
Jetojmë në një kohë të pakohë, një realitet i përmbysur, ku suksesi, arritja apo përparimi i tjetrit shpesh shihet si pengesë dhe jo si frymëzim. Në vend që të motivojë, ai shndërrohet në burim xhelozie dhe mërie. Kjo ndodh kur dikush shënon arritje në shkollim, në punë, në art, kulturë apo fusha të tjera, ku guxon të japë diçka për shoqërinë, dhe në vend që të përkrahet, shpesh ai përballet me pengesa.
Në këtë realitet, arritjet e dikujt, për të fat të keq, nuk gëzojnë më.
Kur dikush përpiqet të ndryshojë diçka për të mirën e përgjithshme, të japë më shumë, ose të ngrejë zërin e tij për të përmirësuar diçka që nuk funksionon e që nuk shkon mirë, shpesh shikohet me dyshim, me mosbesim dhe herë-herë edhe me inat. Në vend që të shihet guximi, përpjekja dhe përkushtimi, jo rrallëherë ato trajtohen si kërcënim potencial për vendin në rendin e zakonshëm.
Shpesh ndodh që njerëzit përpiqen ta minimizojnë tjetrin, ta bëjnë të padukshëm, të mos ia njohin vlerat dhe përpjekjet, ose ta përçmojnë me fjalë dhe veprime, ndërsa fryma e bashkëpunimit dhe e mbështetjes mungon. Nga ana tjetër, mbizotëron egoizmi dhe xhelozia e heshtur. Një arritje, një sukses apo një veprim pozitiv, nuk shërben si motiv për të tjerët, por si justifikim për kritika dhe ndjenja negative.
Do të ishte një problem më i vogël nëse kjo do t’i përkiste vetëm një historie personale të dikujt. Por, fatkeqësisht, në ditët e sotme sa më i guximshëm dhe më i përkushtuar të jetë dikush, aq më shumë rrezikon të mos mbështetet, të mos njihet dhe të mos gëzohet për të. Ky është momenti kur kjo shndërrohet në një fenomen shoqëror.
Është pikërisht ky rasti kur vërejmë se shoqëria në përgjithësi ka filluar të harrojë se gëzimi për arritjen e tjetrit, nuk zvogëlon vlerën e tij, por përkundrazi e pasuron bashkëjetesën dhe frymën pozitive.
Edhe nëse realiteti na dikton se suksesi dhe përparimi i dikujt është “kërcënim”, ne duhet të gjejmë në të frymëzim dhe të gëzohemi teksa dëgjojmë se dikush ka arritur progres. Ndihma dhe mbështetja ndaj të tjerëve, respekti për angazhimin dhe arritjet e tyre, janë shenja të një shoqërie të shëndetshme dhe të drejtë.
Vetëm kur ndalojmë së shikuari arritjet e tjetrit si pengesë, mund të krijojmë një mjedis ku secili mund të japë më të mirën pa frikë, ku suksesi i njërit nuk është rrezik për tjetrin, por një motiv për të gjithë.
Të gëzohesh për suksesin e tjetrit nuk i përket vetëm një akti moral, por është edhe një shenjë fuqie dhe maturie. Kjo tregon se kemi mësuar të shohim përtej vetes, të njohim dhe vlerësojmë përpjekjet e të tjerëve, dhe të krijojmë një mjedis ku secili mund të lulëzojë pa frikë nga paragjykimet apo zilia e të tjerëve.
Ky do të ishte vetëm fillimi i ndërtimit të një shoqërie ku vlera, guximi dhe përkushtimi do të gjejnë gjithmonë vendin e merituar.
