh në Ranë (Plazhin e Vogël) të Ulqinit. Plazhin e ka pasur me zhavor. Pjesa afër detit ishte me rërë të imët. Mendoj se për shkak të një investimi të gabuar, Jallia u prish dhe aty tash është porti i vogël – Kacemja. Por ky port është jofunksional për arsye se kur është deti i trazuar, valët depërtojnë brenda tij duke pamundësuar qëndrimin e barkave të vogla.
Lulet bedençe
Kalaja e Ulqinit është e rrethuar me bedena në pjesën veriore, jugperëndimore dhe jugore. Disa pjesë të Kalasë nuk kanë bedena, sepse shkëmbinjtë natyrorë shërbejnë për mbrojtje nga jashtë.
Ne fëmijët e atëhershëm, kuptohet ata më të guximshmit, jemi ulur nëpër bedenin mbi bahçen e Ilija Miliqit ose në atë sipër shkollës.
Në Bedenin te Pazari i Gjytetit janë tri dritare nga ana e detit. Gjithashtu dhe ulëset prej guri, ku pushojnë të gjitha gjeneratat.
Lulet bedençe rriten në bedenat dhe shkëmbinjtë e Kalasë. Janë të verdha, me një aromë të paktë, por ka edhe si lule vjollce ose lule sheboje, me aromë të këndshme. Janë lule njëvjeçare. Dalin vetvetiu. Askush nuk i mbjell, as nuk i ujit. Veç Zoti.
Askund tjetër në rrethinën e Ulqinit nuk i kam gjetur.
Lulet bedençe janë autoktone nëpër bedenat në Kalanë e Ulqinit.
Ishim në një manifestim kulturor në Kalanë e Ulqinit. Duke shikuar murin e lartë, i cili ndan Shkalanë (Citadelën), Dr. Nail Draga, më tha:
- A e sheh, doktor, fiku është rritur në majë të këtij muri?
- Po, – iu përgjigja. – Edhe në murin afër minares së xhamisë, në anën e majtë, janë dy lule bedençe.
Investimi i dytë i gabuar
Njallia (Jallia) – nga turqishtja fushë në det – ishte si gjysmëhark nën Kalanë jugore, me plazhin me zhavor dhe në cekëtinë me rërë të imët. Në anën e majtë ishte Guri i Zi, prej të cilit fëmijët e vegjël kërcenin në det. Fare majtas ishte Kacemja, prej së cilës kërcenin në det. Midis dy molove është luajtur vaterpolo dhe janë mbajtur gara sportive në det.
Njallia ka qenë vendi ku të gjithë ne dhe fëmijët tanë e kanë mësuar notin dhe një ndër simbolet e Ulqinit. Me pëlqimin e pushtetit vendor, Ndërmarrja Publike “Të Mirat Detare” në vend të Njallisë ndërtoi një marinë të vogël. U zhduk plazhi, Guri i Zi, Kacemja dhe u ndërtua një marine jofunksionale.
Përpos zhdukjes së Njallisë, sandallat në këtë port të vogël, të cilin disa e quajnë “vaskë kineze” ose “xhakuzi”, nuk janë të sigurt.
Ëndrra
Isha në Njalli (Jalli) për t’u larë në det. Në fillim të bregut ishte Guri i Zi, prej të cilit kërcenin në det fëmijët e vegjël. Në anën e majtë shkëmbi i madh – Kacemja, prej ku kemi kërcyer në det, nga dy lartësi të ndryshme.
U afrua një sandall i vogël (m’u duk si sandalli që kam pasur dikur). Hyra në ujë dhe fillova për të notuar. Deti ishte i qetë dhe i kthjellët, ku shihej qartë fundi i tij.
U lamë në det me disa të njohur dhe fëmijët e tyre. Dola në breg, ku ishin të ulur disa kalalinj.
Gjithnjë mendoja më vete: “Po Njallia – Jallia është prishur?! A është kjo e vërtetë?!”
Prej Xhamisë së Mezgjahut thirri ezanin për namazin e sabahut Fuad – Fuli Gorana. U zgjova.
Atëherë e kuptova se kjo ishte vetëm ëndërr. Tash Njallia – Jallia ekziston vetëm në mendimet dhe ëndrrat tona. Atë e zhdukën. Duke mos respektuar natyrën, traditën, simbolin e Ulqinit, Njallia mbeti tashmë vetëm në kujtimet tona… Fëmijëria dhe nostalgjia jonë…
