Standardet e dyfishta tëMinistrisë së Kulturës dhe Mediave

Në mjediset e pakonsoliduara, sikurse është Mali i Zi, nuk është befasi që për çështje identike të përdoren standarde të dyfishta, që dëshmohet me veprimin e Ministrisë së Kulturës dhe Mediave, e cila miratoi vendosjen e bustit të mitropolitit Amfillohije, ndërsa nga ana tjetër nuk i përgjigjet pozitivisht iniciativës së shqiptarëve për vendosjen e pllakës përkujtimore në vendin e krimit në Husaj të Rozhajës, ku janë vrarë 21 qytetarë shqiptarë të Kosovës nga Armata jugosllave, në prill të vitit 1999

Nail Draga

Në nderim të 21 viktimave shqiptare nga Kosova, të cilët janë vrarë më 18 prill 1999 nga Ushtria jugosllave, në Husaj të Rozhajës, me rastin e 25-vjetorit të masakrës, familjarët e tyre dhe Komiteti Malazez i Juristëve për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, në vitin 2024 i janë drejtuar me një kërkesë Ministrisë së Kulturës dhe Mediave që në vendin e krimit të vendoset një pllakë përkujtimore me emrat e të vrarëve, sipas procedurës e dispozitave ligjore.

Heshtje morale e politike
Por, në vend që një kërkesë e tillë të jetë formalitet në shërbim të drejtësisë dhe në nderim të viktimave të pafajshme, nga Ministria e Kulturës dhe e Mediave kanë heshtur, duke mos dhënë përgjigje.
Tejkalimi i afatit ligjor për të dhënë përgjigje është dëshmi e sjelljes jo vetëm burokratike, por kemi të bëjmë me heshtjen morale e politike, nga vetë fakti se viktimat ishin qytetarë shqiptarë nga Kosova, ndërsa përgjegjës kanë qenë ushtarët e Armatës jugosllave. Dhe për shkak të mungesës së lejes për vendosjen e pllakës përkujtimore, ajo nuk është realizuar deri më tash, që është dëshmi e standardeve të dyfishta të institucioneve qeveritare kur janë në pyetje shqiptarët.
Cekim me këtë rast se shqiptarët nga Kosova ishin zhvendosur nga lufta në Kosovë për të gjetur shpëtim, por këtu gjetën vdekjen. Ndonëse ata shpëtuan nga terrori ushtarako-policor serb në Kosovë, këtu u vranë nga pjesëtarët e Ushtrisë jugosllave (lexo: serbo-malazeze). Ndonëse ndaj këtij veprimi kriminal është zhvilluar një proces gjyqësor në Mal të Zi, gjykata të akuzuarit për këtë krim i ka shpallur të pafajshëm (2014), duke dëshmuar se nuk është në favor të drejtësisë për t‘i dënuar vrasësit e qytetarëve, të cilët ishin fajtorë vetëm sepse ishin të një kombi tjetër!

Mitropolitit Amfillohije monumenti në Kollashin
Nga ana tjetër, opinioni është informuar se në saje të kërkesës nga Komuna e Kollashinit për ndërtimin e monumentit kushtuar mitropolitit Amfillohije, vendimin e ka propozuar Ministria e Kulturës dhe e Mediave, ndërsa miratimi është realizuar në mbledhjen e Qeverisë, më 18 shtator 2025. Po ashtu bëhet me dije se një monument i tillë do të vendoset edhe në Beran.

Vazhdon sindromi kundër shqiptarëve
Nuk ka dilemë së një qëndrim i tillë nga ana e Ministrisë së Kulturës dhe e Mediave është me prapavijë politike dhe dëshmi e qasjes së dyfishtë, sepse kur janë në pyetje shqiptarët – heshtet apo refuzohen kërkesat e tyre, nga del se këtu ende është i pranishëm sindromi kundër shqiptarëve edhe tash në pluralizëm, pavarësisht faktit se cila qeveri është në pushtet. Ndërsa rastet e deritanishme e dëshmojnë në mënyrë transparente një konstatim të tillë.

Heshtja e ministrave shqiptarë
Në lidhje me mosmiratimin e vendosjes së pllakës përkujtimore në Rozhajë nga ana e Ministrisë së Kulturës dhe Mediave, nuk kemi pasur rast të dëgjojmë se ka pasur ndonjë reagim nga ministrat shqiptarë në Qeverinë e Malit të Zi. Ndërsa kur është diskutuar në mbledhjen e Qeverisë për dhënien e pëlqimit për vendosjen e monumentit të mitropolitit Amfillohije në Kollashin, ministrat shqiptarë dhe ata boshnjakë bëhet me dije se nuk janë deklaruar, nga rrjedh se kanë qenë kundër një vendimi të tillë.
Pavarësisht aktualitetit politik e shoqëror, një qëndrim i tillë nuk është i mjaftueshëm, sepse ka munguar reagimi publik për të njoftuar opinionin me pikëpamjet e tyre në lidhje me këtë çështje, nga del se ishte vendim politik i shumicës parlamentare aktuale, që ka irrituar opinionin në Mal të Zi, sepse kemi të bëjmë me qasje të dyfishta, që është kundër parimeve demokratike në botën e qytetëruar.

Përfundim
Vendosja e pllakës përkujtimore kushtuar krimit në Husaj të Rozhajës është çështje identitare e shqiptarëve, si e drejtë e tyre autonome, ku çdo pushtet demokratik do ta mbështeste një veprim të tillë, jo vetëm në mënyrë deklarative por edhe financiare, por fatkeqësisht pushteti malazez aktual dëshmon se vuan nga sindromi antishqiptar edhe tash në pluralizëm. Vendosja e pllakës përkujtimore në vendin e krimit, me emrat e viktimave, megjithëse deri tash nuk është lejuar, duhet të insistohet që ajo të vendoset në të ardhmen, duke qenë dëshmi e krimit ndaj qytetarëve të pafajshëm nga Kosova.

Të fundit

më të lexuarat