
Oficerët e intelegjencës malazeze në Sanxhak dhe Kosovë, na maj të vitit 1910, kanë lajmëruar se Isa Boletini më 6 maj, ditën e Shëngjergjit është paraqitur në skenën politike me 10.000 shqiptarë të armatosur! Pasi Isa kishte hyrë në territorin e Malit të Zi, konsulli i Malit të Zi në Shkodër, Dushan Gregoviqi, më 19 qershor 1910 e lajmëroi valiun e Shkodrës se Isa gjendet në Mal të Zi. Valiu e luti konsullin që ky emigrant i rëndësishëm shqiptar të largohet sa më larg kufiri turk, gjë të cilin konsulli ia premtoi, madje i tha se Mali i Zi është tokë e vogël dhe ai kurrë nuk mund të jetë larg kufirit të sulltanit. Qeveria e Malit të Zi u ndikua nga kërkesa e valiut të Shkodrës dhe Isën nuk e vëndosen në Podgoricë por në Nikshiq. Është interesant të theksohet se po i njëjti konsull i sugjeroi minisrit përkatës se “nuk do të ishte keq që Isa Boletinit t’ia lehtësojmë rrugën deri te kryengritësit e Krasniqes për të cilët prania e Isës do të ishte e një rëndësie të veçantë. Kjo tregon se politika malazeze që në fillim kishte për qëllim që të manipulojë e shfrytëzojë Isën për interesat e tyre. Por si do të shohim më vonë Isa gjatë gjithë qëndrimit të tij në Mal të Zi nuk u manipulua, ishte vigjilent dhe asnjëherë nuk u bë pjesë e lojrave të ndyra për llogari të Malit të Zi.
Siç dihet Isa u largua nga Mali i Zi në prill të vitit 1911. Në mars të vitit 1911, te emigrantët shqiptarë në Mal të Zi u hap lajmi se Malësia e Shkodrës kishte filluar kryengritjen dhe ka sulmuar postat turke në drejtim të Tuzit. Ky lajm ishte befasues për Isën me shokë, sepse me krerët e Malësisë e sidomos me Ded Gjo’ Lulin e Mehmet Shpendin kishin një marrëveshje për këtë veprim. Nuk ishin lajmëruar as kosovarët dhe e gjitha kjo ngriti dyshimin e madh se kjo ishte një lojë apo dredhi e Krajl Nikollës. Kjo u bë e qartë shumë shpejt pasi vetëm disa ditë më vonë Krajl Nikolla thirri Isa Boletinin, Sulejman Batoshën me shokë dhe u tha se edhe ata duhet të nisin sulmin drejt Kosovës duke potencuar që fillimisht të marrin Plavën e Gucinë. Kjo nuk i pelqeu Isës dhe pasi u shpreh se për momentin Kosova s’është në gjendje të luftojë, ndër të tjera i tha Krajl Nikollës: “Ndoshta njëherë ato vende i marrim, por nuk do të mundemi me i mbajt”! Krajl Nikolla ndërhyri përsëri duke u thënë: “ Ju duke i marrë vendet vazhdoni përpara, ushtria ime iu vjen mbrapa e i mban vendet”. Isa e kuptoi mirë qëllimin, lojën dhe intrigat e Krajlit të Malit të Zi, por edhe veprimet e liga të disa krerëve malësorë dhe duke i thënë krajlit: “Gospodar, na falni, po na nuk luftojmë me ndjekë njënin për me sjellë një tjetër” vëndosën të lëshojnë Malin e Zi e të kthehen në malet e Kosovës. Duhet theksuar se gjatë qëndrimit në Mal të Zi, Isa mbante lidhjet me të dërguarin turk Sadredib beun i cili u kishte dhënë besën se nuk do të internohen në Azi të Vogël dhe lirisht mund të kthehen në Kosovë. Ndoshta edhe kjo ndikoi që ai të kthehet në Kosovë. Ndërkohë, sigurisht nga Cetina ishte përhapur lajmi se Isa Boletini dhe Sulejman Batusha janë dorëzuar, gjë që s’ishte aspak e vërtetë, por intrigë e vet Gospodarit të Malit të Zi.
Sipas studiuesit Bogumil Hrabak, Isa Boletini dhe Sulejman Batusha, pasi ishin armatosur me pushkë ruse e kishin kaluar kufirin së bashku më 250 ushtarë. Pasi mbërritën në fshatin Batushë, Isa dhe Sulejmani i ndanë disi rrugët pasi Sulejmani ishte për autonomi të shqiptarëve ndërsa Isa kishte kombinime të tjera. Malazezët nuk e linin rahat (të qetë) Isën dhe herë pas herë i dërgonin atij emisarë të veçantë me kërkesë që kryengritja në Kosovë të fillojë. Kështu në pjesën e parë të majit 1911, i dërguari i Gospodarit Millovan Knezheviq, u takua me Isën në fshatin Bjelajë afër Deçanit, ku qëndroi 5 ditë. Isa nuk i premtoi se do të niste kryengritjen, së paku deri sa të shkrihej bora në bjeshkë! Të njëjtën kërkesë Isës ia kishte bërë edhe mutasherifi i Pejës kur kishte ardhur në Isniq. Në ndërkohë, anëtari gjykatës në Pejë, Jovan Angjellkoviq, kishte dërguar të besueshmit e tij në nahijen e Beranës që të organizojë malazezët e atjeshëm për luftë. Siç shihet qëllimi i Malit të Zi ishte që duke përdorur Isën, kryengritja në Kosovë të fillojë sa më parë.
Në pjesën e parë të muajit gusht të vitit 1911, Isa Boletini u gjend në fshatin e lindjes, në Boletin, nga ku pasi mësoi se gjyqi nuk e ishte liruar, kaloi në territorin e Novi Pazarit. Deri në fund të vitit 1911, sigurimcat malazezë nuk i përcillnin lëvizjet e Isa Boletinit!
Ka gjasa që Krajl Nikolla kishte vëndosur kontakte me njerëz në zë në Kosovë. Kështu fshatarët e rrethit të Pejës që në fillim të vitit 1912 furnizoheshin me armë nga Mali i Zi. Këto lajme vërtetohen edhe nga valija i Kosovës në Shkup, Austriakët, duke luajtur me letrën e kundërthënieve shqiptaro-sllave mundoheshin ta bindin Portën e Lartë për furnizimin me armë të shqiptarëve nga Mali i Zi, ndërsa i dërguari i Italisë në Cetinë e lajmëroi qeverinë italiane se Shqipëria e Mesme është pothuajse nën ndikimin e Krajl Nikollës dhe se prej atij varet a do të ketë trazira.
Në muajin shkurt të vitit 1911, Isa Boletini sigurisht për zgjedhjet e ardhshme bëri marrëveshje me shumë shqiptarë në zë. Në atë kohë deputeti popullor Sait Hoxha deklaroi për gazetën e Sofjes “Pravo” se edhe pse shqiptarët luftojnë për interesat e tyre kombëtare ata nuk do të punojnë kundër interesave të shtetit. Për këtë arsye, thekson ai, Isa Boletini e ka lëshuar Malin e Zi dhe për të njëjtën arsye populli nuk i ka përkrahur malësorët katolikë dhe as ata myslimanë që kanë mbajtur krahun e Malit të Zi.
Kur në prill të vitit 1912 filloi kryengritja në krahinën e Gjakovës, sipas të dërguarit italian në Beograd, valiu i Kosovës kërkoi të takohet me Isa Boletinin, gjë që e bëri më 15 maj. Pas takimeve në Sokolicë dhe Prekaz ku u vendos që Bajgora dhe Drenica t’u bashkëngjiten kryengritësve, më 17 maj 1912 u mbajt një konsultim i krerëve të Kosovës Veriore, në të cilën mori pjesë edhe Isa. Isa hyri në Shtabin kryesor të kryengritësve që ishte vendosur në Junik. Gazeta “Vardar” e Shkupit, më 23 maj 1912, shkruan se Isa Boletini me udhëheqësit e kryengritjes janë për “krahinën e veçantë autonome”. Isa merr pjesë edhe në takimin e madh në Junik (21-25 maj 1912) ku u formuluan disa vendime të rëndësishme për shqiptarët, ku pika e parë ishte përcaktimi i kufijve të Shqipërisë dhe futja e shqiptarëve në administratën publike dhe jetën kulturore në viset shqiptare.
Për luftën e mëtëjme Isa Boletini u mbështet në ndihmen që do të marrë nga Serbia e jo nga Mali i Zi. Ai bashkëpunoi me shumë patriotë shqiptarë si Bajram Curri, Hasan Prishtina, Riza beg Kryeziu e të tjerë. Mori pjesë në marrjen e Prishtinës, në luftën e Ferizajit dhe organizoi kryengritjen në Gjilan dhe në mënyrë triumfale hyri në Mitrovicë. Isa mori pjesë edhe në marrjen e Shkupit. Hasan Prishtina e thërret Isa Boletinin të kthehen në Prishtinë pasi Porta i kishte pranuar të gjitha kushtet e parashtruara, por ai u përgjigj se komisionerët do t’i presë në Shkup.
Në Cetinë u mësua për lidhjet e Isës me Serbinë por nuk kishin mësuar për disponimin e tij kundër Malit të Zi. Por, Isa së shpejti u distancua edhe nga Serbia sepse e kuptoi lojën e Serbisë e cila duke shfrytëzuar kryengritjen dëshironte të zgjërohej me vende shqiptare. Vullnetarët për luftë kundër Serbisë në krahinën e Mitrovicës i organizoi personalisht Isa Boletini.
Pse Isa Boletini dhe emigrantët e tjerë shqiptarë kërkuan strehim në shtetin e vogël dhe të varfër të Malit të Zi? Së pari, gjeografikisht Mali i Zi ishte shteti më i afërt ku mund të vëndoseshin, së dyti situata politike në shikim të parë ishte pothuaj e njëjtë, sepse të dy palët tentonin të lirohen nga sundimi 500 vjeçar dhe të krijojnë shtetin e tyre të pavarur. Isës i duhej kohë për ndërmarrjen e hapave të mëtejshme, kështu që strehimi në Mal të Zi edhe për arsye të afërsisë, ishte zgjedhje e mirë. Krajl Nikolla e pranoi Isën sepse shpresonte se përmes tij do të shtrijë ndikimin edhe në terrenin e Kosovës, që ishte synim i tij i lig dhe keqdashës. Ligështinë e tij Krajl Nikolla e tregoi kur u mundua të bindë Isën që të fillojë kryengritjen dhe se vendet e marra nga Isa me shokët e tij do t’i sigurojë ushtria malazeze, pra shfaqi haptas pretendimet territoriale ndaj viseve shqiptare. Isa për të mos rënë në grackë të Nikollës, sipas gjasave, edhe nga Nikshiqi dhe Cetina kishte mbajtur kontakte me mbështetësit e tij në Kosovë dhe posa e muar vesh lojën hileqare të Nikollës por edhe të disa malësorëve, u largua nga Mali i Zi.
Isa përsëri në vitin 1915 ishte i detyruar të kthehet në Mal të Zi. Ai dëshironte të shpetojë jetën e vet dhe të shokëve të tij, ndërkaq Gospodari dëshironte që të hakmerrej ndaj gjakpirësit serb, siç e kishte cilësuar ai, për bashkëpunimin me Serbinë nga njëra anë dhe nga ana tjetër Isa nuk i kishte shërbyer për qëllimet për të cilat ai e kishte mirëpritur e që ishte shtrirja territoriale e Malit të Zi në tokat shqiptare. Kjo mund të ishte edhe arsyeja pse konsulli malazez Aleksa Gjukanoviq e solli Isën përsëri në Cetinë. Siç dihet Isa u vra befasisht në pritë nga xhandarmeria malazeze në momentin kur Mali i Zi po shkonte drejt humbjes së sovranitet shtetëror. Sot e kësaj dite arsyeja dhe ekzekutori nuk dihen. Bogumil Hrabrak thotë se Isa u vra nga frika se ai do të merrte qytetin e Podgoricës! E pamundur me aq pak njerëz të merrej Podgorica ku tashmë kishte hyrë ushtria austriake.
Sidoqoftë marrëdhëniet e Isa Boletinit me Krajl Nikollën kanë qenë të qarta: çdonjëra palë ka dashur të shfrytëzojë palën tjetër, prandaj ato marrëdhënie nuk u shkëputën tërësisht deri në vrasjen e Isës.
