Takim me përfaqësuesit eshoqatave shqiptaro-amerikane

Me ftesë të Asamblesë së Shtetit të Nju Jorkut, ministri i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave Fatmir Gjeka qëndroi për një vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me ç’ rast ka diskutuar për bashkëpunimin dhe punën e mëtejshme për ruajtjen e identitetit të pakicës kombëtare shqiptare me origjinë nga Mali i Zi, brenda shoqërisë multietnike malazeze dhe jashtë saj.
Duke vlerësuar bashkëpunimin me diasporën, ministri Gjeka ka thënë se, të drejtat e njeriut dhe të pakicave në Mal të Zi po zhvillohen vazhdimisht.
Siç njoftohet nga Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, me ftesë të shoqatave shqiptaro-amerikane të ulqinakëve të diasporës, të Shoqatës “Ana Malit” dhe të shoqatave të tjera nga Ulqini, ministri Gjeka ka marrë pjesë në përkujtimin e Ditës së Flamurit Kombëtar Shqiptar, i cili u mbajt më 28 nëntor.
“Ministri Gjeka mori pjesë në ndarjen e Çmimit “Qytetar Nderi” të Këshillit Bashkiak të Shtetit të Nju Jorkut, që iu dha aktivistit të njohur dhe kreut të komunitetit shqiptar në Staten Island Naser Nika, ku në ceremoninë e ndarjes së çmimeve mori pjesë edhe David M. Carr, anëtar i Këshillit të pesëdhjetë rretheve të Komunës së Staten Island, Kamila M. Hangs, si dhe shumë përfaqësues të tjerë të Këshillit Bashkiak të Shtetit të Nju Jorkut, dhe modelja e njohur me origjinë nga Mali i Zi, Emina Çunmulaj. Gjithashtu, këtë çmim e ka marrë edhe Tina Lula” thuhet në njoftim.
Ministri Gjeka ka zhvilluar takim edhe me Charles D. Fall, këshilltar i Asamblesë së Shtetit të Nju Jorkut, me të cilin ka biseduar për kontributin e anëtarëve të pakicës kombëtare shqiptare në Nju Jork, e cila, siç ka thënë, ruan vazhdimisht marrëdhëniet me Malin e Zi.
“Me atë rast, ministrit Gjeka iu nda një çmim nga Charles D. Fall, për kontributin dhe angazhimin e tij të rëndësishëm në avancimin e të drejtave të njeriut dhe të pakicave”, thuhet mes tjerash në këtë njoftim.
Ruajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të respektimit të të drejtave të pjesëtarëve të popujve pakicë, tolerancën ndër-etnike dhe mulkulturalizmin, Qeveria e Malit të Zi i ka përfshirë në prioritetet e politikës së saj kombëtare, ka thënë Gjeka.
Sipas njoftimit të këtij dikasteri qeveritar, thuhet se ministri Gjeka është ministri i parë nga partitë shqiptare që vizitoi Federatën Panshqiptare “Vatra”, që njëherësh është organizata e parë shqiptare në SHBA, e themeluar që në vitin 1912. Ai në këtë vizitë është pritur nga nënkryetari i kësaj organizate, Pashko Camaj, dhe bashkëpunëtorët e tij.
“Ne jemi krenarë për përpjekjet afatgjata që ka bërë kjo organizatë për të mbështetur komunitetin shqiptar. Ajo edhe më tutje vazhdon të shërbejë si urë lidhëse mes shqiptarëve dhe amerikanëve, duke forcuar lidhjet dhe mbështetjen e ndërsjellë”, ka theksuar Gjeka.
Ndërkaq, siç thuhet, në kuadër të takimeve që kanë zhvilluar ministri Gjeka dhe sekretari shtetëror në Ministrinë e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Astrit Hoxha gjatë vizitës së punës, është konstatuar se Mali i Zi është një vend multietnik dhe multikulturor që angazhohet për një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe prosperuese, që përpiqet të forcojë integrimin e komuniteteve pakicë dhe promovimin e tolerancës ndëretnike dhe krijimin e një mjedisi social në të cilin diversiteti do të shihet si një pasuri dhe jo si një pengesë.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat