Situatë absurde midis dy familjeve shqiptare

“Një shtëpi e ndarë dhe e përçarë mes veti, nuk mund të qëndrojë”, është thënie e përdorur nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Abraham Linkolni, në kohën e Luftës Civile midis Jugut dhe Veriut në Shtetet e Bashkuara (1861-1865) dhe të tjerë pas tij, por që rrënjën e ka në Bibël (Mark 3:25)

Për Koha Javore: Frank Shkreli / Nju Jork

Kuptimi i thënjes është se një komb i ndarë e i përçarë mes veti nuk mund të qëndrojë, ashtu si nuk mund të qëndrojë e të mbijetojë as edhe një familje kur anëtarët e saj nuk merren vesh me njëri-tjetrin.
Në Bled të Sllovenisë, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe me Kryeministrin Zoran Zaev të Maqedonisë së Veriut (propozues i Iniciativës “Ballkani i Hapur”), dhe në foton tjetër, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti me Kryeminstrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, të cilët, sipas medias, biseduan për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe në NATO, antarësim për të cilin Kroacia u angazhua plotësisht për të ndihmuar Kosovën në këtë rrugë.
I shikoj fotot dhe nuk u besoj syve mi, jo se këto fotografi tregojnë ndonjë gjë të re në politikën ballkanase të dy dekadave të fundit, pasi këto foto pasqyrojnë realitetin fatkeq, sidomos, të marrëdhënieve shqiptaro-shqiptare për disa vite tani, por për zhgënjimin tim personal dhe besoj edhe të shumë shqiptarëve anembanë trojeve shqiptare dhe në Diasporë, për marrëdhëniet në familjen e përbashkët shqiptare. Shikoj këto fotografi dhe pyes veten se cila, në të vërtetë, është struktura e marrëdhënieve aktuale të kombit shqiptar anembanë trojeve të veta. Shikoj dhe pyes se cilat janë shpresat e përbashkëta, në qoftë se ekzistojnë, dhe nëse ekziston besimi i ndërsjelltë se kombi shqiptar është dhe mbetet një popull i vetëm i bashkuar me lidhje të përhershme në mbrojtje të interesave të përbashkëta kombëtare.
I shikoj këto foto dhe i them vetes, mos u zhgënje se kjo është një periudhë e përkohshme. Populli shqiptar do të dijë të tejkalojë edhe këtë situatë absurde të krijuar midis dy familjeve shqiptare Shqipëri-Kosovë, se shqiptarët e thjeshtë, nga të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe jo politikanët e tyre, do të jenë forca që bashkon, dhe jo forca që ndan e përçan. Do të jetë një brez tjetër shqiptarësh që do të jetë i vetdijshëm për detyrat dhe objektivat e parealizuara pargjatë shekujve, për t’i arritur këto objektiva, sipas fjalëve të Linkolnit:
“Armiqësi kundër askujt, me mirësi ndaj të gjithëve…”, me bindjen se
lufta për liri dhe demokraci nuk mund të shuhet kurrë dhe se përpjekjet për të drejta të barabarta dhe për një jetë më të mirë për të gjithë nuk do të ndalen asnjëherë. Dhe në të njëjtën kohë, liria dhe demokracia, megjithë të metat e saj, është gjithnjë shpresa më e mirë për të gjithë popujt anembanë botës, përfshirë popujt e Ballkanit. Sidomos për popullin shqiptar, megjithëse udhëheqësit aktualë të cilët për interesa jokombëtare në këtë proces e sipër flirtimesh të rrezikshme politike në kurriz të interesave kombëtare, po luajnë me fatin e tyre duke rrezikuar dhe përçarë, kështu, shtëpinë e tyre të përbashkët shqiptare.

Të fundit

më të lexuarat