
Jeta publike, shoqërore e politike e shqiptarëve pas përfundimit të Lufës së Dytë Botërore ishte vënë nën kontrollin, fillimisht të OZN-ës e pastaj të UDB-së. Sjelljet e strukturave të këtyre organeve ndaj popullatës shqiptare treguan se nuk e kishin harruar mentalitetin e armiqësisë së egër të borgjezisë jugosllave ndaj pakicave nacionale të paraluftës. Mblidheshin informata prej kujtdo dhe bëheshin vlerësime pa asnjë të dhënë të verifikuar për shumë qytetarë e sidomos ndaj atyre qytetarëve intelektualë të cilët ishin interesantë për t’i përfshirë si bashkëpuntorë ose për t’i maltretuar, dënuar ose për t’i likuiduar politikisht ose edhe fizikisht.
Pas pushkatimit të atdhetarëve ulqinakë, hoxhë Hasan Llunjit dhe të tjerëve, OZN-a u vu në ndjekje të atdhetarëve më të njohur të asaj kohe në Ulqin – Cafo begut dhe famulltarit Nikollë Tusha – Noga. Para se partizanët të hynin në Ulqin, më 26 nëntor 1944, Cafo begu ishte vëndosur të të afërmit e tij në Shkodër, për të mos u kthyer më kurrë në Ulqin, ndërsa Nikollë Tusha ishte vëndosur në fshatin Juban, të kushriri i tij, po ashtu famulltarë dhe deri në arrestimin e tij që erdhi si rrjedhojë e bashkëpunimit të Sigurimit Shqiptar dhe OZN-ës famëkeqe, punoi si ndihmës i tij.
- Veprimtaria e Nikollë Tushës në Ulqin
Sipas shënimeve të marra nga procesverbali s.nr. 520/46 të datës 8 shkurt 1946,
mënjëherë pas arrestimit të tij, kur Nikollë Tusha ishte marrë në pyetje në zyrat e Dhomës së OZN-ës në Cetinë, ai, për shkak të mosmarrëveshjeve me Ahmet Zogun në vitin 1927 kishte ikur në Jugosllavi. Ai ishte një poliglot i vërtetë pasi zotërone gjashtë gjuhë- italishten, frëngjishten, anglishten, latinishten, serbishten dhe gjuhën shqipe. Arqipeshkvi i Tivarit, Nikolla Dobreçiq (Nikollë Dobreci) po atë vit e emëron famullitar në Kllezën, ku qendoi deri në vitin 1933. Në kohën kur përreth e përqark bëhej gati të ndezej zjarri e Luftës së Dytë Botërore, dom Nikolla shërbeu në Salç. Në vitet 1940-1944, kur luftrat kishin zbërthyer në të gjitha anët, jetën meshtarake e kaloi duke shërbyer në Kishën e Ulqinit. Ai në vitin 1940 merr nënshtetësinë e Jugosllavisë.
Nikollë Tusha që në ditët e para të ardhjes së tij në Ulqin kishte vrejtur se shqiptarët, si popull shumicë në këtë komunë, nuk i gëzonin të drejtat elementare civile. Shqiptarëve u është mohuar e drejta e shkollimit në gjuhën amtare dhe përdorimi i simboleve kombëtare dhe rrjedhimisht as nuk përfaqësoheshin në administratën lokale, ekzekutive apo gjyqësore, sepse shumica dërmuese e tyre ishin të kombësisë malazeze. Nikollës i kishte rënë në sy edhe sjellja e malazezëve ndaj shqiptarëve dhe kishte konstatuar se ata (malazezët) shqiptarët i konsideronin si popull të kategorisë së dytë. Të gjitha këto padrejtësi ndaj shqiptarëve e nxitën aq shumë Nikollën që edhe më me shumë zellë e përkushtim të angazhohet për të drejtat e tyre. Ai me tërë qenien e tij, pa frikë kurdoherë, në kohën e lirë por edhe gjatë predikimit në kishë u angazhua për senzibilizimin e çështjes shqiptare. Ai së bashku me atdhetarët tjerë u fliste shqiptarëve se mësimi në gjuhën shqipe është e drejtë e tyre siç është e drejtë edhe ngritja e flamurit shqiptar. Për këtë çështje bashkëpunoi ngusht me kryetarin e komunës Cafo Begun, hoxhë Llunjin e ndonjë tjetër, pra përkatësia fetare nuk i interesonte. Edhe pse klerik katolik, i interesonte vetëm çështja kombëtare. Për këtë arsye ai nuk u pa me sy të mirë nga pushteti malazias i asaj kohe, kështu që pa përfunduar mirë Lufta e Dytë Botërore, regjimi që po instalohej në Ulqin u vu në ndjekje të tij.
Mënjëherë pas arrestimit të tij dhe vëndosjes në burgun hetues në Cetinë, Nikollë Tusha iu nënshtrua marrjes në pyetje nga OZN-a. Është interesant të theksohet se në takimin e parë me OZN-ën atij nuk iu prezantua akuza as nuk i bënë pyetje, por thjesht ai u detyrua të flasë për veprimtarinë e vet gjatë qëndrimit në Ulqin e sidomos për kohën nga hyrja e italianëve në Ulqin. Kjo tregon se OZN-a nuk kishte argumente të mjaftueshme dhe mendonte që duke e lënë të flasë lirshëm të nxjerrin ndonjë argument të ri në favor të akuzës që po përgatisnin. Por, Nikolla nuk ra në kurthin e tyre. Ai ishte një intelegjent i pajisur me atdhedashuri të pashoq, i matur, i pamposhtur. Gjatë deklaratës së tij ishte i rrjedhshëm në përshkrimin e veprimtarisë së tij, kështu që në asnjë moment nuk u lëkund të tregonte ato se për çka vërtetë ishte angazhuar, por pa u frikësuar hodhi poshtë veprimet që pa të drejtë i përshkruheshin si veprime politike.
Sipas proçesverbalit, numër dhe datë si më lart, duke përshkruar aktivitetin e tij në Ulqin, ndër të tjera deklaroi: “Mënjëherë pas ardhjes së italianëve në Ulqin u paraqitën dy rryma politike, njëra përkrahte bashkimin e Ulqinit me Malin e Zi, ndërsa tjetra në krye të cilës isha unë, përkrahte bashkimin e Ulqinit me Shqipërinë. Unë kam punuar për bashkimin me Shqipërinë, sepse gjuha shqipe ishte hjekur nga shkollat, gjegjësisht gjuha shqipe si lëndë në shkollë nuk lejohej, por edhe për arsye se Ulqini ekonomikisht ka qenë i ndarë nga Serbia, ndërsa Mali i Zi është një krahinë pasive kështu që furnizimi i Ulqinit me artikuj ushqimorë ka qenë i pamundur. Pas ardhjes së italianëve, komandnti Françesko Fiorini i ka thirë në komandën e tij disa qytetarë në zë në Ulqin, ndër të cilët kam qenë edhe unë. Komandanti në fjalë na ka shpjeguar se është e nevojshme që të krijohet një këshill nga qytetarët në zë i cili do të ketë për detyrë të kujdeset për popullsinë e Ulqinit. Pasi na shpjegoi se këshilli nuk ka karakter politik, unë pranova që të jem anëtar i këtij këshilli. Në këshill kanë hyrë pesë apo gjashtë veta, por nuk kujtohem saktësisht. Kryetar është zgjedhur Marko Çarmaku, atëherë kryetar i komunës, sekratar ka qenë Kosta Stojanoviqi, nëpunës i komunës, unë, hoxhë Buzuku, Lito begu, Mustafë Dollareviqi, një kadi mysliman, emrin e të cilit nuk e kujtoj, popi Nikolla Razhnjatoviqi, e të tjerët nuk më kujtohen. Ky këshill është takuar shpesh në zyrat e komunës, e cila ka qenë në të njëjtën shtëpi ku edhe zyra e komandantit italian. Ky këshill ka shqyrtuar kryesisht çështje ekonomike.
Me 10 maj 1941, erdhi nga Cetina në Ulqin Dr. Stevo Gjuroviqi dhe midis Ulqinit e ngriti flamurin malazez. Mua por edhe të gjithë shqiptarëve u erdhi keq, kështu që unë më 18 maj të atij viti e vendosa flamurin shqiptar, por oficieri i karabinjerëve e hoqi flamurin dhe për këtë arsye unë nuk kam marrë pjesë më në mbledhjet e këshillit. Flamurin e vendosa më 18 maj pasi ajo ditë ishte e dielë dhe në kishë kishin ardhur shumë katolikë. Para se të hynim në kishë, unë para të pranishmëve mbajta një fjalim ku u shpjegova për qëllimin e vendosjes së flamurit shqiptar duke u thënë atyre se ne për këtë kemi të drejtë, sepse këtu ka shumë katolikë dhe myslimanë që e konsiderojnë veten shqiptarë. Ato ditë kishte shkuar në Shkodër Cafo begu Alibegoviqi me shokët e tij pasi ishte shkarkuar nga pozita e kryetarit të komunës. Kur dëgjoi për ngritjen e flamurit i kishte ardhur mirë dhe kishte thënë se edhe ai vazhdimisht punonte për bashkimin e Ulqinit më Shqipërinë. Ngritja e flamurit ka qenë e mirëseardhur, sepse italianet duhet të bindëshin se edhe populli e dëshiron bashkimin me Shqipërinë. Në të vërtetë në korrik të vitit 1941, Ulqini iu bashkangjit Shqipërisë. Pas bashkimit për kryetar të komunës së Ulqinit ka ardhur Cafo begu. Është e mundur që edhe me shkrim kam kërkuar bashkimin e Ulqinit me Shqipërinë, por data s’më kujtohet tani. Cafo begu ka bashkëpunuar me hoxhë Llunjin, Hasan Isufin, Maliq Bushatin dhe Dushan Kapitoviqin i cili ka vëndosur për burgosjen apo internimin e të gjithë malazezëve në Ulqin dhe rrethinë.
Është e vërtetë që kam qenë prezent në pushkatimin e Marko Nuculloviqit, sepse kam qenë i ftuar nga komanda e karabinjerëve që të kryej veprimet kishtare para se ai të pushkatohet. E kam pyetur komandant Rosin pse e pushkatoni, në çka ai më është përgjigjur se i kanë gjetur pushkën dhe e kanë kapur diku në pyll. Komandën për pushkatim e ka dhënë kapetan Rosi e pastaj disa hamallë e kanë bartë trupin e tij. Nuk më kujtohet se dikush nga famaljarët e Nuculloviqit më është lutur për shpëtimin e tij, por edhe nëse më është lutur unë kam qenë i detyruar të them që nuk mundem ta shpëtoj.
Me kërkesën e personava (qytetarëve), unë shpeshherë kam shkuar në komandat italiane dhe si njohës i gjuhës italiane kam përkthyer ato çka personat kanë kërkuar. Është e vërtetë se nga fillimi i vitit 1943 e kamë pas rojen, sepse komandanti i xhandarmarisë Hasan Isufi më kishte porositur që të ruhem pasi dikush nga malazezët mund të më vriste. Para ardhjes së partizanëve në Ulqin, në nëntor të vitit 1944, unë kam ikur në Shqipëri sepse për shkak të kërkesës sime të bashkimit të Ulqinit më Shqipërinë dhe ngritjes së flamurit shqiptar, jam friguar se dikush mund të më vriste. Në Shqipëri kam qëndruar në Juban, njëmbdhjetë kilometra nga Shkodra, si ndihmës i një kushririt tim, famullitar në të njëjtin vend.
Nuk di nëse qeveria shqiptare ka pasur dijeni për mua, por unë të parën herë jam regjistruar në librat e komunës në tetor të vitit 1945”.
Procesverbali u nënshkra nga përsoni që e mori në pyetje Petar V. Shukoviq dhe vetë Dom Nikollë Tusha.
Marrja në pyetje e të pandehurit Nikollë Tusha vazhdoi më 27 shkurt 1946. Plot katër muaj nuk pati asnjë veprim tjetër procedural ndaj tij. Ai torturohej e maltretohej egërsisht nga përfaqësuesit e OZN-ës dhe të milicisë së burgut. Me torturat që kryenin ndaj tij, u munduan të nxirrnin pranimin e akuzës pasi dëshmitarë të tjerë akoma nuk kishin. Por, Nikolla i qëndroi trimërisht dekleratës së tij të parë, mbase s’kishte çka të thoshte tjetër.
Më 22 qërshor 1946, në Njësinë e OZN-ës në Ulqin u thirr dëshmitari i parë për të deklaruar gjithçka dinte për Nikollë Tushën gjatë kohës së okupimit italian.
